Analiza e ish-kapitenit Shameti: Kukësi ka zhgënjyer, por në Shkodër fiton… gjithnjë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 7, 2021 | 21:31

Analiza e ish-kapitenit Shameti: Kukësi ka zhgënjyer, por në Shkodër fiton… gjithnjë

Kukësi do të përballet me Vllazninë e vendit të parë ditën e hënë ku të dyja kampet do të kërkojnë tri pikët. Të dyja kanë pasur luhatje dhe nga kjo ndeshje do varet shumë fati i tyre. Është ish-kapiteni dhe lideri i Kukësit për disa vite me radhë Ylli Shameti ai i cili në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” flet për këtë përballje, por analizon dhe situatën e dyjave në raport me njëra tjetrën, por edhe me rivalët.

ylli shameti

Shameti nuk e mohon se në këtë sezon i ka bërë përshtypje që s’ka pasur një ekip me trajektore pozitive gjatë gjithë kampionatit. Ndërsa se fsheh që bën tifo për Kukësin thekson se nga kjo ndeshje do të varet shumë fati i dyjave. Ishkapiteni i ka shënuar 2 herë Vllaznisë, ndërsa këtë sezon te Kukësi mungojnë mbrojtësit golashënues e për këtë fakt ai shprehet se është çështje perceptimi që jo gjithkush e ka si armë shtesë.

Ylli, sa e keni ndjekur Superioren në këtë kohë që jeni dhe trajner grupmoshash?

Jam munduar të ndjek një pjesë të mirë të ndeshjeve për aq kohë sa më lejon puna.

Çfarë përshtypjeje ju ka bërë ky kampionat deri më tani dhe a mendoni se renditja është pasqyrë reale e asaj që kanë dhënë skuadrat?

Në këtë kampionat po shikojmë që s’ka një skuadër me një trajektore pozitive gjatë gjithë kohës, por çdo skuadër ka pasur oshilacione të mëdha javë pas jave. Kjo ka bërë që edhe projeksionet e bëra në fillim të kampionati të ndryshojnë pak.

Cila skuadër ju ka befasuar dhe cila ju ka zhgënjyer më tepër?

Sinqerisht, duke parë buxhetin dhe ardhjen nga Kategoria e Parë, Kastrioti më ka bërë përshtypje pozitive. Ka arritur me lojëra dhe shpirt gare të krijojë një distancë të konsiderueshme me dy vendet e fundit, por në të njëjtën kohë, ka ditur edhe t’u marrë pikë të mëdhave. Zhgënjim, pa dyshim të gjithëve, na ka bërë Kukësi edhe Tirana.

Vllaznia kishte një diferencë të madhe pikësh nga ndjekësi më i afërt, por tani Teuta, Laçi e Partizani ndahen vetëm me një dhe dy pikë. Cili ekip mendoni se e rrezikon më shumë ekipin shkodran për titullin?

Unë mendoj që Vllaznia nëse gabon këtë javë, e shikon veten jashtë luftës për titull, por të mendojë Europa Ligën. Kurse të tria skuadrat më lart do të rivalizojnë njëra-tjetrën deri në fund.

Të hënën, luhet Vllaznia-Kukësi. Çfarë ndeshjeje prisni?

Vllaznia vjen pas disa rezultateve negative dhe presioni është rritur në kampin shkodran kështu që duke pasur përballë një skuadër me po të njëjtat “simptoma” mendoj se do jetë një duel i fortë.

Cila mendoni se mund të fitojë dhe cilët lojtarë mund të bëjnë diferencën në këtë takim?

Unë jam tifoz i Kukësit pa diskutim në këtë takim dhe mendoj që me pak kujdes mund ta arrijë fitoren. Kukësi ka potencial nëse lojtarët do japin maksimumin dhe do jenë në vendet e tyre. Kukësi ka ditur gjithmonë të fitojë në Shkodër.

Në 2014-ën dhe 2018-ën, i shënonit Vllaznisë. Këtë sezon shikojmë që mbrojtësit te Kukësi nuk dalin fare, jo më të shënojnë. Ndërsa në kohën tuaj, ju bashkë me kolegët ishit në sulm në çdo korne. Ka ndryshuar strategjia apo s’janë mbrojtësit të aftë të shënojnë?

Po, Vllaznisë i kam shënuar në 2014-ën, po ashtu edhe në 2018-ën me Kukësin. Është çështje perceptimi edhe dalja në korne apo aftësia për të shënuar e qendrës. Jo të gjithë mund ta kenë apo arrijnë. Por, mendoj se përveç fazës defensive, mbrojtësit duhet të japin kontribut në fazën sulmuese.

Çfarë përshtypjeje ju la humbja e Kukësit me Laçin?

Sinqerisht, atë ndeshje e mendoja si kthesë apo oksigjen për ekipin e Kukësit, duke ditur edhe historikun e përballjeve me Laçin, por tregoi se ekipi i Laçit është pretendent në luftën për titull. Përpos gjithë gabimeve të arbitrave.

Në çfarë pozicioni i shikoni këto dy skuadra në fund të sezonit?

Me oshilacionet që e kanë ndjekur Kukësin gjatë gjithë kësaj periudhe, mendoj se maksimumi do jetë në zonën europiane dhe fitues i Kupës së Shqipërisë, ndërsa Laçi me pak kujdes do rivalizojë deri në fund Teutën dhe Partizanin për titullin kampion.

S. SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"