Vlerësimi i medias franceze: Mavraj e Lenjani, më të mirët
Mediat franceze kanë vendosur edhe notat për futbollistët e të dyja skuadrave, Francës dhe Shqipërisë, referuar miqësores së 14 nentorit në Rennes, e cila u mbyll me barazimin 1-1. Ja vlerësimet e “footmercato.net” për lojtarët kuqezinj:
Berisha (5.5): E vetmja njollë e zezë e tij në këtë ndeshje është mosmarrëveshja me Canën në një moment, e cila mund t’i kushtonte shtrenjtë nëse sulmuesit francezë do të kishin qenë më vigjilentë. I pafajshëm në golin e Antoine Griezmann, ku portieri shqiptar vetëm mundi ta prekë topin. Përveç kësaj, loja e tij është e sigurt dhe shumë e pastër.
Hysaj (6.5): Një ndeshje e mirë për të, sidomos në fillim të saj. Veprim i çuditshëm prej mbrojtësi, por fenomenal, në momentin e pasimit vendimtar për Mavrajn, që shënoi golin e parë të miqësores në minutën e 41-të. Ai nuk hezitoi asnjë moment të vinte e t’i “shtrydhte” mbrojtësit e bluve, por as ta “guduliste” portierin Hugo Loris pas një sulmi rrufe në minutën e 67-të.
Cana (6.5): Shiptaro-francezi i bëri me djersë të ftohta miqtë e tij francezë në fillim të lojës, me një tronditje të traut të portës së Loris (minuta e parë). Kjo mundësi duket se vendosi tonin e synimeve të shqiptarëve në Rennes. Ai e kreu mirë rolin e udhëheqësit, duke mos lejuar sulmues të kalibrit të Benzemasë të dilnin në pah në këtë ndeshje. Vendimtar edhe në bllokimin e Jallet (31’). Ai nuk e ka humbur agresivitetin e tij në lojë, edhe pse dështoi të neutralizonte Griezmann kur barazoi shifrat. Një shef i vërtetë te shqiptarët.
Mavraj (7): Një mundësi e humbur pas një goditjeje dënimi në minutën e 16-të, kur e kaloi topin mbi traun e portës së Loris. Pastaj ka kohë për të bërë më së miri punën e tij në mbrojtje. Në minutën e 41-të jep leksione edhe për sulmuesit, teksa kurorëzon një skemë perfekte me kokë. Ndeshje shumë e madhe për të, me të gjitha gjërat e mira, gjithmonë duke mos i lejuar sulmet franceze të konludonin dhe krejtësisht komplementar me Lorik Canën në qendër të mbrojtjes shqiptare.
Agolli (6.5): Kalon në mes të linjave dhe puna e bërë prej tij ishte më shumë se interesante. Ai nuk ka harruar detyrat mbrojtëse me një kthim vendimtar për të frenuar Valbuenën (28’), por ia doli me sukses edhe në përballjet që pati me Digne dhe Sissoko. Ai “hapi zjarr” në fund të 15 minutave ta para të pjesës së parë të e mbajti ritmin në pjesën e dytë.
Abrashi (5): Qendra e “bllokadës” shqiptare ka vepruar në të njëjtën zonë si Pol Pogba. Dhe së paku mund të themi se kjo miqësore nuk ishte e keqe për të, por në fund u dominua nga ylli i Juventusit, që filloi të bredhë. Paraqitja e tij, megjithatë, është shumë inkurajuese. Zëvendësohet nga Ajeti (68’).
Kukeli (5): Termat “hije-punë” mund të mbajnë emrin e tij. Ishte i qartë në ndërtimin e aksioneve për ekipin e tij, por puna mbrojtëse ishte deri diku deficitare. Asgjë të veçantë për të shtuar më shumë për punën e tij. Bulku e zëvendësoi në 90’.
Lila (6.5): I “këput zinxhirët” dhe përparon shpesh në anën e djathtë, duke marrë shumë herë këndore në fillim të lojës, duke përfshirë edhe atë që për pak rezultoi gol nga Cana (tronditi traun e Loris). Ai luftoi fort dhe nuk kishte frikë nga asgjë. Zëvendësohet nga Vila (85’).
Memushaj (6): Një fillim mbresëlënës i lojës, ku instinktet e tij teknike e dallonin nga pjesa tjetër e skuadrës. Fatkeqësisht për të, ai u “shua” kur francezët e morën topin në këmbët e tyre, kryesisht në pjesën e dytë. Ndoshta ndikoi edhe lodhja fizike te lojtari shqiptar.
Cikalleshi (5): Me përjashtim të një faulli që shkaktoi ndaj YANGA Mbiëa, pjesa e parë ishte mjaft e shurdhër për të. Ai luante i vetëm në sulm për shqiptarët, por puna e vetme e tij ishte që të pengonte daljen përpara të mbrojtjes franceze. Dhe ia doli që t’i mbajë tre lojtarë kundërshtarë mbas vetes. Pjesa e dytë ishte dicka më e suksesshme, pavarësisht se situatat e rrezikshme nuk kaluan nga këmbët e tij. Zëvendësohet nga Balaj (90’)
Lenjani (7): Ishte rreziku kryesor për Varane dhe YANGA Mbiëa. Nje lojtar që kishte shënuar kundër Danimarkës dhe shqetësimet që sjell për këdo janë konfirmuar edhe në Rennes. Një lojë shumë e bukur e tij. Ua bëri të vështirë jetën Jallet dhe Cabaye, ngacmoi edhe Pogba në linjën e mesme, ndërsa iu afrua golit, duke vënë në provë aftësitë e Hugo Loris dy herë. Zëvendësohet nga Shala (75’).













