VIDEO/ Elbasani i jep leksion Partizanit, e mund me 10 lojtarë me “manual futbolli” në pjesën e dytë
Elbasani ka siguruar një fitore spektakolare 3-0 ndaj Partizanit në “Elbasan Arena” duke ia dalë edhe pse në inferioritet numerik që në pjesën e parë të takimit.

Kartoni i kuq i shpejtë i Mustës si dhe rastet radhazi për të kuqtë në pjesën e parë lanë të mendohej se ekipi i Gvozdenoviç thjesht po mendonte të mbrohej për të mos pësuar. Por në pjesën e dytë ndryshoi gjithçka pasi Elbasani doli në sulm dhe siguroi shpejt një penallti pas prekjes së topit me dorë nga Isgandarli. Ze Gomesh shënoi me dy tentativa pasi penalltia u përsërit dhe që nga ai moment në fushë ishte vetëm Elbasani.
Verdheblutë bënë gjithçka mirë në të dy anët e fushës, duke mbrojtur me kujdes e kundërsulmuar rrezikshëm, gjë që solli edhe golat në minutat e fundit të Tsague dhe Kasës që shpërbënë plotësisht Partizanin dhe i dhanë verdhebluve një sukses mëse të merituar.
ELBASANI-PARTIZANI 3-0
56′ (p) Ze Gomesh, 89′ Tsague, 90’+3′ K. Kasa
NGJARJET KRYESORE
90’+7’ Mbyllet ndeshja me fitoren 3-0 të Elbasanit.
90’+4’ Qose merr vendin e Manellarit në radhët e Elbasanit.
90’+3’ GOOOL ELBASANI! Klevis Kasa fiton topin në gjysmëfushën kundërshtare dhe niset drejt portës duke mposhtur Qirkon. (VIDEO)
90’+1’ Preka merr vendin e Bytyçit në radhët e Partizanit.
90’ Jepen 7 minuta shtesë.
89’ GOOOL ELBASANI! Kundërsulm perfekt i verdhebluve që zbresin me shpejtësi nga e djathta dhe më pas finalizojnë me Tsague. (VIDEO)
87’ Traversë nga Doumbia! Pas një harkimi nga e djathta, topi shkon te mesfushori i cili gjuan por gjen traversën e portës së Elbasanit. (VIDEO)
86’ Boje i lë vendin K. Kasës në radhët e Elbasanit.
84’ Hjumën nga e djathta harkon në zonë ku Kontreras devijon në mënyrën e gabuar duke mos çuar sferën drejt katërkëndorit. (VIDEO)
77’ Dumbia dhe Keko hyjnë në fushë në vend të Muratajt dhe Buxhelajt në radhët e Partizanit.
76’ Pavarësisht epërsisë numerike në fushë dhe disavantazhit, Partizani i ka lëshuar manovrën në këto minuta vendasve.
70’ Loukili dhe Ze Gomesh i lënë vendin në fushë Diallo dhe Tsague.
66’ Përsëri goditje këndi për Elbasanin dhe tjetër rrezik, ku Boje gjuan por sheh sferën të devijohet në këndore. (VIDEO)
65’ Loukili nga e majta pas një goditje këndi pason në qendër, Kola devijon në rrjetën e jashtme. (VIDEO)
64’ Goditje këndi për verdheblutë, me topin që shkon te Boje i cili gjuan por gjen devijimin e Sembene para portës.
63’ Qaka dhe Isgandarli i lënë vendin në fushë Kolës dhe Kotnreras në radhët e PAtriznit.
59’ Elbasani shfaqet përsëri rrezikshëm në kundërsulm, një harkim nga e djathta devijohet rrezikshëm nga Sembene i cili rrezikon autogolin.
56’ GOOOL ELBASANI! Shënon Ze Gomesh me tentativën e dytë nga pika e bardhë. (VIDEO)
55’ Gjuan Ze Gomesh dhe pret Qirko gjuajtjen e sulmuesit të verdhebluve. Por më pas vendoset që penalltia të përsëritet pasi Qaka ishte brenda zonës në momentin e gjuajtjes. (VIDEO)
52’ Lajthia dhe Bytyçi ndëshkohen me të verdhë për përplasje në zonë mes të dyve.
50’ Penallti për Elbasanin! Pas një goditje dënimi të Loukilit, Isgandarli prek topin me dorë në zonë dhe për kryesorin nuk ka dyshime, duke bërë shenjë për penallti. (VIDEO)
49’ Boje niset në sulm nga e djathta, Buxhelaj e ndal në mënyrë të parregullt dhe ndëshkohet me të verdhë.
