“Timonieri” i ri i Partizanit, Zekiç kryeson listën e dëshirave
Zoran Zekiç duket se është një nga favoritët kryesorë për të marrë drejtimin e Partizanit në sezonin e ardhshëm. Drejtuesit e klubit kryeqytetas vijojnë punën për të zgjedhur trajnerin e ri dhe emri i teknikut kroat është një nga më të pëlqyerit nga presidenca e të kuqve, teksa konsiderohet një profil që i përshtatet projektit që klubi kërkon të ndërtojë për sezonin e ri. 52-vjeçari nuk është një emër i panjohur për ambientin e Partizanit. Zekiç ka qenë pjesë e të kuqve edhe në vitin 2023, periudhë në të cilën drejtoi skuadrën në 14 ndeshje.

Në atë eksperiencë ai regjistroi një mesatare prej 1.79 pikësh për ndeshje, ndërsa la përshtypje pozitive për mënyrën e menaxhimit të grupit dhe organizimin e skuadrës në fushë. Pikërisht fakti që kroati e njeh ambientin e Partizanit shihet si një avantazh i madh nga drejtuesit e klubit. Në kampin e kuq vlerësojnë se Zekiç është i vetëdijshëm për presionin që ekziston te Partizani dhe për objektivat që ka gjithmonë kjo skuadër, e cila synon të luftojë çdo sezon për titullin kampion dhe pjesëmarrjen në Kupat e Europës.
Eksperienca e fundit e Zekiç në stol ishte me Sarajevon në Bosnje, ndërsa së fundmi për teknikun ka pasur sërish interes nga Sarajevo për ta rikthyer. Megjithatë, Partizani mbetet në garë për të siguruar shërbimet e tij dhe kontaktet mes palëve vijojnë. Nëse arrihet marrëveshja dhe Zekiç zyrtarizohet si trajneri i ri i të kuqve, atëherë drejtuesit do të përmbushnin dy nga objektivat kryesorë që kishin vendosur për zgjedhjen e teknikut të ardhshëm.
Fillimisht, klubi kërkonte një trajner të huaj, dëshirë kjo e presidentit Gazment Demi, i cili vazhdon të besojë se një profil i ardhur nga jashtë mund të sjellë më shumë stabilitet dhe ide të reja në skuadër. Nga ana tjetër, Zekiç ka avantazhin se e njeh mirë Partizanin dhe futbollin shqiptar. Kjo konsiderohet shumë e rëndësishme nga drejtuesit, pasi klubi nuk dëshiron të humbasë kohë me një trajner që duhet të përshtatet me ambientin apo me mentalitetin e kampionatit shqiptar.
Te Partizani synojnë që trajneri i ri të ketë rol të rëndësishëm edhe në ndërtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm. Për këtë arsye, drejtuesit kërkojnë një profil që të ketë eksperiencë, autoritet dhe ide të qarta për mënyrën se si duhet të funksionojë ekipi. Pas një sezoni të mbyllur në vendin e pestë dhe jashtë “Final Four”, në kampin e kuq ekziston bindja se skuadra ka nevojë për më shumë stabilitet dhe vazhdimësi. Pikërisht për këtë arsye, zgjedhja e trajnerit shihet si hapi më i rëndësishëm për ndërtimin e projektit të ri. Për momentin asgjë nuk është mbyllur përfundimisht, por emri i Zoran Zekiç mbetet një nga alternativat më serioze për pankinën e Partizanit.

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL













