Talentet e akademisë së Partizanit, klubi i kuq nuk “guxon” t’u besojë
Kemi shembuj nëpër botë kur në situata të vështira klubet janë bazuar te lojtarët e akademisë dhe kanë arritur të ringrihen sportivisht, duke fituar trofe, por edhe duke rritur aspektin e tyre financiar. Te Partizani ka një situatë të ngjashme sa i përket vështirësive, por duket se lojtarët e rinj të rritur në akademinë e klubit nuk janë të preferuar ose nuk kanë cilësinë për të bërë kapërcimin e madh.

Partizani po kalon kohë të vështira në rezultate, pasi ka larguar të gjithë lojtarët kryesorë, teksa as merkatoja nuk ka qenë brilante sa duhet. Megjithatë, as kjo nuk ka shtyrë që të ketë përdorim apo mbështetje më të gjerë të lojtarëve të akademisë.
Në skuadrën aktuale të Partizanit, të rinjtë e rritur në akademi e kanë pasur të vështirë të depërtojnë në 11-she në këtë sezon. I vetmi që mund të përmendim, është Gjergji Kote, i ardhur në vitin 2023 te “Demat” nga Internacionali. Në fillim të sezonit, iu dha një dorë Rifës, por i riu më pas u kalua në plan të dytë dhe u largua.
TË HUAJT – Sakaq, ekipi B duket sikur po shërben për të testuar lojtarët e huaj që vijnë më kosto të ulët nga jashtë dhe për t’i integruar më pas në ekipin e parë. Një shembull i tillë janë Mando dhe Jata. Në këtë aspekt, mund të themi se Partizani i ka idetë e qarta.
Vitin tjetër, kur ekipi të jetë në Kategorinë e Dytë, ekipi B, me shumë mundësi, do të jetë më frytdhënës, pasi ka disa lojtarë që po spikasin dhe mund të tregojnë veten në nivele edhe më të larta.
PANORAMASPORT.AL













