Alarmi i Fortuzit: Nuk prodhojmë më sulmues, më i miri shënon 16 gola

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2012 | 14:05

Alarmi i Fortuzit: Nuk prodhojmë më sulmues, më i miri shënon 16 gola

Merkatoja është në kulmin e saj. Shumë transferime janë kryer, madje edhe me shuma të çmendura. Tirana ka bërë afrime e saj, por boshllëqet janë të shumta. Duhet një sulmues, por përpos përpjekjeve, ende nuk ka gjetur të duhurin. Mirëpo tregu është zbehur ndjeshëm në këtë drejtim. Një gjë të tillë e konstaton edhe Indrit Fortuzi, një prej goleadorëve më me emër jo vetëm të Tiranës, por në të gjithë Shqipërinë. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ish-futbollisti, aktualisht edhe anëtar i bordit drejtues te kryeqytetasit, analizon ekipin e tij të zemrës, por jo vetëm. Ai komenton merkaton e bërë deri më tani, objektivat, por edhe rivalët kryesorë të 24 herë kampionëve. Titulli mbetet synimi kryesor, e ndaj klubi po mundohet që të bëjë goditjet e duhura për të ndërtuar një ekip model.
Indrit, jemi në kulmin e merkatos dhe Tirana ende nuk është kompletuar. Çfarë po ndodh në këtë drejtim?
Tirana deri më tani është në formë, po kalon një periudhë të mirë. Mirëpo ka ende punë për të bërë në disa drejtime. Nevojiten afrime të tjera në ato reparte që i duken të nevojshme trajnerit, për ta quajtur të mbyllur merkaton.
Cili është reparti më problematik i skuadrës?
Sulmi, pa diskutim.
Po bën Tirana diçka në këtë drejtim?
Ekziston një problem jo vetëm te Tirana, por në të gjithë kampionatin shqiptar, nuk po prodhojmë më sulmues dhe rrjedhimisht mungojnë alternativat. Janë gati dy vjet që nuk po dalin më goleadorë të mirëfilltë. Tregu është ngushtuar ndjeshëm dhe sulmuesi më i mirë nuk shënon më shumë se 15-16 gola. Janë shumë pak, e kjo është për të ardhur keq.
Meqenëse ju keni qenë vetë sulmues dhe i njihni specifikat e këtij reparti, cili mendoni se do të ishte lojtari ideal që do të kompensonte këtë mangësi te ekipi i Rubios?
Unë preferencat e mia ia kam bërë me dije jo vetëm klubit, por edhe trajnerit. Megjithatë, mendoj se në Shqipëri nuk ka sulmues që do të na bënin punë. Maksimumi janë dy, siç është rasti i Daniel Xhafajt, i cili prej disa vitesh ka mbetur i vetëm, e nuk ka rivalë. Nuk ke mundësi zgjedhjeje.
Doni të thoni që zgjidhja e vetme është që të hidhet vështirmi në tregun e huaj…
Sigurisht që po. Përderisa në Shqipëri nuk ka, duhet të shohim jashtë. Por ka një problem, lojtarët e huaj dhe ata që janë cilësorë nuk e mendojnë kampionatin tonë si një opsion. Kjo lidhet jo vetëm me kushtet, por edhe financat. Kemi disa alternativa, por ende nuk ka asgjë konkrete. Megjithatë, besoj se deri më 31 gusht, kur mbyllet edhe merkatoja, do afrojmë një sulmues që do t’i bëjë punë Tiranës në ofensivë.
Janë afruar 5 lojtarë, por ende nuk është bërë asnjë goditje e madhe…
Tirana po mundohet që të afrojë lojtarë punëtorë, që kanë dëshirë të luajnë. Këtë vit, ndryshe nga sezoni i fundit, kërkohet bollëk dhe alternativa në çdo repart. Mirëpo përgjithësisht skuadrat nuk kanë një lider. Edhe Tirana vuan në këtë drejtim, nuk kemi një lojtar që të marrë peshën e ekipit.
Mund ta quajmë të dështuar merkaton, duke qenë se edhe Muzaka që ishte dëshira e trajnerit nuk u arrit?
Absolutisht jo. Në ekip janë afruar ato elementë që ka kërkuar trajneri dhe përgjithësisht i janë plotësuar dëshirat. Muzaka ishte një emër që s’u realizua, dhe vetëm kaq.
Ju penalizoi fakti që Flamurtari nuk u kursye për të afruar mesfushorin?
Unë mendoj se edhe Flamurtari, pa cenuar cilësitë e Muzakës si lojtar, pasi është sigurisht i vlefshëm, me aq parà sa ka hedhur për ta blerë atë, mund të bënte 4-5 afrime të tjera. Në miqësoren që vlonjatët patën me Tiranën, kuptova që ata kanë ende mangësi dhe me ato para mund të kishin kompletuar ekipin, sidomos nga krahët e mbrojtjes, ku ishin realisht dobët.
Mos ndoshta këto shifra të çmendura po e prishin merkaton?
Shifrat janë të ekzagjeruara. Por nuk besoj se po e prishin merkaton, të paktën ne nuk merremi me llogaritë e rivalëve. Ne ofrojmë aq sa kemi, nëse pranojnë OK, në të kundërt janë të lirë të bëjnë zgjedhjet e tyre. Megjithatë mendoj se tregu ka rënë, ndoshta edhe largimi i presidentit Zeqo ka bërë që të ulen shifrat në merkato.
Bashkia ka lëvruar një fond prej 300 mijë eurosh në merkato, do të ketë blerje të bujshme?
Nuk e di shifrën ekzakte që ekziston në duart e administratorit, por me ato parà mendoj se do të ndërtohet një ekip model, që duhet të rikthehet te titulli kampion.
Kanë ardhur shumë lojtarë në provë, por kjo strategji deri më tani nuk ka rezultuar fort efikase…
Kështu ndodh në çdo ekip të botës, deri më tani nuk ka rezultuar efikase, pasi nuk e kanë bindur trajnerin. Mirëpo, mendoj se në fund do të dalë dikush që do të lë përshtypje pozitive te tekniku.
Të kalojmë pak te Evropa dhe te përvoja e hidhur e Tiranës. Si e komentoni humbjen 5-0 kundër Alesundit?
Ishte një humbje e ekzagjeruar dhe Tirana duhet të evitonte 5 golat. Dihet disniveli mes ekipeve shqiptare dhe atyre norvegjeze, por mendoj se duhet të ishin mposhtur më me dinjitet.
Çfarë ndikoi në këtë disfatë?
Mendoj se ndikoi fakti që shumë prej lojtarëve luanin për herë të parë në kompeticione të tilla. Kjo na penalizoi.
Janë hedhur akuza për trukim mbi Alesund-Tirana, a besoni se ka pasur manipulim rezultati?
Jo nuk e besoj dhe këtë e them me bindje. Unë isha vetë prezent në stadium dhe e pashë drejtpërdrejtë këtë ndeshje në Norvegji. Kundërshtari ishte superior dhe arriti të realizonte tre eurogola dhe është e pamundur që gola të tillë t’i programosh. Aq ishte takati i ekipit, asgjë më tepër. Nuk ka vend për dyshime.
Po afron Superkupa, Tirana vihet përballë Skënderbeut, si e parashikoni këtë duel?
Një ndeshje që do të dhurojë pa dyshim spektakël, pasi ndeshen dy ndër ekipe më të mira që i kanë dhënë tonusin futbollit shqiptar në dy sezonet e fundit. Tirana më duket më e favorizuar, por nuk mund të shkoj aq larg sa të parashikoj. Një vit më parë fituam ne në Korçë, shpresoj që korçarët të mos kenë fatin e Tiranës këtë sezon dhe t’ia dalin në “Qemal Stafa”.
Së fundmi, cilat skuadra llogarisni si rivale të Tiranës këtë vit për titull?
Janë po të njëjtat pak a shumë. Skënderbeu, Flamurtari, por edhe Kastrioti. Për Vllazninë kam pak informacion, di që ka qenë aktive në merkato, por jam paksa skeptik.

