Ançeloti i Realit, garë me veten për të thyer Karlon e Juves. Vetëm dy ndeshje larg rekordit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 29, 2024 | 12:50

Ançeloti i Realit, garë me veten për të thyer Karlon e Juves. Vetëm dy ndeshje larg rekordit

Reali duket i pandalshëm në këtë se zon në La Liga dhe jo vetëm. As rivalët e as dëmtimet nuk po arrijnë të frenojnë ekipin e Ançelotit drejt titullit numër 36 në La Liga.

anceloti

“Los blancos” nuk njohin humbje në Spanjë që nga java e gjashtë (24 shtator) kur u mundën në derbin e Madridit përballë Atletikos në “Metropolitano” (1-3). Njëra pas tjetrës, skuadra e bardhë ka lënë pas 20 ndeshje në la Liga pa njohur humbje. Një seri në të cilën skuadra ka regjistruar 5 barazime dhe 20 fitore, që përfaqëson serinë më të mirë të ndeshjeve të Ançelotit pa humbur me Madridin në Liga.

Rekordi i tij i mëparshëm më i mirë me Madridin në turneun e rregullt daton në sezonin 2013-2014, kur ai regjistroi 18 ndeshje pa humbje. Karleto është ende larg arritjes së serisë më të mirë të Madridit, që i përket Leo Benhakerit. Nën komandën e tij, Reali regjistroi 31 ndeshje i pathyer në la Liga duke llogaritur javën e fundit në sezonin 1987-1988 dhe pjesën tjetër në sezonin 1988- 1989. Për ta kapërcyer rekordin e vendosur nga trajneri holandez, skuadra duhet të mbetet e pamposhtur për pjesën e mbetur të kampionatit. Gjatë rrugës, gjithashtu Reali i Ançelotit mund të kapërcejë seri të tjera më të gjata pa humbur që përfshinin Xhon Toshak (29 ndeshje radhazi pa humbje), Zinedin Zidan (28), Migel Munjoz (një seri prej 27 dhe një tjetër prej 26 ndeshjesh), Kapelo (24) dhe Murinjo (24). Në fakt, momenti historik tjetër që ka përpara Ançeloti është ai i tij personal: ai i sezonit 1999-2000, kur ai arriti 22 ndeshje i pamposhtur në krye të Juventusit në Serinë A.

Ançeloti është historia e gjallë e Madridit. 273 ndeshjet që ai ka drejtuar e bëjnë atë trajnerin e dytë me më shumë ndeshje në historinë e klubit, vetëm pas legjendarit Migel Munjoz (605). Ai është vetëm dy fitore larg arritjes së 200 sukseseve në krye të “los blancos”. Mes 25 trajnerëve që kanë udhëhequr Madridin në të paktën 50 ndeshje, ai është ai me përqindjen më të lartë të fitoreve (72.53%) në një garë me Murinjon (71.91% suksese për portugezin). Të dy tejkalohen vetëm nga Pelegrini, i cili ka arritur 75% (36 fitore, por ka drejtuar Madridin në vetëm 48 ndeshje).

000

LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"