Tre largime nga Teuta, Toli: Me Vorën kthehemi te fitorja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2026 | 10:50

Tre largime nga Teuta, Toli: Me Vorën kthehemi te fitorja

Teuta po kalon një periudhë të vështirë në Superiore. Plot shtatë ndeshje pa fitore në kampionat kanë bërë që drejtuesit të marrin disa vendime drastike.toli“Panorama Sport” mëson se tre lojtarë janë me valixhe në duart. Bëhet fjalë për Mario Beshirajn, David Fadairon dhe Jakub Myszor. Teuta qëndroi për një periudhë te zona e “Final Four” duke u kthyer edhe në ekip pretendent. Tashmë qëndron 7 pikë prapa Dinamos, që mbyll zonën e katër më të mirëve. Teuta ka larguar më parë Arbër Çyrbjan, Hugor Vidal, Sebastian Gonzales Zela, Gabriel Gomesh dhe Renaldo Torrajn.

KAPITENI – Teuta përgatitet për një tjetër sfidë të rëndësishme në kampionat, teksa sot do të përballet me Vorën. Para këtij dueli delikat, kapiteni i durrsakëve, Ardit Toli, flet për gjendjen e skuadrës, përgatitjet dhe objektivat, duke theksuar rëndësinë e përqendrimit dhe mbështetjes së tifozëve në këtë moment të sezonit.

“Po përgatitemi me seriozitet maksimal. E dimë rëndësinë e kësaj sfide dhe jemi të fokusuar për të bërë një paraqitje të mirë dhe për të marrë rezultat pozitiv. Do të jetë një ndeshje e luftuar, sepse Vora është ekip i organizuar dhe në formë. Megjithatë, ne besojmë te forca jonë dhe te loja që kemi ndërtuar. Çdo ndeshje është vendimtare. Kemi objektiva të qarta dhe për të arritur aty duhet të marrim maksimumin në çdo takim, duke nisur nga kjo ndaj Vorës. U kërkoj përqendrim, sakrificë dhe besim te njëri-tjetri. Vetëm si grup mund t’ia dalim. I presim pranë nesh. Mbështetja e tifozëve është shumë e rëndësishme dhe na motivon të japim edhe më shumë në fushë”, mbyll Toli.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL