Vëzhgim/ Formacioni i të larguarve, Vllaznia sposton një ekip të plotë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2025 | 18:01

Vëzhgim/ Formacioni i të larguarve, Vllaznia sposton një ekip të plotë

Largimet duket se janë kryefjala e Vllaznisë në këtë merkato verore, me shkodranët, të cilët kanë pasur shumë “firo” në krahasim me sezonin e shkuar. Kështu, ditën e mërkurë nga 9 herë kampionët e vendit u larguan edhe dy futbollistë të tjerë.

vllaznia

Fillimisht ishte Ildi Gruda, i cili dukej se nuk i ishte ofruar një marrëveshje rinovimi, e pas tij largimin nga kuqeblutë e zyrtarizoi edhe mbrojtësi Dritmir Beci. Një situatë që patjetër ka “turbulluar” ujërat në klub, në një moment ku dukej se skuadra e kishte mbyllur me largimet dhe po mendonte vetëm për përforcimet në prag të sezonit të ri 2025- ‘26.

Një fakt i tillë ka lënë shumë të pakënaqur edhe trajnerin Edi Martini nga sa bëhet me dije në burime jozyrtare pranë klubit dhe vetë teknikut shkodran. Largimi nga skuadra e dyshes Gruda-Beci e ka dërguar në 10 numrin e futbollistëve të larguar nga Vllaznia deri më tani. Nga të larguarit mund të “formohet” thuajse një formacion, ku mungon vetëm një portier. Pasi nga reparti i mbrojtjes skuadrën e kanë lënë plot 5 futbollistë, duke nisur me dyshen Milos Stojanoviç dhe Marko Juriç, që u pasuan më pas nga Flori Spahija dhe Serjan Repaj e teksa së fundmi nga shkodranët është larguar edhe Dritmir Beci.

vllaznia

Edhe në mesfushë ka pasur largime me peshë si Ardit Deliu, apo edhe Amir Kahrmanoviç. Teksa skuadrën e ka lënë edhe një element i perspektivës si Ersi Zaganjori. Po ashtu, edhe sulmi ka pasur “defiçit” me ikjen nga skuadra të Mehdi Çobës dhe së fundmi Ildi Grudës. Futbollistë që kanë mbajtur peshë të konsiderueshme te skuadra në sezonet e fundit dhe që patjetër duhen kërkuar zëvendësuesit e tyre sa më shpejt në merkaton e verës.

PANORAMASPORT.AL