Analiza/ Apolonisë i kërkohet vazhdimësia kundër Bylisit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 8, 2024 | 15:59

Analiza/ Apolonisë i kërkohet vazhdimësia kundër Bylisit

Pak minuta para fillimit të seancës së djeshme stërvitore, në Fier është zhvilluar një analizë e hollësishme tekniko-taktike, ku trajneri i Apolonisë dhe stafi i tij e kanë vënë më së shumti theksin te loja kolektive e ekipit ndaj Luzit.

apolonia

Përtej gabimeve që kanë qenë të shumta në këtë ndeshje, pesha rëndon mbi ofensivën. Ndaj është kërkuar më shumë përqendrim, jo vetëm nga sulmuesit, por në tërësi nga i gjithë ekipi në fazën ofensive. Trajneri i Apolonisë, Artan Mërgjyshi, do vazhdimësinë me Bylisin dhe ka biseduar me ekipin për të vlerësuar në maksimum këtë ndeshje ndaj ballshiotëve. Me të përfunduar analiza teknikotaktike, Apolonia ka vijuar me programin stërvitor për ndeshjen e javës së 20-të ndaj Bylisit në Ballsh.

Fierakët dje kanë zhvilluar stërvitje me ngarkesë të plotë, për afro 90 minuta në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”, ku ana tekniko-taktike dhe shpjegimet e hollësishme, deri në detajet më të vogla, të lidhura drejtpërdrejt me pozicionimin e lojtarëve në fushë kanë zënë një vend të rëndësishëm. Pas pjesës së parë të seancës, trajneri Mërgjyshi mori me vete mbrojtësit, mesfushorët dhe sulmuesit më të dalluar, si Repaj, Hebeja, Asllanaj, Ndubuisi, Orelesi, Shanaj, Bejzade, Maksuti, Umejiego ku zhvilloi një stërvitje më të avashtë, që kishte të bënte me anën taktike.

Ai i udhëzoi lojtarët sesi duhet të pasonin apo vertikalizonin në situata të ndryshme loje. Për pjesën tjetër të skuadrës, mendoi drejtori Mariglen Kule, i cili bëri edhe ndarjen e lojtarëve të tjerë në dy grupe. U punuan ushtrime të ndryshme me dhe pa top, në një kuadrat të gjerë. Në fund, trajneri Mërgjyshi i vendosi lojtarët të zhvillonin një mini-ndeshje kontrolli në gjysmën e fushës. Mesfushori Stefano Omeri u stërvit dje i veçuar nga grupi.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"