Vendimi që do lumturojë futbollistët shqiptarë, FIFA ndryshon në mënyrë drastike rregullat e merkatos dhe i bën më të pasur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2026 | 8:58

Vendimi që do lumturojë futbollistët shqiptarë, FIFA ndryshon në mënyrë drastike rregullat e merkatos dhe i bën më të pasur

FIFA ka vendosur të ndryshojë plotësisht rregulloret e transferimeve ndërkombëtare duke filluar nga janari 2027. Projekti është gati dhe tashmë mbetet vetëm miratimi përfundimtar për t’u vënë në zbatim dhe për të ndryshuar rregullat siç i njohim ne tani.

fifa

Disa ndryshime do të ndihmojnë realisht futbollistët, duke nisur nga të rinjtë. Ata janë prezantuar në një nga evenimentet e FIFA-s para nisjes së Kupës së Botës 2026.

Ndryshimi më i rëndësishëm është ai i klauzolës së largimit. FIFA ka vendosur që çdo kontratë të ketë të detyrueshme një klauzolë largimi të dakordësuar mes palëve, në mënyrë që asnjë lojtar të mos mbetet më peng i një klubi dhe të mund të largohet duke paguar një shifër të caktuar.

Ndërkaq, lojtarët më pak të paguar, ata të cilët përfitojnë nën 150 mijë euro në vit, do të kenë mundësinë të sigurojnë më shumë të ardhura nëse shiten. FIFA do të bëjë të detyrueshme pagesën ndaj lojtarit të minimalisht 5% të vlerës së përfituar nga klubi në rast shitje. Përqindja mund të negociohet brenda disa parametrave të vendosur nga FIFA. Ky vendim praktikisht do të bëjë të lumtur të gjithë futbollistët që dalin nga sistemi i kampionatit shqiptar dhe transferohen në kampionatet e huaja pasi në vitet e fundit asnjë prej tyre nuk i është afruar një rroge prej 150 mijë eurosh në vit.

Edhe të rinjtë do të kenë mundësinë që të nënshkruajë kontrata më të gjata. Aktualisht atyre nën 18 vjeç nuk u lejohen kontrata më të gjata se 3 vite. Por me rregullat e reja, ata do të mund të firmosin deri në 5 vite. Megjithatë, ky ndryshim do të ketë lidhje me kohëzgjatjen e futbollistit në klubin në fjalë, pasi duhet të ketë qenë pjesë e akademisë së tij për një numër të caktuar sezonesh, që do të vendoset nga FIFA.

E.KUKA-PANORAMASPORT.AL