“Vllaznia na dominoi edhe me 10 lojtarë”, Trashi konfirmon largimin e Morieros: Problemin më të madh e kemi në mesfushë, ju tregoj çfarë ka ndryshuar me trajnerët e rinj…
Kapiteni i Flamurtarit, Lorenc Trashi, ishte nga lojtarët më të spikatur në triumfin 1 me 0 që kuqezinjtë arritën në shtëpi ndaj Vllaznisë. Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes për emisionin “Super Gol”, Trashi foli pa “doreza” duke deklaruar:

“Pas golit ndryshuam sistem, e filluam me 4 dhe kaluam me 5. Unë kalova në treshen mbrojtëse. Donim të mbronim rezultatin se në shumë ndeshje kemi pësuar në fund. Donim që kjo ndeshje mos na ikte nga dora, e dinim rëndësinë e trepikëshin. Ishalla nuk kam dëmtim serioz, nesër do të bëj kontrolle, për momentin jam mirë.
Jam munduar që nga fillimi të bëj liderin, duke parë që bien mbi mua përgjegjësitë, nga eksperienca që kam. Vllaznia me 10 lojtarë na dominoi, të tregohem i sinqertë. Ky është problem i joni, problemin më të madh e kemi në mesfushë qendër, kemi 3 lojtarë difensivë. E përgjithshmja shkoi mirë. Rezultati i Bylisit me Vorën na vinte në presion, në këtë ndeshje nuk duhet të gabonim dhe të merrnin 3 pikët, Zoti na ndihmoi dhe ia dolëm.
Puna e trajnerit kështu është, nuk mund të them që bëri keq, ai bëri mirë me aq sa u mundua, ekipi nuk iu përgjigj me mënyrën që i ka dashur. Ekipi është mirë me dy djemtë e Vlorës, se edhe Andi vlonjat po bëhet. Ne i kemi si shokë, kjo ndikon edhe te grupi, marrëdhënia e mirë që kemi.
E shikoj edhe te stërvitja që çunat janë më të lumtur, Moriero kishte mënyrë tjetër stërvitore, ka pasur lojtarë dhe jo të kënaqur. Jashtë fushës shkojmë mirë edhe me Liçajn dhe me Ribajn. Ndryshim i madh ka filluar nga stërvitja. Mundohemi shumë t’i ndihmojmë edhe ata, ata na marrin mendime. Kjo është pozitive, i uroj vetëm suksese atyre, ishalla plotësojmë objektivat.
Për Morieron mund të them që është i larguar përfundimisht nga Flamurtari”, u shpreh Trashi.
PANORAMASPORT.AL













