Aksioneri i Teutës “hap” dhuratat e fundvitit: Gati një uruguaian në sulmin, ja premio që kemi dhënë për 1 pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2018 | 20:54

Aksioneri i Teutës “hap” dhuratat e fundvitit: Gati një uruguaian në sulmin, ja premio që kemi dhënë për 1 pikë

Teuta “ëndërron” titullin kampion. Edhe pse ende nuk e ka shpallur zyrtarisht kandidaturën, diferenca prej 4 pikësh nga Partizani i jep të drejtën që të tentojë edhe kreun. Vuajtjet e së shkuarës duket se janë hedhur pas krahëve dhe tashmë që është ndërtuar një skuadër me identitet tërësisht të ri, të gjithë besojnë se mund të shkojnë larg.

Revolucioni i verës preku jo vetëm stafin dhe organikën, por edhe drejtuesit. Tashmë, në krah të presidentit Edmond Hasanbelliu është edhe Ardian Bardhi. Sponsori i durrsakëve, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, u bën skanerin 17 javëve të ekipit, flet për objektivat dhe zbulon premiot e dhëna deri më tani.

teuta-470x313

Teuta fiton serish dhe tashmë është forca e dytë e kampionatit. Çfarë do thotë ky pozicion për ju?

Përballë Kastriotit erdhi vetëm fitorja e radhës. Asgjë më shumë. Ne kemi një plan të qartë këtë vit, duam që t’i marrim ndeshjet njëra pas tjetrës dhe vendi i dytë është produkt i punës së bërë hap pas hapi. Pozicion absolutisht i merituar. Megjithatë, me skuadrën që ka ardhur gjithmonë në rritje, edhe fokusi ynë vazhdon të jetë 90- minutëshi pasardhës.

A mund të themi tani se kjo skuadër do jetë pretendente për titull?

Unë preferoj të them se është më mirë të rrimë me këmbë në tokë. Më vonë do të shohim se çfarë do të ndodhë me vendin e parë. Megjithatë, ajo shprehja, “duke ngrënë vjen oreksi”, shkon për shtat me situatën tonë. Çdo ndeshje për ne është një finale dhe kështu do vazhdojmë deri në finish të këtij kampionati. Me kalimin e javëve, duke nisur nga kjo ndeshje që vjen, ne do shohim ku jemi dhe çfarë mund të arrijmë. Aktualisht jemi brenda objektivit, që është zona “Euro” dhe përderisa kemi arritur deri këtu, nuk mund ta mohojmë që do të luftojmë edhe për vendin e parë.

ardian bardhi

Kur ndërtuat këtë ekip, e prisnit të kishit këtë ecuri?

Në fillim të sezonit normalisht ishte çështje ambientimi, pasi thuajse i gjithë ekipi u rindërtua. Jemi me fat që kemi në skuadër lojtarë të mirë dhe me eksperiencën e duhur, të cilët kanë ndihmuar të rriten shumë dhe lojtarët e rinj, të talentuar dhe të gjithë karakterizohen nga dëshira për të fituar. Këtë projekt e kemi nisur prej dy vitesh, por ndoshta në vitin e parë nuk ishin njerëzit e duhur për të pasur sukses. Tani kemi gjetur elementet e duhur. Kemi një staf me ego dhe dëshirë për të fituar. Jemi një skuadër e re dhe jemi më rrugën e duhur. Jam shumë i bindur se projekti ynë sapo ka marrë jetë. Vjet unë thashë që barazimi është humbje për ne, por me sa duket nuk funksionoi (qesh), ndaj qëndrojmë me këmbë në tokë.

Për të pasur synime madhore kërkohet edhe një stol cilësor. Me merkaton që është në prag, cili është plani i Teutës?

Kemi një grup të mirë dhe me shumë cilësi, duke nisur nga porta e deri në sulm. Ashtu siç e thatë ju, tani pretendimet e rritura e bëjmë të domosdoshme edhe ndërhyrjen në merkato. E kemi menduar diçka të tillë. Ne prej kohësh po studiojmë afrimin e një sulmuesi dhe ky operacion me shumë mundësi do të finalizohet në janar.

Bëhet fjalë për sulmues në kampionatin shqiptar apo të huaj? Mund të na thoni diçka më shumë?

Jo, nuk është këtu në kampionatin tonë. Bëhet fjalë për një sulmues nga Uruguai. Është 25-vjeç dhe luan në kampionatin uruguaian. Është një lojtar potent dhe me shumë cilësi, ne kemi kohë që e ndjekim. Mos më pyesni për emrin, pasi është “top sekret” dhe mund të them që do jetë një përforcim i rëndësishëm dhe do jetë një “bonus” i madh për ne.

Cila është skuadra për t’u mundur në këtë kampionat?

Çdo skuadër është e fortë dhe çdo skuadër është për t’u mundur. Jemi në një kampionat me shumë pak diferenca. Ndeshja jonë me Kastriotin ishte e tillë, pavarësisht rezultatit, kundërshtari ishte i fortë. Prandaj, ne e marrim çdo ndeshje me radhë.

A do të ketë shpërblim për ekipin në këtë fundvit?

Ne i kemi qëndruar pranë skuadrës gjithmonë. Dua të zbuloj se një pikë e Teutës është shpërblyer me 1 milion lekë të vjetër, pra, një fitore përkthehet në tre milionë. Sigurisht që do ketë tjetër “bonos” për këtë fundvit. Jemi i vetmi klub që i kemi qëndruar pranë ekipit në çdo takim me premio dhe do vazhdojmë të qëndrojmë pranë skuadrës duke e mbështetur.

ANARILDO ALIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"