46’ Nis pjesa e dytë e duelit pa ndryshime nga skuadrat.
45’+2’ Mbyllet pa gola pjesa e parë.
45’+2’ Isgandarli ndalet përsëri nga Totoshi me një ndërhyrje vendimtare, por aksioni bëhet i pavlefshëm për pozicion jashtë loje. (VIDEO)
45’ Jepen 3 minuta shtesë.
45’ Loukili ekzekuton një goditje dënimi që ndalet nga Qirko e më pas niset një kundërsulm i të kuqve me Isgandarli. Ai gjen Hjumën në të djathtën me mesfushorin i cili depërton në zonë, por gjuajtja e tij ndalet nga Totoshi vendimtar. (VIDEO)
43’ Sembene ndal në mënyrë të parregullt Boje pas një topi në thellësi, gjyqtari i tregon të verdhin mes protestave të vendasve që kërkonin të kuq. (VIDEO)
38’ Murataj harkon në mënyrë perfekte në zonë nga e djathta, Isgandarli gjuan me kokë por nuk gjen portën me sferën që shkon jashtë ngjitur me shtyllën. (VIDEO)
33’ Zbritje e shpejtë e Boje në të djathtën e sulmit, ndërhyrja e Buxhelajt i cili largon në këndore, shmang një mundësi rreziku para portës së Qirkos.
32’ Hjumën nxjerr Bytyçin të lirë në të djathtën, gjuajtja e këtij të fundit grushtohet larg portës nga Totoshi i vëmendshëm. (VIDEO)
30’ Sidibe hyn në zonë nga e djathta, gjuajtja e tij devijohet nga mbrojtësit e Elbasanit që rrethojnë menjëherë sulmuesin e rrezikshëm të Partizanit.
30’ Boje nga e djathta harkon në zonë, por sfera shkon në duart e Qirkos.
26’ Rifillon ndeshja me të kuqtë në sulm që kërkojnë të shfrytëzojnë epërsinë numerike.
25’ Edhe Kasa që ka marrë shiritin e kapitenit shkon të flasë me tifozët. (VIDEO)
23’ Ndalohet ndeshja pasi ka hedhje fishekzjarrësh në adresë të vijërojtësit që është pranë tribunës së tifozëve të Elbasanit.
18’-21′ Sidibe niset drejt portës, Musta detyrohet ta ndalë në mënyrë të parregullt e ndëshkohet me karton të verdhë. Gjyqtari më pas ftohet të shohë pamjet filmike në VAR dhe aty vendos që faulli ishte si lojtar i fundit, duke i treguar të kuqin kapitenit të Elbasanit. (VIDEO)
15’ Aksion i rrëmbyeshëm i të kuqve nga krahu i djathtë, sfera shkon te Hjumën i cili nuk ka kontaktin e duhur me topin duke mos shenjëstruar portën.
13’ Sidibe provon me një goditje dënimi, sfera shkon direkt në duart e Totoshit. (VIDEO)
10’ Dy goditje këndi radhazi të Elbasanit. Tek e para Qirko kalon sferën mbi traversë dhe tek e dyta grushton për të larguar sferën nga zona e tij.
8’ Lajthia provon me një gjuajtje në hyrje të zonës që devijohet dhe shkon lehtësisht në duart e Qirkos.
5’ Isgandarli hyn në zonë nga e majta e sulmit, Kasa ia del të ndalojë depërtimin në qendër të futbollistit të Partizanit.
4’ Përgjigjen të kuqtë me një goditje këndi, pas të cilës topi shkon te SIdibe i cili gjuan por gjen Totoshin në pozicion. (VIDEO)
3’ Aksion spektakolar i verdhebluve, me kombinimin me thembër të Ze Gomesh për Lilën i cili gjuan por nuk gjen portën. (VIDEO)
1’ Nis dueli në “Elbasan Arena”.
FORMACIONET ZYRTARE
ELBASANI: Totoshi; Loukili, Lajthia, Abas, Kasa, Manellari, Ze Gomesh, Azemoviç, Musta, Boje, Lila
Trajner: Ivan Gvozdenoviç
PARTIZANI: Qirko; Janjeva, Sembene, Bytyçi, Buxhelaj, Hjumen, Murataj, Qaka, Isgandarli, Toma, Sidibe
Trajner: Realf Zhivanaj
PANORAMASPORT.AL













