Tre gola dhe tetë asiste, pse Mala është armë e fortë për Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2026 | 10:18

Tre gola dhe tetë asiste, pse Mala është armë e fortë për Vllazninë

Në prag të fazës më vendimtare të sezonit, vëmendja te Esat Mala po rritet ndjeshëm, teksa mesfushori 27-vjeçar i Vllaznisë pritet të jetë një nga figurat kyçe për skuadrën kuqeblu.

mala

Futbollisti nga Prizreni ka treguar vazhdimësi dhe peshë në lojën e ekipit, duke u shndërruar në një element të pazëvendësueshëm në skemat e trajnerit. Deri në këtë pikë të sezonit, Mala ka qenë një nga protagonistët absolutë për ekipin e drejtuar nga Martini. Performancat e tij kanë qenë vendimtare jo vetëm në ndërtimin e lojës, por edhe në konkretizimin e aksioneve, duke i dhënë Vllaznisë një dimension më të plotë në mesfushë dhe sulm.

Statistikat flasin qartë për ndikimin e tij në fushë: tre gola të shënuar në kampionat dhe plot tetë asistime, duke u renditur si futbollisti me më shumë pasime vendimtare që janë shndërruar në gol. Kjo e bën Malën jo vetëm një organizator të mirëfilltë, por edhe një faktor direkt në rezultatet pozitive të skuadrës.

Me eksperiencën që zotëron dhe formën që po kalon, numri “20” i kuqebluve pritet të jetë një armë e fortë në javët e mbetura. Në një kohë kur gara për objektivat bëhet gjithnjë e më e ashpër, prania e tij në fushë mund të bëjë diferencën mes suksesit dhe dështimit.

Tashmë, te Vllaznia besojnë se Mala do të vazhdojë të jetë një lider i heshtur, por tejet efektiv, duke udhëhequr skuadrën drejt synimeve të saj në këtë fazë kulminante të sezonit. Nëse ruan këtë ritëm, ai pritet të mbetet një nga emrat më të spikatur të kampionatit deri në fundin e tij.

PANORAMASPORT.AL