Vllaznia, në ajër! Tre të huaj cilësohen të larguar, 8 lojtarëve të tjerë u përfundon kontrata

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2025 | 22:52

Vllaznia, në ajër! Tre të huaj cilësohen të larguar, 8 lojtarëve të tjerë u përfundon kontrata

Puna për edicionin e ri ka nisur menjëherë te Vllaznia, ku fillimisht duhet të sigurohen marrëveshjet e rinovimit me futbollistët që janë aktualisht pjesë e shkodranëve.

vllaznia

Kështu janë 11 futbollistë te shkodranët, të cilëve iu skadon kontrata në fund të muajit maj. Duke nisur nga emra si: Stojanoviç, Juriç, Kahrimanoviç dhe Mensah, të gjithë këta futbollistë që mund të konsiderohen të larguar tashmë. Edhe emra titullarësh si Krymi, Deliu, Bajrami dhe Mala përfundojnë kontratat e tyre me skuadrën shkodrane. Dhe nga ajo çfarë mësohet, drejtuesit e Vllaznisë kanë si synim të rinovojnë marrëveshjet me lojtarët e sipër përmendur, të cilët edhe kanë mbajtur një peshë të rëndësishme në edicionin 2024-‘25 në skuadër.

Për t’u vlerësuar do të jetë situata e emrave si Çoba, Beci dhe Spahija. Të tre lojtarëve shkodranë iu skadon kontrata, por vullneti duket pozitiv nga ana e të dy palëve për vijimin e bashkëpunimit. Vllaznia, ende pa u mbyllur muaji maj, është një “kantier ndërtimi”. Pasi me 11 futbollistë të cilëve iu përfundon kontrata dhe me emrat e rinj që duan të afrojnë kuqeblutë, duket se në muajt e ardhshëm do të kemi ndryshime të mëdha në radhët e 9 herë kampionëve të vendit.

PANORAMASPORT.AL