Vora hap stadiumin dhe kërkon festë, Dalipi: Rikthehemi te fitorja ndaj Bylisit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 22, 2025 | 17:21

Vora hap stadiumin dhe kërkon festë, Dalipi: Rikthehemi te fitorja ndaj Bylisit

Vora ka qenë e pafat në përballjen kundër Dinamos, por edhe gabimet nuk u falën. Nga një Vorë agresive, që shënoi dy herë në portën dinamovite, ajo e mbylli 45 minutëshin e parë në epërsi 1-0. Goli i Fazllagicës u anulua, ndërsa mbeti në fuqi goli i shënuar nga Patrik Bardhi me 11-metërsh.

vora

Por në pjesën e dytë, Vora nuk mundi ta ruajë fitoren, pasi pamë një skuadër krejtësisht të ndryshuar, me presion sulmues të ulur dhe një kthim në mbrojtje që rezultoi fatal. Gjithsesi, te Vora nuk ka kohë për t’u humbur, sepse shumë shpejt vjen ndeshja kundër ballshiotëve, të cilët vijnë plot entuziazëm në këtë përballje, pas fitores së bukur që morën ndaj kryesuesve elbasanas një ditë më pas.

RIKTHIMI NË SHTËPI – Për Vorën do të jetë historike përballja me Bylisin, pasi për herë të parë në Superiore do të luajë një ndeshje në shtëpi. Për 17 javë, vorakët u detyruan të endetnin nëpër fusha të ndryshme, duke zhvilluar ndeshjet jashtë fushës së tyre, çka ka ndikuar negativisht, duke e bërë skuadrën vorake të rrezikuar në zonën e ftohtë që të nxjerr nga kategoria. Megjithatë, optimizmi është i madh, pasi mendohet se vitin e ardhshëm do ta nisin me 10 ndeshje në shtëpi. Kështu pra, ndeshja kundër Bylisit do të jetë historike edhe për faktin se do të shoqërohet me një ceremoni të shkurtër për inaugurimin e punimeve të stadiumit në këtë fazë. Stadiumi do t’i nënshtrohet sërish punimeve të fazës së fundit gjatë verës së ardhshme, ku pritet të ndërrohet tapeti me bar natyral.

PËRGATITJET ANTI BYLIS – Për këtë ndeshje, Vora do të ketë në dispozicion vetëm dy seanca stërvitore, pasi të mërkurën zhvillohet përballja me ballshiotët dhe do të jetë edhe ndeshja e fundit e vitit. Vorakët po e përgatisin me kujdes këtë takim për të kënaqur tifozërinë e tyre, e cila ka qenë e pranishme edhe në ndeshjet e mëparshme jashtë fushe, por këtë herë pritet të jenë edhe më të shumtë, pasi skuadra është në pragun e shtëpisë së saj. Objektivi është një rezultat pozitiv, jo zhgënjyes për tifozët, si dhe mbyllja e fazës së dytë dhe e vitit 2025 me fitore.

KEVIN DALIPI – Futbollisti që ka luajtur në 15 ndeshje gjatë këtij sezoni me Vorën ndjen keqardhje për humbjen ndaj Dinamos, ku fitorja u rrëshqiti nga duart, duke i dhënë mundësinë Dinamos ta fitonte takimin me përmbysje në “Arenën Kombëtare” të shtunën e kaluar. Megjithatë, ai beson se në përballjen ndaj ballshiotëve ekipi do të rikthehet te fitorja dhe është optimist se nuk do ta zhgënjejnë tifozërinë në ndeshjen e parë që do të luhet në stadiumin “Vora”. Ai është shprehur për “Panorama Sport” “Në radhë të parë dua të shpreh keqardhje për atë humbje ndaj Dinamos, ku fitorja na rrëshqiti nga duart dhe nuk arritëm të merrnim as të paktën një pikë. Gjithsesi, tashmë e kemi lënë mënjanë, sepse koha në dispozicion për ndeshjen tjetër nuk të le të diskutosh më thellë. Gabimet e vërejtura në këtë sfidë duhen korrigjuar shpejt”, u shpreh fillimisht 24-vjeçari me pasaportë britanike.

RIKTHIMI – Më tej, ai foli edhe për ndeshjen e parë që Vora do të luajë në stadiumin e saj, para tifozërisë vorake: “Jemi të lumtur që do të luajmë për herë të parë në një stadium kaq komod dhe të bukur, falë investimeve të bëra në rikonstruksionin e tij.”

BYLISI – Në fund, ai u ndal edhe te përballja kundër ballshiotëve, ku detyrim mbetet kryerja sa më mirë e detyrave të shtëpisë për t’u rikthyer te fitoret: “Kundër Bylisit do të kemi përqendrim maksimal për dy arsye. Së pari, luajmë ndeshjen e parë në shtëpi dhe ajo duhet fituar për të shpërblyer tifozërinë tonë, por së dyti, dhe më e rëndësishmja, kjo fitore do të ndikojë shumë në ecurinë tonë, pasi përballemi me një rival direkt në luftën për mbijetesë”, përfundoi Dalipi.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL