Tefik Osmani në Vlorë, Flamurtari pret një “PO” nga presidenti Duka

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 13, 2026 | 9:40

Tefik Osmani në Vlorë, Flamurtari pret një “PO” nga presidenti Duka

Flamurtari është në kërkim të një drejtori sportiv pas largimit të Artim Pollozhanit, i cili u shkarkua për shkak të rezultateve të dobëta të skuadrës. Teksa emri i Arbër Abilaliajt ishte fillimisht në listën e drejtuesve vlonjatë, kjo pistë është zbehur ndjeshëm në orët e fundit dhe gjasat për një marrëveshje me ish-sulmuesin duken minimale. Në skenë ka dalë një emër me peshë të madhe në futbollin shqiptar, Tefik Osmani.

Tefik-Osmani-2048x1365

Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, ka zhvilluar një takim të drejtpërdrejtë me Osmanin, ku mësohet se është diskutuar për një bashkëpunim të mundshëm. Korçari nuk e ka mbyllur derën për një angazhim në Vlorë, por aktualisht ekziston një pengesë e vetme. pozicioni i tij në Federatën Shqiptare të Futbollit. Tefik Osmani mban aktualisht postin e drejtorit të Departamentit të Skautizmit në FSHF dhe çdo lëvizje e tij drejt Flamurtarit do të kërkonte më parë një dakordësi me presidentin Armand Duka.

Burime pranë “Panorama Sport” konfirmojnë se Osmani e ka lënë të hapur mundësinë për t’u emëruar drejtor sportiv i kuqezinjve, por vendimi përfundimtar pritet të merret pas një bisede zyrtare në ambientet e federatës. Emri i Osmanit u përfol edhe sezonin e kaluar, në prill 2025, për një rikthim në strukturat e Flamurtarit pas largimit të tij nga Vllaznia. Në atë periudhë, vetë Osmani e minimizoi lajmin, duke e “dribluar” publikisht çështjen:

“Takim me Sinan Idrizin e Flamurtarit? E kam takuar në Kryeministri. Nuk e di nëse e ka thirrur për aeroportin dhe stadiumin, ndërsa mua më ka thirrur për të pranuar për deputet, por nuk kam pranuar sepse kam dashur formacion in e sigurt, duke ditur që nuk di ta luaj lojën e politikës”, deklaronte ai asokohe. Megjithatë, realiteti është se takimi me presidentin Sinan Idrizi ka ekzistuar dhe interesimi i Flamurtarit për Osmanin ka qenë konkret.

Njohës i thellë i kampionatit shqiptar dhe arkitekt i merkatos së suksesshme të Vllaznisë, Osmani shihet si profili ideal për të menaxhuar këtë moment delikat të klubit vlonjat. Karriera e tij si futbollist është e pasur dhe prestigjioze, duke qenë pjesë e klubeve si Skënderbeu, Tomori, Partizani, Elbasani, Tirana, Teuta, Vllaznia, si dhe Metalurg Zaporizhya në Ukrainë. Osmani ka veshur gjithashtu fanellën e Kombëtares shqiptare. Pas tërheqjes nga futbolli i luajtur, ai ka mbajtur postin e drejtorit sportiv te Tirana dhe Vllaznia, ndërsa aktualisht drejton skautizmin në FSHF. Nëse do të emërohej te Flamurtari, Osmani pritet të kishte një rol të dyfishtë: jo vetëm drejtimin sportiv të klubit, por edhe ndërtimin e një strukture skautingu për identifikimin e talenteve shqiptare brenda dhe jashtë vendit, me synimin për krijimin e një boshti të fortë për sezonin e ardhshëm.

Një histori e vjetër mes Osmanit dhe Flamurtarit

Interesimi i Flamurtarit për Tefik Osmanin nuk është i ri. Në korrik të vitit 2016, klubi vlonjat i bëri një ofertë Osmanit si lojtar, me insistimin e trajnerit të atëhershëm Gugash Magani, i cili e kishte pasur nën drejtim te Teuta. Edhe pse bisedimet nisën, marrëveshja nuk u konkretizua dhe Osmani mbeti një dëshirë e parealizuar. Ndoshta këtë herë, kushtet janë pjekur.

Osmanët dhe Vlora, një koincidencë interesante

Një koincidencë interesante shoqëron këtë situatë. Sa herë që në Vlorë përmendet mbiemri Osmani, vëmendja shpesh shkon edhe drejt “Osmanit turk”. Aktori i njohur Burak Özçivit, protagonisti i serialit “Osmani”, vizitoi Vlorën në qershor 2025, në periudhën kur pritej trajneri Qatip Osmani. E njëjta situatë është përsëritur edhe në fillim të këtij janari, ku Özçivit është rikthyer në qytetin bregdetar si i ftuar i presidentit Sinan Idrizi. Ironikisht, teksa Osmani turk ndodhet në Vlorë, Osmani korçar është vetëm një firmë larg veshjes kuqezi. Tashmë gjithçka varet nga një takim dhe një vendim në zyrat e Federatës.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL