Vora triumfon me “poker” në miqësoren e fundit ndaj skuadrës kosovare, sulmi në formë
Vora dje pasdite zhvilloi dhe ndeshjen e fundit miqësore në shtetin maqedonas. Këtë herë kundër skuadrës kosovare nga Prishtina, FC 2 Korriku. Takimi u zhvillua në stadiumin e Strugës në ora 16:00, ku të dyja skuadrat dhuruar lojë të mirë.

Janë vorakët që shënojnë dy herë në portën e portierit Arnis Ajeti. Fillimisht në të 22-tën është futbollisti Bernard Karrica që ndëshkon me supergolin e tij pas një gjuajtje nga 25 metra. Dhe më pas Luis Felipe dyfishon në të 31-tën teksa ka goditur fort brenda zonës. Por skuadra nga Prishtina arrin të barazojë shifrat në vetëm dy minuta. Në të 38-tën, harkim i mrekullueshëm i Miftarit për Shalën që shënon nga afërsia.
Një minutë më pas, është mesfushori Jetullahu që sjell golin e barazimit në 2- 2. Kështu 45 minutat e para mbyllen në barazim 2-2. Në fraksionin e dytë skuadra e Bellajt tregohet më cinike, duke qenë se lojtarët kanë arritur formë më të mirë fizike dhe shënojnë dhe dy gola të tjerë. Fillimisht me anë të Irgi Kasallës në minutën e 64-t me kokë pas krosimit të Hasajt. Dhe në të 76-tën Felipe vulos shifrat 4-2 për Vorën me një gjuajtje në hyrje të zonës. Siç dihet Vora ka dy javë, që po stërvitet në një fazë përgatitore në qytetin e Ohrit dhe kjo për të ishte dhe miqësorja e fundit.

A. DUSHKU- PANORAMASPORT.AL













