ZYRTARE/ Një tjetër lojtar i jep lamtumirën Vllaznisë, mbrojtësi nuk rinovon me kuqeblutë
Vllaznia e sezonit të ardhshëm do të jetë krejtësisht ndryshe dhe jo vetëm për shkak të lëvizjeve të trajnerit dhe drejtorit sportiv. Nga kuqeblutë ka nisur një eksod i mirëfilltë me emrat e parë që janë regjistruar që ditën e sotme.

Pas Ersi Zaganjorit, një tjetër lojtar shumë premtues i ka dhënë lamtumirën klubit shkodran. “Panorama Sport” mëson se mbrojtësi Flori Spahija, i ka dhënë fund bashkëpunimit me Vllazninë dhe që tani mund të cilësohet lojtar i lirë.
Mbrojtësit të majtë i mbaronte kontrata me klubin kuqeblu, që i kishte kërkuar rinovimin e marrëveshjes. Por lojtari ka vendosur të largohet, në kërkim të një skuadre ku të mund të aktivizohej më rregullisht, pasi në Shkodër nuk iu dha kjo mundësi.

Tani mbetet të mësohet se cili do të jetë destinacioni i ri i mbrojtësit 22-vjeçar, i cili ka kontakte me disa klube të ndryshme në Superiore. Ndërkohë, pritet që largimet nga Vllaznia të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme, pasi ka shumë lojtarë që kanë kërkuar ndërprerjen e bashkëpunimit me kuqeblutë dhe nuk do të jenë pjesë e saj në sezonin e ardhshëm.
PANORAMASPORT.AL













