Superiorja jeton me paratë e UEFA-s, 16.6 milionë euro nga Kupat e Europës
Shqipëria mbahet nga paratë e Europës. Në shtatë sezonet e fundit, duke përfshirë edhe përfitimet e tanishme, fitimi nga klubet shqiptare për pjesëmarrjen në kompeticionet europiane shkon në 16,640,000 euro.

Një shumë e madhe, nëse shihet kështu, por jo aq sa më mund të kenë marrë shtetet e tjera. Gjithsesi, edhe kaq, Shqipërinë nuk e ulin poshtë. Me një llogari të thjeshtë, Shqipëria ka fituar 2.34 milionë euro për një sezon në Europë. Janë tetë skuadra që në shtatë sezone kanë marrë këto para dhe i kanë ndarë me njëra-tjetrën. Bëhet fjalë për Partizanin, Tiranën, Vllazninë, Egnatian, Laçin, Teuta, Kukësin dhe Dinamon. Sezoni më i mirë në Europë përsa i përket ekonomisë, është ai i pandemisë, me 2.7 milionë euro, por ky i tanishmi mund ta thyejë këtë rekord.

PARTIZANI DHE TIRANA – Kryeqyteti ka marrë “pjesën e luanit” për ndeshjet europiane. Të kuqtë kanë fituar 4,035,000 euro, ndërsa Tirana 2,905,000 euro. Me Dinamon që luan këtë sezon pas shumë vitesh mungesë, bëhen gati 7.5 milionë euro të fituara. Vllaznia, Egnatia dhe Laçi në shtatë sezone i kanë marrë më shumë se 2 milionë euro.
“Demat” janë gjithashtu skuadra që në një sezon të vetëm ka marrë më shumë para me plot 1,410,000 euro. Tirana ndjek me 1,220,000 dhe Teuta 1,110,000. Egnatia nuk e ka kaluar milionëshin, por, nëse kualifikohet me Dinamon e Minskut, do të marrë goxha dhe “1”-shen me siguri do ta thyejë.

IMPUTIMI – Në ekonominë e futbollit, kjo shumë mbi 16.6 milionë euro nuk është pak. Partizani ka imputuar 576,428.57 euro çdo sezon. Tirana 415,000 euro dhe Vllaznia 325,000. Egnatia është më e fituara se në tri sezone ka futur në thes 2,170,000 euro, pa shpërblimet e tjera.
OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL













