Vëzhgimi për Egnatian/ Dajsinani “i hekurt”, portieri i Shqipërisë ka 990 minuta pa pushim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2025 | 10:17

Vëzhgimi për Egnatian/ Dajsinani “i hekurt”, portieri i Shqipërisë ka 990 minuta pa pushim

Tekniku i Egnatias, Edlir Tetova, ka deklaruar shpesh se skuadra duhet të funksionojë si grup dhe jo si varësi nga disa individë. Të dhënat e 11 javëve të para e vërtetojnë plotësisht këtë filozofi: 20 futbollistë janë aktivizuar në kampionat, çka do të thotë se pothuajse e gjithë organika ka marrë minuta të rëndësishme.

dajsinani

Ky është një tregues i një strategjie të menduar, jo vetëm për të shpërndarë ngarkesën, por edhe për të krijuar balancë dhe opsione në çdo repart. Kjo lloj qasjeje u jep lojtarëve ndjesinë se janë pjesë funksionale e projektit, duke rritur motivimin dhe gatishmërinë e tyre. Gjithashtu, e bën Egnatian më elastike përballë mungesave të mundshme, të cilat shpesh ndikojnë ndjeshëm ekipet që mbështeten vetëm te një grup i ngushtë titullarësh.

REKORDMENI DAJSINANI – Portieri Mario Dajsinani është i vetmi lojtar që ka luajtur të gjitha minutat e këtij sezoni: 11 ndeshje, 990 minuta. Të qenit i pazëvendësueshëm tregon jo vetëm stabilitetin e tij fizik, por sidomos rëndësinë që ka në mënyrën si Egnatia ndërton lojën nga prapavija.

Me vetëm 7 gola të pësuar, Egnatia renditet mes skuadrave me mbrojtjen më të fortë dhe pjesa më e madhe e kësaj statistike lidhet me sigurinë që ofron Dajsinani, qoftë në pritje, qoftë në organizimin e fazës së mbrojtjes. Për më tepër, prania e tij konstante në portë ka krijuar stabilitet psikologjik në skuadër. Në ndeshje ku Egnatia ka qenë nën presion, ndërhyrjet vendimtare të Dajsinanit kanë bërë diferencën. Tetova e ka ndërtuar fazën defensive mbi të dhe kjo zgjedhje është konfirmuar e drejtë nga rezultatet e deritanishme.

TË TJERËT – Në listën e atyre që kanë qenë thuajse përherë titullarë, spikat Edison Ndreca, me 11 ndeshje dhe 908 minuta. Roli i tij në mbrojtje është i dyfishtë: ai jo vetëm mbron, por edhe krijon thellësi në sulm, një element që Tetova e kërkon shpesh nga krahët. Në mesfushë, Fernando Medeiros është njëra prej shtyllave organizative. Me 868 minuta të luajtura, ai ka qenë drejtues i lojës në shumë ndeshje, qoftë në fazën mbrojtëse, qoftë në ndërtimin e aksioneve.

Medeiros është lojtari që e lidh lojën e Egnatias dhe vazhdimësia e tij tregon besimin që Tetova ka në profilin e tij taktik. Nga ana tjetër, Kastriot Selmani me 704 minuta ofron një tjetër lloj dinamike. Për Selmanin, minutat e fituara tregojnë se ai shihet si alternativë e parë në rast ndryshimesh taktike. Sa i takon Leo Melos, me 271 minuta, ai mbetet një element që përdoret zakonisht si zëvendësues për të sjellë freski dhe ritëm në repartin ofensiv. Edhe pse minutazhi i tij është më i ulët, aktivizimet e vazhdueshme tregojnë se ai ka një rol specifik brenda skemës, sidomos në pjesët e dyta të ndeshjeve.

Screenshot 2025-11-16 101459

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL