“Aleksi me eksperiencë”, Tetova: Egnatia është gati, synojmë kalimin e turit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 7, 2023 | 16:02

“Aleksi me eksperiencë”, Tetova: Egnatia është gati, synojmë kalimin e turit

Edlir Tetova po bëhet gati të nisë vitin e tij të dytë në drejtimin e skuadrës së Egnatias.Tetova

Pas zhvillimit të fazës përgatitore në Bolu të Turqisë, ekipi është kthyer në Rrogozhinë, teksa në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri jep përshtypjet e tij për fazën në tokën turke, si dhe përgatitjet për ndeshjen e parë në Ligën e Konferencës ndaj armenëve të Araratit.

Egnatia kreu një minifazë përgatitore në Bolu të Turqisë. Çfarë u arrit nga ekipi?

Kemi kaluar një fazë të mirë në të gjitha aspektet për 14 ditë në Bolu të Turqisë. Arritja më e rëndësishme është se u përfituan dhe përballuan nga skuadra të gjitha ngarkesat stërvitore dhe kjo për fatin e mirë edhe pa pasur ndonjë dëmtim të lojtarëve.

Paralelisht prurjeve të reja patët zhvillime dhe nga merkatoja në dalje. Si i vlerësoni ato?

Kemi pasur tre lojtarë në dalje nga ekipi si Atanda, Agbekpornu dhe Emsis dhe kemi afruar për momentin vetëm dy lojtarë që janë Vusal Isgandarli dhe Albano Aleksi. Shpresoj se ata do të përshtaten shpejt. Aleksi, dihet, ka një eksperiencë të konsiderueshme në Superiore, ndërsa sulmuesi azerbajxhanas mendoj se do të kapë shpejt formën.

Luajtët tri miqësore të mbyllura me tri barazime. Sa ju kanë shërbyer këto teste?

Kemi kryer tri miqësore dhe jam i kënaqur nga paraqitja e bërë nga skuadra dhe angazhimi i shfaqur nga lojtarët. Thjesht unë kam një peng të vetëm që nuk arritëm të merrnim një fitore, sepse loja ka folur më shumë për ne në të tria këto teste.

Po afrojnë dy ndeshjet me Araratin e Armenisë në Konferencë Ligë. A është gati Egnatia dhe cili është objektivi për turin e parë?

Po afrojnë ndeshjet dhe them se ne jemi gati për sfidën e parë në Armeni. Shpresoj të bëjmë më të mirën e mundshme. Objektivi ynë fillestar është kalimi i turit të parë.

Si do të alternohet puna stërvitore në këto ditë të mbetura para dy sfidave me armenët?

Puna do të vijojë normalisht duke filluar nga sot e deri në datën 11 korrik kur do të nisemi drejt Armenisë për të luajtur e bërë të parin debutim zyrtar të Egnatias së Rrogozhinës në një kompeticion europian.

Larg syrit, por gjithnjë e më shumë në fokusin e interesimit të tyre. Keni një mesazh për futbolldashësit rrogozhinas në këto momente?

Është një periudhë ku normalisht ekipi është në lëvizje dhe kjo e bën të pamundur takimin tonë të përditshëm me tifozët. Por, për ta ne do të bëjmë maksimumin që t’i kënaqim dhe si gjithnjë të festojmë bashkë me ta çdo arritje që skuadra ka pasur e do të ketë në vazhdimësi.

FATMIR EFICA-PANORAMASPORT.AL