Tiranën e nderojnë penalltitë, por e tradhton sulmi
Tirana është “mbretëresha” e penalltive të marra në Kategorinë Superiore, por shënjestra e sulmuesve të saj e ka penalizuar që këta 11- metërsh të kthehen në gola. Gabime që kanë rezultuar fatale për skuadrën kryeqytetase, që me 5 pesë pikët e humbura mund të ishte e sigurt, duke parë në televizor kundërshtarët.
PENALLTITË – Gjatë kampionatit të fundit, Tirana ka marrë 10 penallti në 36 javë. Tri vetëm në derbet me Partizanin, dy ndaj Dinamos dhe më pas me skuadrat e tjera. Me Bylisin dy, Teutën, Skënderbeun dhe Vllazninë. Bardhelutë janë gjithashtu ekipi që ka marrë më shumë 11-metërsh, plot 10, duke lënë pas Skënderbeun, Vllazninë dhe Egnatian me nga 8 dhe shtatë penallti. Qartë kuptohet se bardheblutë kanë pasur një bonus të madh për të shënuar gola.
SHËNJESTRA – Edhe pse ka marrë 10 penallti, Tirana ka gabuar 2 prej tyre. Që do të thotë se bardheblutë kanë pasur sukses në 80 për qind të gjuajtjeve. Dy gabimet janë bërë prej Zharmunit kundër Teutës, teksa ndeshja në atë moment ishte 0-0 dhe më pas Tirana u mund nga durrsakët dhe Prengaj ndaj Partizanit në derbin e fazës së dytë që u mbyll 0-0, ndërsa 11-metërshi u humb në minutat shtesë të lojës. Dy gabimet vlerësohen pesë pikë të humbura, që sot do ta poziciononin ekipin në vendin e gjashtë dhe Tirana nuk do ta diskutonte qëndrimin në Kategori. Për Tiranën ka shënuar pesë herë Zharmuni, dy të tjera Bajroviç dhe në një rast nga 11 metra ka tundur rrjetën Emanuel Ernest. Për statistikë, bardheblutë kanë 43 gola në kampionat, tetë prej të cilëve me 11-metërsh.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