Katër çështje bardheblu, sot zbardhen dilemat
Tratativat kanë mbe tur pezull. Një hendek i madh është krijuar dhe Tirana në ditët e fundit nuk ka bërë asnjë lëvizje zyrtare. Mirëpo, burime të sigurta pranë klubit bëjnë me dije se nga sot do të marrin zgjidhje pikëpyetjet e mëdha. Lojtarët që janë në provë do të marrin një përgjigje, ata që kërkohen do të vendosin nëse do të vijnë apo jo. Por jo vetëm kaq, do të ndahet një herë e mirë mendja nëse do të ketë largime, jo vetëm për ata që janë pa kontratë, por edhe për transferime në formë huazimi. Po afron Superkupa dhe trajneri deri në mesjavë kërkon të krijojë një ide se kë do të ketë dhe kë jo në dispozicion.
Limani – Mesfushori kosovar sot do të marrë përgjigjen zyrtare, nëse do të jetë apo jo pjesë e Tiranës. Mensur Limani, pasi qëndroi në provë për tri ditë, pritet që të marrë verdiktin përfundimtar të trajnerit Rubio. Nëse përgjigja do të jetë pozitive, klubi do të nisë menjëherë tratativat financiare.
Kamberoviç – Mbrojtësi i djathtë, Radenko Kamberoviç, pritet që të mbërrijë sot në Shqipëri. Lojtari ka pranuar që të vijë dy ditë në provë te bardheblutë, por jo më shumë. Ndërsa klubi ende nuk ka marrë një datë zyrtare nga ana e futbollistit për ditën që ai do të zbresë në tokën shqiptare.
Afroto – Lojtari egjiptian, Mostafa Afroto, konsiderohet si një alternativë ideale për kompletimin e sulmit bardheblu. Klubi ka pasur disa biseda me lojtarin, mirëpo së fundi lajmet nuk kanë qenë fort pozitive. Ai ka pasur oferta më të mira, prandaj drejtuesit e Tiranës janë në pritje të telefonatës së tij.
Teqja – Me mbrojtësin e Bylisit është arritur akordi financiar prej disa ditësh dhe ngërçi i vetëm lidhet me lejen e kalimit. Lojtari pritet që sot të ulet dhe të bisedojë me klubit dhe të marrë kartonin. Sapo të mbyllet kjo procedurë, ai do të zbresë në fushë dhe do të jetë gati për të hedhur firmën mbi kontratë.

