U largua gjatë verës dhe tani do jetë kundërshtar, Repaj: Ndeshje e veçantë, në Shkodër u rrita si futbollist
Vora po u jep leksion ekipeve elitare tradicionale, teksa po u tregon, se që të ndërtosh një klub futbolli, duhet të kesh edhe kapacitetet infrastrukturore ashtu siç po vepron në këto 5 vitet e fundit. Infrastruktura sportive përfshin, përveç fushave stërvitore dhe atë të zhvillimit të ndeshjeve, edhe skuadrën që përfaqëson klubin e futbollit si dhe ekipet futbollistike të grupmoshave.

Kështu që Vora ndërtoi infrastrukturën sportive, duke zgjedhur fillimisht vendin ku do qëndrojnë lojtarët, vendin ku do të zhvillojë ndeshjet dhe vendin se ku do të stërviten futbollistët. E tashmë pas 5 vitesh çdo gjë është bërë realitet, pasi Vora ka dy fusha stërvitore, një në stadiumin e saj në Marqinet dhe tjetër fushë stërvitore në Ahmetaq.
SKUADRA DHE NDESHJA KUNDËR VLLAZNISË – Skuadra po vijon rregullisht stërvitjet gjatë gjithë kësaj jave në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e radhës e cila është e pesta për Vorën në këtë kategori, teksa ka marrë dy fitore një barazim dhe një humbje, duke qenë e treta në renditje, ka shënuar 5 gola dhe ka pësuar tre. Vora së bashku me Vllazninë po tregojnë këtë fillim kampionati se janë dy skuadrat më efikase në gola, duke shënuar më shumë se të gjitha skuadrat. Vora ka shënuar 5 gola e Vllaznia 8, pra më shumë se 1/3 e golave të shënuar deri tani (36).
Lidhur me takimin kundër Vllaznisë, do të jetë një shkodran kundërshtar. Ai është Serjan Repaj, futbollisti shkodran 24 vjeçar, me rolin e tij të qendërmbrojtësit. Ai ju bashkua Vorës, pasi ndërpreu në mes kontratën që kishte me ekipin shkodran edhe për dy vite të tjera. Kjo për arsyen, për më shumë hapësira titullari në ekip. Për “Panorama Sport” flet para kësaj ndeshje. “Është një emocion, që unë kthehem në Shkodër, duke sjellë ndjenja të veçanta, të luaj në vendin ku unë u rrita si futbollist. Shpresoj që kësaj ndeshje t’i marrim më të mirën, në dasht Zoti”, tha ai.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL













