U shënoi në derbi, Skela ofendohet nga tifozët
Ka sharje dhe ofendime edhe tek amatorët në Gjermani. Madje këtë herë në qendër të vëmendjes është vënë ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Ervin Skela. Ky i fundit luan prej disa kohësh te skuadra e Hanaut në Gjermani, e cila merr pjesë në kategorinë e 8-të. Për të qenë më së shumti në aktivitet, por nisur edhe nga fakti se klubi është afër shtëpisë ku jeton, Skela pranoi të vijonte të luante pavarësisht moshës (sot është 38 vjeç). Sakaq, Hanau me afrimin e një lojtari si vlonjati është rritur shumë gjatë këtij viti, aq sa jo vetëm që kryeson kampionatin, por nuk njeh humbje prej javësh të tëra. Në këtë atmosferë, duket se derbi me SG Bryshkobel II, zhvilluar katër ditë më parë mori trajta paksa të dhunshme, ku në qendër u vu pikërisht Skela.
Ngjarja – Sipas asaj që raportojnë mediat gjermane (“fchanau93. de”), lojtari shqiptar është ofenduar disa herë nga tifozët vendës, ndërkohë që nuk mungonin edhe vërshëllimat në çdo rast kur ai prekte topin. Situata u përkeqësua kur Hanua kaloi në avantazh me anë të Kahraman Damar në minutën e 71-të të pjesës së dytë dhe në të 83′ ishte Ervin Skela që dyfishoi. Dy minuta më vonë ishte sërish Damar, i cili i vuri vulën fitores. Të zhgënjyer nga ky rezultat i skuadrës së tyre, tifozët vendës vijuan në ofendime dhe sharje, madje duke hedhur në fushë edhe sende të ndryshme. Gjyqtari i takimit u mundua disa herë që të qetësonte tifozët, duke thirrur edhe kapitenin e skuadrës së SG Bryshkobel II, por kjo atmosferë vijoi deri në vërshëllimën e fundit. Më pas tifozët zunë edhe hyrjen kryesore, duke vijuar me ofendime ndaj lojtarëve miq të skuadrës së Skelës. Vlonjati kishte të pranishëm në këtë ndeshje edhe djalin e tij, ndaj për të mos rrezikuar, drejtuesit klubit e kanë nxjerrë ish-kapitenin kuqezi me djalin e tij nga një hyrje tjetër e stadiumit. Drejtori – Sakaq, i irrituar në kulm ka qenë drejtori i FC Hanaut, Xhiovani Falkara, i cili ka akuzuar drejtuesit e skuadrës vendëse për mosmarrje të masave organizative. “Kur erdhëm në stadium, jo vetëm që nuk gjetëm një klimë të qetë, por edhe pankina jonë ishte e zënë, pasi ishin ulur disa fëmijë. Sakaq, as ujë nuk na kishin vënë në dispozicion, por u detyruam që në pushim të ndeshjes të shkonim të blinim në barin e stadiumit. Gjatë gjithë kohës tifozët vendës ofenduan Skelën, por ajo që na vjen më shumë keq ishte fakti se me ne ishte edhe djali i Ervinit. Urojmë që ai të mos jetë frikësuar dhe të ketë pasoja nga kjo gjë”, tha drejtori i Hanaut. Ndërkohë, vetë Skela në mediat gjermane theksoi se ishte e padenjë sjella e tifozëve dhe se ajo ndeshje mund të konsiderohej si kulmi negativ i karrierës së tij. Ervin Skela ka luajtur me 14 skuadra të ndryshme duke filluar që nga Flamurtari e Tirana në Shqipëri, Askoli në Itali, Arka Gdinia në Poloni dhe Union Berlin, Erzgebirge Aue, Çemnitzer, Valdhof Manhajm, Eintraht Frankfurt, Arminia Bielefeld, Kaizerslautern, Enerxhi Kotbus, TuS Koblenz dhe FC Hanau në Gjermani.
“Gjermanët e bëjnë dramë, nuk e dinë ç’bëhet në Shqipëri”
Nisur nga lajmi i publikuar në mediat gjermane, gazeta “Panorama Sport” ka kontaktuar menjëherë ish-kapitenin e Kombëtares Ervin Skela, i cili për hir të së vërtetës e mori me shaka gjithçka që kishte ndodhur në derbin SG Bryshkobel II-Hanau. “Shikoni, këtu jemi në Gjermani dhe duke qenë se gjëra të tilla nuk ndodhi thuajse kurrë edhe një sharje, apo ofendim të vogël e marrin për dhunë dhe skandal të madh. Kuptohet, jetojmë në një vend si Gjermania, por mua nuk më bëri shumë përshtypje. Madje pothuajse fare, pasi duke ditur se çfarë ndodh për shembull në stadiumet tona, ajo e derbit të këtushëm (në Gjermani) është një pikë uji në oqean. Edhe drejtori i klubit u prek shumë, madje më thoshte vazhdimisht nëse isha mirë, a thua se çfarë më kishte ndodhur. Nejse, unë mundohem të argëtohem me këtë skuadër, pasi në njëfarë mënyre kaloj edhe kohën dhe mbaj trupin në formë. Sivjet nuk na ka mundur asnjë ekip, ndaj edhe gati po vënë bast se kush skuadër do na mundë e para”, sqaroi Skela.
LEONARD KARAJ