Pas pushimit, nis java anti-Skënderbe
Pas fundjavës pushim, Tirana sot do të zbresë sërish në fushë. Por këtë herë me një synim tjetër, të përgatitet për finalen e madhe të Superkupës. Të dielën, pra më 19 gusht, luhet Tirana-Skënderbeu. Stadiumi është përcaktuar tashmë, do të jetë “Qemal Stafa”, që do të presë këtë duel gjigantësh. E vetmja dilemë lidhet me orarin, ndonëse një gjë është e qartë, që ajo do të luhet me drita. Rubio këtë javë do mundohet që të përgatisë ekipin dhe të krijojë një ide më të qartë për 11-shen që do të hedhë në fushë. Pas Evropës, por edhe miqësores së luajtur me Flamurtarin, ai i ka qartësuar mendimet, ndonëse është e qartë që ekipi i tij nuk është kompletuar ende.

Lojtarët, në pritje të rrogave të prapambetura
Tre muaj pa rrogë dhe tashmë sytë janë spostuar totalisht nga klubi. Te Tirana futbollistët kanë tre muaj që nuk paguhen. Flasim këtu për shtatorin, tetorin dhe qershorin. Në fakt, muajin shtator vetëm një pjesë nuk e kanë marrë, pasi të tjerët janë likuiduar prej kohësh. Ndërsa, për dy muajt e tjerë janë që të gjithë të pashlyer. Duke qenë se vonesa ka kaluar çdo lloj limiti, klubi u ka premtuar lojtarëve që brenda javës së ardhshme do të mbyllin çdo gjë. Me fjalë të tjera, drejtuesit duan që të mos kenë hesape të hapura para finales së madhe të Superkupës. Kujtojmë që kryeqytetasit kanë vuajtur një periudhë prej financave, mirëpo ngërçi u zgjidh dhe kjo temë nuk ishte diskutuar prej kohësh. Skepticizmi edhe ekziston, mirëpo nga sa mësohet drejtuesit u kanë thënë që kjo vonesë ka ardhur për shkaqe procedurale. Në radhët e drejtuesve muaj më parë patën premtuar që në ekip nuk do të flitej më për krizë ekonomike, e nisur nga kjo lojtarët ndihen të qetë vetëm në një drejtim, që askush nuk do t’i mbajë asnjë qindarkë. Megjithatë, vetëm gjatë kësaj jave do të shpërndahen pagat dhe fatura është sigurisht e lartë, duke ditur që rrogat e lojtarëve janë realisht të mëdha.

Dyndje menaxherësh
Që me hapjen e merkatos, në dyert e klubit ka pasur dyndje menaxherësh. Këta të fundit nuk hezitojnë që të sponsorizojnë emra të ndryshëm lojtarësh, që sigurisht vijnë nga tregu i huaj. Mirëpo, nisur nga praktika e fundit, Rubio nuk i preferon fort ata, duke qenë se nuk i njeh. Koha është e pamjaftueshme për t’i studiuar, meqenëse kampionati është në prag.

Rinovimet dhe huazimet
Me afrimet situata ka qenë paksa e vakët dhe, nga krahu tjetër, ende nuk janë rinovuar të gjitha kontratat. Por përflitet që do të ketë edhe huazime, një situatë jo shumë bindëse kjo. Në një situatë të tillë, trajneri ka kërkuar që të mos ketë më largime, ose më saktë deri në momentin që të jenë bërë blerjet e nevojshme. Siç dihet, Pisha dhe Dabulla ende janë pa kontratë, dhe për të kaluar te Tushe, i cili mund të huazohet. Ndërsa prej ditësh përflitet edhe Muçollari, lojtar që erdhi vetëm në korrik. Mesfushori ka marrë një ofertë joshëse nga Kukësi, e cila e ka dyzuar për të ardhmen e tij. Nisur nga kjo panoramë, janë “bllokuar” firot.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"