Tetova i bindur për formacionin në Europë, vetëm një risi për Egnatian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 2, 2025 | 8:32

Tetova i bindur për formacionin në Europë, vetëm një risi për Egnatian

Me afrimin e ndeshjeve zyrtare në arenën ndërkombëtare dhe me përgatitjet intensive që po zhvillohen në këtë fazë, trajneri Edlir Tetova duket se ka formësuar idenë e qartë për formacionin bazë të Egnatias.fdshPas disa miqësoreve testuese dhe një analize të hollësishme të gjendjes fizike dhe teknike të skuadrës, tekniku i kampionëve të Shqipërisë ka vendosur për 11-shen që do t’i japë startin aventurës në Europë. Skema e zgjedhur është 4-2-3-1, një modul i balancuar që i përshtatet filozofisë së tij taktike dhe grupit të lojtarëve në dispozicion.

FORMACIONI Në portë do të jetë Dajsinani, i palëkundur në rolin e liderit të katërkëndëshit. Mbrojtja përbëhet nga katërshja Ndreca në të majtë, Xhemajli e Sota në qendër dhe Fangaj në të djathtë. Duket se mbrojtja me tre, si ka luajtur shpesh sezonin e kaluar, nuk është më në planet e Tetovës, të paktën sa i përket ndeshjes me Breidablik. Në mesfushë, dyshja Aleksi-Fernando do të sigurojë qëndrueshmëri dhe shpërndarje të topit. Nga njëra anë do të duhet të mbrojnë, por edhe të hedhin vështrimin drejt sulmit kur të kërkohet. Para tyre, treshja Ujka-Lushkja-Selmani do të mbështesë sulmuesin e vetëm Guindo, i cili mban peshën kryesore në ofensivë. Ky është formacioni më i përdorur në miqësoret e fundit dhe pritet të jetë baza, me të cilën Egnatia do të tentojë suksesin në arenën europiane. Bie në sy se Selmani do të jetë lojtari i vetëm nga të ardhurit e merkatos që shihet si titullar. Në fakt, ai është përshtatur mjaft mirë me skuadrën, ku edhe ka shënuar dy gola në miqësoret e zhvilluara në tokën bullgare.SDGFFGGRUPI I PLOTË Një tjetër zhvillim pozitiv për stafin teknik është fakti se Egnatia ndodhet në një moment optimal nga pikëpamja fizike. Pas disa javësh përgatitjesh intensive dhe disa testeve miqësore, skuadra ka arritur të shmangë dëmtimet dhe, për herë të parë pas një kohe të gjatë, trajneri Edlir Tetova ka në dispozicion të gjithë kontingjentin e plotë. Asnjë lojtar nuk vuan nga probleme fizike, ndërsa lojtarët e sapoardhur janë integruar me sukses, si në aspektin taktik, ashtu edhe atë fizik. Kjo situatë i ka dhënë mundësinë teknikut të punojë i qetë, të testojë disa skema dhe të krijojë një konkurrencë të fortë brenda grupit. Të gjithë futbollistët janë të përqendruar, të motivuar dhe gati për të dhënë maksimumin në momentin që do t’u besohet fanella titullare. Prezenca e një grupi të plotë jo vetëm rrit alternativat për çdo repart, por është edhe një tregues i qartë se Egnatia po hyn në sfidat europiane në kushte ideale, me besim dhe me energji të plotë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL