ZYRTARE/ Tjetër firo te klubi i Superiores, futbollisti 27-vjeçar largohet pas aventurës 2 vjeçare
Patrik Bardhi është i larguari i radhës nga Vora. Ka qenë vetë futbollisti 27-vjeçar, që nëpërmjet një postimi në “Instagram”, ka komunikuar ndërprerjen e bashkëpunimit me klubin e Superiores pas aventurës 2-vjeçare.

Në këtë edicion në elitë e futbollit shqiptar, Bardhi u aktivizua 34 ndeshje me fanellën vorake, ku shënoi 2 gola si dhe dhuroi 3 asiste.
STATUSI I PATRIK BARDHIT:
Pas 2 vitesh, sot mbyllet një kapitull shumë i rëndësishëm për mua. Ka qenë një rrugëtim i mbushur me emocione, sfida, dhe kujtime shumë të bukura, që më kanë ndihmuar të rritem jo vetëm si futbollist, por edhe si njeri.
Dua të falënderoj presidentin, drejtorin sportiv dhe gjithë stafin e FK Vores për besimin, mbështetjen dhe respektin që më kanë treguar gjatë gjithë kësaj kohe. Një falënderim i veçantë shkon edhe për bashkëlojtarët dhe tifozët, që e bënë këtë eksperiencë edhe më të bukur me çdo moment të ndarë së bashku.
Jam mirënjohës për gjithçka dhe i uroj klubit vetëm suksese në vazhdim.
PANORAMASPORT.AL













