Teuta zbarkon në Poloni, nis përgatitjet me ambicie për të fituar… gjithçka
Teuta ka mbërritur dje në destinacionin e parashikuar në Poloni, pas 2 orëve udhëtimi me avion. Pasdite, durrsakët kanë zhvilluar edhe seancën e parë stërvitore, ndërsa nga sot do të fillojë dhe zbatimi normal i programit të stërvitjes me dy seanca të plota në ditë.

“Djemtë e Detit” u vendosën në bazën e re në Opalenica, ku do të zhvillohet faza më e rëndësishme e përgatitjeve. Në orët e drekës, ekipi u vendos në hotel ku do të qëndrojë 10 ditë, ndërsa prej sot do të nisë realizimi i programit. Skuadra ka lënë Durrësin e nxehtë dhe tani po shijon kushte ideale në temperatura shumë të favorshme në Opalenica të Polonisë.
Që në vendosje, është parë qartë se skuadra do të ketë kushte ideale për stërvitje. Durrsakët janë akomoduar në një hotel luksoz me të gjitha nevojat për një skuadër futbolli, ndërsa moti i mirë, terreni ideal dhe temperaturat shumë të favorshme, plotësojnë të gjitha kushtet për realizimin e mirëfilltë të programit përgatitor. Skuadra pritet që të realizojë seancën e parë stërvitore, fillimisht në palestër e më pas edhe në terren. Ndërsa në programin e pasdites është një tjetër stërvitje në terren. Në fundjavë pritet të fillojë edhe seria e ndeshjeve miqësore. Teuta do të qëndrojë në Poloni deri në 9 gusht.
SEANCA E PARË — Me një seancë të zhvilluar pasdite kanë startuar zyrtarisht përgatitjet anti-Dinamo. Durrsakët po përgatiten për duelin e parë në Superiore, që e zhvillojnë kundër Dinamos. Stërvitja e sotme zgjati rreth një orë. Trajneri i Teutës, Dobi, ditën e djeshme punoi me ritëm të lartë, me synim të përgatitjes sa më të mirë të futbollistëve të tij, në kuadër të ndeshjes së parë që do të luhet më 24 gusht. Fillimisht skuadra ka zhvilluar ushtrime të ndryshme me përgatitësit atletik dhe më pas gjithçka është zhvendosur në punën me top. Aspekti tekniko – taktik dhe mbi të gjitha ushtrime të ndryshme në veprime ofensive dhe difensive kanë qenë në fokusin e trajnerit të Teutës.
OBJEKTIVI – Ambiciet e klubit dihet dhe në asnjë moment nuk është jashtë asaj që i duhet të luftojë në dy fronte, titullin e kampionit dhe Kupën. Në Durrës mendojnë se kanë kualitetin e duhur, ndërkohë që afati kalimtar tani është i hapur dhe pritet që në ditët e para të gushtit të ketë zyrtarizime lojtarësh.
ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL













