Tirana “e vjetër” stërvitet deri më 31 maj, nga 1 qershori nis cikli i ri bardheblu
Pas katër ditëve pushim, Tirana do të rikthehet në fushën e stërvitjes për të zhvilluar javën e fundit të përgatitjeve.

Trajneri Bledi Shkëmbi do të mbledhë në “grigjën” e tij, ata futbollistë që kanë mbetur për të bërë përgatitjet e fundit, para se përfundimisht të ulet sipari i sezonit. Nga e hëna do të kthehet kampi stërvitor, ndërsa Tirana ka vendosur që të zhvillojë një tjetër miqësore.
Pas fitores me Kukësin, bardheblutë kanë zgjedhur ndeshjen e radhës, po në Kategorinë e Parë. Kundërshtari është më i fortë dhe bëhet fjalë për Apoloninë. Plani është që takimi të luhet të enjten e ardhshme, por ende nuk ka një vendim të qartë. Kujtojmë që Tirana luajti disa ditë më parë me Kukësin miqësoren gjatë këtyre ditëve. Bardheblutë do të stërviten deri në fund të muajit dhe më pas do të marrin pushimet.
Tirana e sezonit 2025-2026 do të marrë jetë nga 1 qershori e në vazhdim. Nëse skuadra aktuale po stërvitet në kryeqytet, drejtuesi kryesor i bardhebluve nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë me trajnerin, lojtarët dhe ata që do të shiten në merkato. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, presidenti Halili deklaroi se për sezonin e ri do të mendojë pas majit.
Ai pranoi se skuadra do të vazhdojë punën sipas planit stërvitor dhe në fund do të analizohet sezoni dhe situata. Pas analizës, do të merret një vendim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Tirana këtë verë do të jetë pushim. Deri më 23 gusht 2025, bardheblutë do të jenë në përgatitjet për sezonin e ri, teksa në verë nuk do të marrin pjesë në Europë.
PANORAMASPORT.AL













