Vllaznia–Egnatia hap siparin, një “déjà-vu” e finales së titullit të sezonit të kaluar! Cili do të jetë fituesi i edicionit të 87-të i Superiores?
Futbolli le të nisë. Gjithçka gati për të zbuluar garën që do të vendosë kampionet e 87-të të Shqipërisë. Sot, në orën 20:00, stadiumi “Loro Boriçi” i Shkodrës do të jetë skena e hapjes së edicionit të 87-të të Kategorisë Superiore, kampionatit më të rëndësishëm të futbollit shqiptar.

Kalendari ka rezervuar një nisje spektakolare. Përballja mes Vllaznisë dhe Egnatias, një “déjà-vu” e finales së titullit të sezonit të kaluar, ku rrogozhinasit triumfuan bindshëm 4-0. Kjo nuk është vetëm një ndeshje hapëse, por një provë force për dy skuadrat që pritet të jenë sërish ndër protagonistet kryesore të kampionatit. Atmosfera është e zjarrtë në Shkodër, ku tifozët presin një Vllazni ndryshe këtë sezon, ndërsa Egnatia shfaqet më e vendosur se kurrë për të mbrojtur fronin.
Egnatia, në kërkim të “tripletës” – Dy tituj kampion radhazi e kanë vendosur Egnatian në një tjetër nivel. Nga një skuadër e re në Superiore, ekipi i Rrogozhinës është kthyer në një makineri fituese, duke treguar stabilitet dhe organizim. Objektivi i qartë i këtij sezoni është titulli i tretë radhazi, një mision që do ta fuste klubin në historinë e futbollit shqiptar. Rrogozhinasit kanë ruajtur boshtin e skuadrës, ndërkohë që në merkato kanë bërë ndërhyrje të kujdesshme për të forcuar repartet, ndonëse kanë pasur edhe largime të rëndësishme. Eksperienca e fituar në duelet europiane është një plus i madh për skuadrën, që tashmë shihet si ekipi për t’u mundur.
Vllaznia, projekti i ri me Edi Martinin – Pas një sezoni me zhgënjime, Vllaznia ka nisur një projekt të ri nën drejtimin e trajnerit Edi Martini. Kuqeblutë kanë lëvizur me vendosmëri në merkato për të sjellë lojtarë cilësorë dhe për të rikthyer skuadrën për titullin kampion. Tradita, tifozët e shumtë dhe dëshira për të rikthyer lavdinë e humbur e bëjnë Vllazninë një nga skuadrat më të rrezikshme këtë sezon. Shkodra ka kohë që pret një tjetër trofe kampioni dhe ndeshja hapëse kundër kampionëve në fuqi është testi i parë i madh.
Dinamo, pretendentja më serioze – Një nga skuadrat që shihet si rivali kryesor i Egnatias është Dinamo. Me një projekt ambicioz dhe në pankinë Ilir Dajën, një nga trajnerët më të suksesshëm në futbollin shqiptar, blutë e kryeqytetit e kanë shpallur qartë synimin, titulli kampion. Dinamo ka një grup lojtarësh me eksperiencë dhe cilësi, të kombinuar me elementë të rinj premtues. Struktura e klubit dhe investimet e bëra e bëjnë skuadrën një konkurrent serioz, që do të kërkojë të thyejë dominimin e Egnatias.
Partizani dhe objektivi i madh, titulli i 18-të – Partizani ka nisur një cikël të ri këtë sezon, duke emëruar në krye të pankinës trajnerin malazez Mlladen Milinkoviç, një njohës shumë i mirë i Kategorisë Superiore. Tekniku 56-vjeçar, i cili ka drejtuar më parë ekipe si Laçi dhe Vllaznia, njihet për disiplinën dhe aftësinë për të ndërtuar skuadra konkurruese brenda pak kohe. Klubi i kuq synon të kthejë menjëherë në rrugën e trofeve dhe ka si objektiv madhor fitimin e titullit të 18-të kampion në historinë e tij. Për këtë arsye, drejtuesit kanë qenë aktivë në merkato, duke afruar lojtarë që pritet të rrisin cilësinë e skuadrës. Ndërkohë, disa elementë nga grupi i vjetër janë larguar, por bërthama e ekipit është ruajtur. Milinkoviç e njeh mirë realitetin e futbollit shqiptar, gjë që shihet si një avantazh i madh për “Demat e Kuq”. Me mbështetjen e një tifozërie të zjarrtë dhe një emër që gjithmonë ngjall respekt në futbollin shqiptar, Partizani futet në garë si një nga pretendentët kryesorë për fronin. Nëse bashkimi mes trajnerit dhe skuadrës funksionon që në javët e para, Partizani mund të jetë një nga surprizat më të mëdha të këtij sezoni, duke kërcënuar seriozisht dominimin e Egnatias dhe ambiciet e Dinamos e Vllaznisë.
Tirana, misioni “ringritje” – Tirana, klubi me më shumë tituj në Shqipëri, e mbylli sezonin e kaluar në vendin e tetë, një dështim historik për bardheblutë. Këtë vit, drejtuesit kanë ndërhyrë fuqishëm në merkato për të rikthyer lavdinë e humbur. Me një skuadër të re, më të ekuilibruar, Tirana shpreson të rikthehet në garën për kreun. Megjithatë, presioni është i madh dhe çdo hap fals do të rëndojë mbi shpinën e bardhebluve, që nuk e kanë luksin e një sezoni tjetër zhgënjyes.
Bylisi, eksperienca e Josës – Skuadra e Bylisit i ka besuar pankinën trajnerit të njohur Mirel Josa, një emër me peshë në futbollin shqiptar. Projekti i ballshiotëve është i bazuar tek eksperienca dhe organizimi, me synimin për të qenë të qëndrueshëm në elitë dhe për të synuar zonat e sipërme të renditjes.
Elbasani, kontinuiteti i Gvozdenoviçit – Pas një rikthimi dinjitoz sezonin e kaluar, Elbasani ka zgjedhur rrugën e stabilitetit. Trajneri Gvozdenoviç ka mbajtur grupin kryesor, duke ruajtur një ekip kompakt. Synimi është një sezon i qetë dhe për të ndërtuar gradualisht një skuadër konkurruese për vitet në vijim.
Teuta, fillim nga e para – Teuta është një tjetër skuadër që ka nisur një cikël të ri. Me Enkelejd Dobin në stol, durrsakët kanë ribërë skuadrën pothuajse nga e para. Sfida e tyre është e qartë. Të rikthehen mes skuadrave pretendente, pas disa sezoneve ku luhatjet kanë qenë evidente.
Flamurtari, rikthimi i madh pas 5 sezonesh – Superiorja mirëpret një rikthim të madh. Flamurtarin e Vlorës, një nga klubet me traditë më të pasur në Shqipëri. Pas pesë sezonesh mungesë, kuqezinjtë janë rikthyer me një projekt të ri. Drejtimin e skuadrës e ka marrë një trajner spanjoll, ndërsa grupi është i mbushur me lojtarë të rinj. Rikthimi i Flamurtarit është lajm i madh për gjithë futbollin shqiptar, pasi rikthen pasionin e tifozërisë vlonjate. Vora, debutimi historik – Për herë të parë në historinë e saj, Vora luan në Kategorinë Superiore. Një skuadër modeste, por me ambicie dhe me dëshirën për të lënë gjurmë në elitë. Për klubin, vetëm pjesëmarrja është historike, por sfida e vërtetë është mbijetesa.
PANORAMASPORT.AL













