Synohet “tris”-i, Egnatia zbarkon në Durrës për rrugën e finales

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 10, 2026 | 8:43

Synohet “tris”-i, Egnatia zbarkon në Durrës për rrugën e finales

Egnatia zbret sot në Durrës për t’u përballur me Teutën në transfertë, në një ndeshje ku për 90 minuta gjithçka do të jetë e fokusuar te Kupa e Shqipërisë.

EGNATIA

Situata në kampin rrogozhinas duket optimale, pasi skuadra vjen pas fitores së rëndësishme në Vlorë dhe ka rikthyer qetësinë e munguar në kampionat. Ky moment pozitiv pritet të shfrytëzohet maksimalisht, pasi objektivi është i qartë: kalimi në raundin tjetër të Kupës është një detyrim. Trajneri dhe stafi teknik kanë kërkuar përqendrim maksimal, duke e konsideruar këtë sfidë si një nga më delikatet e sezonit. Edhe pse përballë është një Teutë që nuk po kalon momentin më të mirë, në ndeshje të tilla çdo detaj mund të bëjë diferencën dhe Egnatia nuk dëshiron surpriza.

SYNOHET “TRIS” – Egnatia është fituesja e dy edicioneve të fundit të Kupës dhe ambicia është e qartë: të bëhet “tris” në këtë kompeticion. Rruga drejt një tjetër trofeu nis pikërisht nga Durrësi dhe kalimi i këtij turi shihet si hapi i parë i domosdoshëm për kampionët në fuqi. Për këtë arsye, ndeshja e sotme merr një rëndësi të veçantë, pasi çdo gabim mund ta komplikojë ndjeshëm situatën në ndeshjen e kthimit. Në kampin rrogozhinas shpresojnë që të hedhin një hap të sigurt që sot, për të mos pasur presion dhe ankth në sfidën e dytë. Një rezultat pozitiv në transfertë do t’i jepte Egnatias qetësinë e nevojshme për ta menaxhuar më mirë kthimin dhe për të ruajtur energjitë edhe për kampionatin.

S’KA MË TABU – Deri sezonin e kaluar, Teuta konsiderohej e vetmja “tabu” për Egnatian. Rrogozhinasit kishin arritur të mposhtnin me radhë të gjitha ekipet në futbollin shqiptar dhe po fitonin gjithçka, por ndaj durrsakëve gjithmonë diçka mungonte. Situata, megjithatë, ka ndryshuar ndjeshëm këtë sezon. Në dy përballjet e zhvilluara në kampionat, Egnatia ka arritur të fitojë në të dyja rastet, si në shtëpi ashtu edhe në transfertë, me rezultatin minimal 1-0. Këto fitore kanë shërbyer jo vetëm për pikët, por edhe për të thyer një bllokim psikologjik që ekzistonte prej kohësh. Sot, Teuta nuk shihet më si një tabu, por si një kundërshtar që mund të mposhtet me organizim dhe disiplinë. Pikërisht ky fakt e bën Egnatian më të sigurt dhe më të qetë në prag të kësaj sfide. Një sezon më parë situata do të ishte ndryshe, pasi mungesa e fitoreve ndaj Teutës do të rëndonte ndjeshëm në aspektin psikologjik. Tani, me tabunë e thyer, shanset janë dukshëm më të mëdha dhe kampionët synojnë ta konfirmojnë këtë edhe në Kupë. Në fund, gjithçka do të vendoset në fushë, por Egnatia udhëton drejt Durrësit me bindjen se ky është një test që duhet dhe mund ta kalojë, për të vazhduar rrugëtimin drejt një tjetër trofeu historik.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL