Tirana, asgjë nga fronti i trajnerit. Në pritje për teknikun që do të pasojë Bledi Shkëmbin
Te Tirana prej disa ditësh janë pa trajner. Largimi i Bledi Shkëmbit ka lënë një boshllëk të madh në ekip pak ditë para se të nisë faza përgatitore.
Emrat e përfolur për të drejtuar Tiranën janë disa. Duke filluar nga Shpëtim Duro e deri te Qatip Osmani. Një listë e gjatë kandidatësh, por që ende nuk ka prodhuar një emër konkret. Me shumë mundësi, java që vjen do të jetë vendimtare për stolin e Tiranës. Trajneri duhet të emërohet sa më shpejt, pasi nuk ka kohë nëse dëshiron që të ketë një skuadër gati.
HERA E PARË – Si asnjëherë tjetër, qershori po mbyllet dhe Tirana nuk ka një trajner. Për krahasim, Shkëmbi vjet u emërua më 5 qershor dhe nisi punën shumë shpejt. Dy vite më parë ishte Shehi që nuk ndryshonte prej janarit 2021. Pra, thënë e vërteta, Tirana është vonë për trajnerin në këtë sezon. Për t’u shënuar edhe fakti që Tefik Osmani është kthyer në Shqipëri së bashku me disa afrikanë, ndërsa prezantimi i tij mund të bëhet në orët në vijim.
ZGJIDHJE NGA BRENDA – Një tjetër opsion mund të jetë zgjidhja nga brenda skuadrës. Halili mund të emërojë një prej ndihmësve Sabien Lilaj(nëse qëndron) ose Olsi Teqja. Një opsion mund të jetë Gentian Muça, i cili drejton 21-vjeçarët. Një emër që e njeh shumë mirë ambientin bardheblu. Të huajt janë disa, duke filluar nga Moriero që drejtonte Laçin, Brdariçin apo edhe ndonjë “outsider”.
LUKSI I KOHËS – Tirana këtë verë do të jetë pushim. Deri më 23 gusht 2025, bardheblutë do të jenë në përgatitjet për sezonin e ri, teksa në verë nuk do të marrin pjesë në Europë. Për Tiranën kjo është mungesë e rëndësishme, pasi jo vetëm që nuk fiton para nga kompeticionet europiane, por, nga ana tjetër, nuk rrit as koeficientin në UEFA. Në fakt, Tirana do të jetë pushim pas dy sezonesh, ndonëse në dy të fundit ka bërë mirë në Europë. Për të gjetur një sezon pa Europë, duhet të kthehemi në 2021-2022. Tirana e atij kampionati e humbi vendin europian në ndeshjen e fundit ndaj Laçit. Thënë shkurt, bardheblutë kanë në njëfarë mënyre luksin e kohës, por ditët po lëvizin.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













