Tirana, rrëmbeu derbin me tetë debutues në fushë
Tirana ka dhënë sinjalin e parë të fuqishëm për sezonin e ri, duke fituar bindshëm derbin e kryeqytetit ndaj Partizanit me rezultatin 3-0. Një fitore që vlen më shumë se tre pikë, pasi vjen në një moment rinovimi të thellë për skuadrën bardheblu, e cila në këtë ndeshje u prezantua me plot tetë debutues në formacionin titullar.
Trajneri i Tiranës i besoi një grupi tërësisht të rifreskuar, ku në fushë nga minuta e parë u aktivizuan Tafas, Valerianos, Lleshi, Fernandez, Falaje, Vogli, Patsatsia dhe Tabeku. Për shumëkënd, një sfidë e tillë mund të ishte e vështirë për t’u përballuar, por lojtarët e rinj e shfrytëzuan si mundësinë ideale për të treguar vlerat e tyre. Bardheblutë dominuan takimin nga fillimi deri në fund, duke imponuar ritmin e lojës dhe duke mos e lënë Partizanin të krijojë asnjë rast serioz.
Me disiplinë taktike, qarkullim të shpejtë të topit dhe efikasitet para portës, Tirana shënoi tre gola të bukur, të gjithë nënshkruar nga debutuesit Falaje, Patsatsia dhe Tabeku. Një debutim që nuk mund të kishte shkuar më mirë. Tre gola, tri pikë dhe një mesazh i qartë për rivalët. Tirana është gati për të luftuar për kreun. Falaje dhe Patsatsia u shfaqën si lojtarë të aftë për të bërë diferencën në zonën e rrezikut, ndërsa Tabeku konfirmoi se mund të jetë një nga zbulimet e këtij sezoni.
Nga titullarët e ndeshjes, vetëm Soler, Vera dhe Haxhiu kishin më parë eksperiencë me fanellën bardheblu, duke treguar se ky sukses është fryt i një projekti të ri dhe të menduar mirë nga stafi teknik. Në pjesën e dytë u aktivizuan edhe Dembele (72’), Ismajli (72’), Abah (60’) dhe Silva (67’), të cilët kontribuuan për ta ruajtur ritmin e lartë dhe ekuilibrin në çdo repart.
Fitorja 3-0 ndaj Partizanit i jep Tiranës jo vetëm moralin maksimal për startin e sezonit, por edhe besimin se grupi i ri ka potencialin për t’u rritur shpejt dhe për të rikthyer klubin në majat e futbollit shqiptar. Me një kombinim interesant të lojtarëve të rinj dhe atyre me eksperiencë, bardheblutë duken të gatshëm për të nisur një cikël të ri suksesi.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













