Vllaznia, me mbrojtje të çeliktë në 2026-ën. Boshnjaku i ka dhënë qetësi ekipit shkodran
Mbrojtja e Vllaznisë po shndërrohet në një nga pikat më të forta të skuadrës në këtë fillim të vitit 2026, duke dhënë sinjale shumë pozitive si në kampionat ashtu edhe në Kupë. Kuqeblutë kanë zhvilluar tre ndeshje zyrtare dhe në asnjërën prej tyre nuk kanë pësuar gol, një tregues i qartë i rritjes së ndjeshme në fazën mbrojtëse.

Nëse kjo ecuri krahasohet me pjesën e parë të edicionit, ndryshimi është i dukshëm. Vllaznia ka bërë një lloj autokritike në fushë, duke korrigjuar gabimet që i kushtuan pikë dhe rezultate më parë. Organizimi, përqendrimi dhe disiplina taktike janë elementë që tashmë duken më të konsoliduar në prapavijë. Shifrat flasin vetë: 270 minuta pa pësuar gol për ekipin shkodran. Një seri që nuk është rastësi, por rezultat i një pune të mirëfilltë, ku çdo repart ka dhënë kontributin e tij, duke nisur nga porta e deri te mesfusha mbrojtëse. Portieri Pohls ka qenë një nga protagonistët kryesorë të kësaj periudhe pozitive. Me pritje vendimtare dhe siguri në dalje, ai ka transmetuar qetësi te bashkëlojtarët.
Para tij, mbrojtja e përbërë nga Gurishta, Çelikoviç dhe Gjini ka funksionuar në mënyrë të shkëlqyer, duke mbyllur hapësirat dhe duke fituar duele vendimtare. Kjo forcë mbrojtëse është vërtetuar edhe përballë rivalëve direktë. Fitorja minimale 1-0 ndaj Egnatias tregoi pjekuri dhe durim, ndërsa suksesi 0-2 në transfertë kundër Dinamos konfirmoi se Vllaznia di të mbrojë rezultatin dhe të godasë në momentin e duhur. Jo vetëm mbrojtja, por e gjithë skuadra po tregohet më e balancuar dhe e ndërgjegjshme në lojë.
Linjat janë më të afërta dhe presioni kolektiv ka ndihmuar që kundërshtarët të kenë më pak hapësira për të rrezikuar. Nëse kjo vazhdimësi ruhet edhe në ndeshjet e ardhshme, Vllaznia mund të ndërtojë ambicie të mëdha mbi një bazë solide. Sepse, siç dihet mirë në futboll, trofetë dhe objektivat e rëndësishëm nisin gjithmonë nga një mbrojtje e fortë.
“BLERJA” – Jasmin Çelikoviç po shndërrohet gradualisht në një nga figurat më të rëndësishme të Vllaznisë në këtë fillim viti 2026. Mbrojtësi boshnjak, i cili në pjesën e parë të edicionit ka pasur një rol më periferik, tashmë është konsoliduar si titullar i padiskutueshëm në repartin defensiv të kuqebluve, duke fituar besimin e stafit teknik me paraqitje të qëndrueshme dhe të sigurta. Shtatlarti ka konfirmuar formën e tij të mirë edhe në përballjen kundër Dinamos, ku ashtu si në ndeshjen ndaj Egnatias, zhvilloi një performancë mjaft pozitive. Çelikoviç u shfaq i vëmendshëm në çdo duel, i saktë në ndërhyrje dhe i fortë në lojën ajrore, duke i dhënë siguri të gjithë prapavijës së Vllaznisë në momentet kyçe të takimit. Statistikat flasin qartë për ndikimin e mbrojtësit boshnjak.
Kuqeblutë kanë mbyllur tre ndeshjet e para të vitit 2026 pa pësuar asnjë gol, duke regjistruar plot 270 minuta me portën e paprekur. Një ecuri e tillë është tregues i një organizimi të shkëlqyer difensiv, ku roli i Çelikoviç ka qenë vendimtar. Përvoja, qetësia dhe leximi i mirë i lojës janë disa nga elementët që e veçojnë mbrojtësin në këtë fazë të sezonit. Ai po arrin të krijojë një harmoni të mirë me partnerët e repartit, duke u shndërruar në një pikë referimi për mbrojtjen e Vllaznisë dhe duke minimizuar rreziqet përpara portës.
Me paraqitjet e fundit, Jasmin Çelikoviç po dëshmon se mund të jetë një aset i rëndësishëm për kuqeblutë në gjysmën e dytë të sezonit. Nëse vijon me këtë ritëm, mbrojtësi boshnjak pritet të luajë një rol kyç në objektivat e Vllaznisë, duke konfirmuar se besimi i dhënë ndaj tij ka qenë plotësisht i merituar.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













