Tirana nën presion, Shehi: I thashë skuadrës që ka ndeshje që nuk i fituam ndoshta jo për atë që kemi dhënë në fushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2026 | 8:20

Tirana nën presion, Shehi: I thashë skuadrës që ka ndeshje që nuk i fituam ndoshta jo për atë që kemi dhënë në fushë

Pas një përballjeje të fortë ndaj Egnatias, Tirana arriti të marrë një fitore me shumë peshë në garën e saj në kampionat. Bardheblutë treguan karakter dhe vendosmëri në një moment delikat të sezonit, duke dhënë një sinjal pozitiv për vazhdimësinë.

shehi

Megjithatë, trajneri Orges Shehi mbetet realist, duke theksuar se objektivat kërkojnë ende shumë punë dhe sakrificë. Në prononcimin e tij pas ndeshjes, tekniku bardheblu ndalet te rëndësia e fitores, menaxhimi i skuadrës dhe sfidat që e presin Tiranën në vijim.

Një fitore e rëndësishme për Tiranën… si e komentoni këtë sukses?
Sigurisht që është një fitore shumë e rëndësishme për ne, por rruga drejt objektivit të skuadrës është ende e gjatë dhe e vështirë. Megjithatë, na kënaq fakti që kjo është një fitore vazhdimësie dhe sakrifice. Në situatën ku ndodhemi, duhet të sakrifikojmë shumë në çdo ndeshje.

Keni ende “pengje” nga ndeshja e kaluar në Vlorë?
Që në fillim të javës jemi munduar t’i lëmë pas ato që kanë ndodhur. I kam thënë skuadrës që ka ndeshje që nuk i kemi fituar ndoshta jo për atë që kemi dhënë në fushë, por futbolli është i tillë. Duhet të harrojmë shpejt dhe të përqendrohemi te sfida e radhës. Kur lojtarët janë në formë, edhe skuadra fiton.

Sa e varur është Tirana nga elementë si Xhixha apo të tjerë në sulm?
Janë lojtarë shumë të rëndësishëm dhe meritojnë komplimente sepse po sakrifikojnë shumë. Nuk janë gjithmonë në gjendjen e tyre më të mirë fizike, kanë edhe probleme fizike, por japin maksimumin. Ne mundohemi t’i menaxhojmë që të jenë sa më të freskët. Megjithatë, e gjithë skuadra duhet të funksionojë si një trup i vetëm, duke nisur nga portieri e deri te sulmi. Në fund, është faza sulmuese ajo që finalizon punën e ekipit.

Kampionati po hyn në një fazë të fortë, me skuadra që po vijnë shumë të motivuara…
Të gjitha skuadrat janë të forta, edhe ajo që sapo kaluam. Kjo fitore na ndihmon të besojmë se mund të luajmë si të barabartë me këdo. Megjithatë, ne kemi më shumë presion për shkak të pozicionit ku ndodhemi në renditje. Shpresojmë të vazhdojmë në këtë rrugë dhe të dalim aty ku synojmë.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL