VIDEO/ Vendosja dhe golat e Partizanit ndaj Rabotniçit, mësoni si luajtën “demat” në Strugë
Partizani ka kaluar me sukses testin e parë miqësor në kuadër të sezonit të ri. Skuadra e kuqe fitoi dje 3 me 0 përballë Rabotnickit në Strugë. Ishte një ndeshje që filloi në orën 17:30 dhe u dominua tërësisht nga të besuarit e Skënder Gegës. Partizani po ashtu mund ta kishte fituar me rezultat më të thellë takimin ndaj Rabotnickit. Keko, Skuka dhe Garsia shënuan emrin e tyre si golashënues.

Kështu, “Demat” kanë nisur me këmbë të mbarë ndeshjet, që në fokus kanë sfidat e ardhshme të Europës. Në total u aktivizuan 22 lojtarë. Partizani nuk kishte në fokus rezultatin, që megjithatë u buzëqeshi. Ndeshja e parë miqësore në Maqedoninë e Veriut pati vlerë për të vëzhguar gjendjen e lojtarëve. “Panorama Sport” ju sjell futbollistët që u aktivizuan në dy pjesët e ndeshjes, risitë e këtij takimi dhe çfarë ra në sy te “demat”.
NDESHJA- Tre gola, por mund të ishin më shumë po të merret parasysh se Partizani humbi disa raste të pastra. “Demat” mund të thellonin rezultatin, në rast se Skuka, Keko dhe Isgandarli do të shfrytëzonin mundësitë flagrante që u krijuan për ta. Nëse Keko dhe Skuka patën emrin e tyre te golashënuesit, Isgandarli duhet të presë.
ADNARD MEHMETI-
Gega e provoi Mehmetin në qendrën e mbrojtjes. Duket se trajneri ka besim që 24- vjeçari mund ta bëjë mjaft mirë si rol, sigurisht nëse përmirëson disa elementë. Mehmeti nuk e ka për herë të parë rolin në qendrën e mbrojtjes. Në sezonin 2023- ‘24 e provonte të njëjtën gjë gjatë dy ndeshjeve, por duke u kthyer më pas sërish si mesfushor.
MUNGESAT- Partizani i sezonit të ri është duke marrë formë, edhe pse akoma ka vend për përforcime. Dje skuadrës i mungonin katër lojtarë, që janë aktualisht të dëmtuar. Bëhet fjalë për Bytyçin, Shalën, Ismailin dhe Janjevën. Katër emra që mbulojnë pozicione në mbrojtje dhe sulm. Ky moment ndërkohë mund të shikohet si mundësi më shumë, për të rinjtë e talentuar të Partizanit.
HERA E PARË- Isgandarli, Garsia dhe Martinez e patën sfidën e parë me fanellën e kuqe, dhe pse jo në ndeshje zyrtare. Skuka, Rifa dhe Qokthi patën po ashtu mundësinë të luajnë për herë të parë me Gegën në krye.
ALBERS KEKO- Goditja e penalltisë nga Albers Keko ishte e saktë. 23-vjeçari i dha avantazhin Partizanit në miqësore. Zgjedhja e Kekos mund të tregojë se 11- metërshat do t’i besohen pikërisht atij në vazhdim, nëse është në fushë. Keko mbahet mend për sezonin e fundit, kur i shënoi dy gola Egnatias nga penalltia. Një prej tyre me vlerë shumë të madhe në kampionat.
AXHENDA- Takimi me Dinamon duhet të ishte miqësorja e dytë, pasi kujtojmë se për shkak të kushteve atmosferike në Ohër u anulua sfida me Ballkanin. Në anën tjetër do të jetë edhe një test tjetër, i programuar më 28 qershor. Këtë herë, Partizani do të sfidojë Dinamon e Ilir Dajës.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













