Sulmi më i mirë, trofeu i vetëm/ Qershori, momenti i kthimit. Ja situata te Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2025 | 23:25

Sulmi më i mirë, trofeu i vetëm/ Qershori, momenti i kthimit. Ja situata te Vllaznia

Nëse kishte një pikë të fortë në edicionin 2024-25 për ekipin e Vllaznisë, ai ishte shënimi i golave. Shkodranët ishin ekipi që kishin shënuar më shumë në kampionat pas 36 javëve të rregullta të tij. Me kuqeblutë që gjetën rrjetën 54 herë, duke lënë pas Dinamon me 49 gola dhe Egnatian me 47 rrjeta në favor gjatë zhvillimit të 36 raundeve.

vllaznia

Por jo vetëm reparti sulmues ka arritur të gjejë golat këtë sezon, pasi gjeografia e rrjetave ka qenë e shpërndarë mes shumë futbollistëve. Duke nisur nga mbrojtja ku Stojanoviç shënoi 3 gola e Bajrami 2 të tillë, teksa 1 herë shënoi edhe Spahija. Në mesfushë është Mala ai që mban “fronin” me 7 gola të shënuar. Prizrenasi ndiqet nga Qato me 3 gola e ndërsa nga 1 herë kanë shënuar edhe Sala, Kahrimanoviç dhe Deliu. Në sulm, absolutisht protagonist ka qenë Balaj me 17 golat e tij, plus dy në “Final 4”, që i dhanë edhe “Këpucën e Artë”.

Po ashtu në repartin e avancuar 6 gola shënoi Dodaj, 4 të tillë Gruda, 3 shënoi Çoba dhe me nga 1 gol në statistikat personale e mbyllën Delaj dhe Mensah. Një numër prej 14 futbollistësh që gjetën rrjetën në total për Vllazninë në edicionin 2024-25, që nga java në javë vërtetuan se shënimi i golave ishte pika e fortë e 9 herë kampionëve të vendit.

Pushimet tek ekipi i Vllaznisë kanë nisur që në datën 13 maj, menjëherë pas humbjes së finales së kampionatit ndaj Egnatias në shifrat 4-0.

Që nga ai moment, skuadra shkodrane është shpërndarë dhe titullarët e kuqebluve po shijojnë këtë periudhë për t’u çlodhur dhe pranë familjarëve të tyre, me disa prej elementëve kuqeblu që e kanë në pikëpyetje të ardhmen e tyre në Shkodër. Kjo jo vetëm për përfundimin e kontratës të disa prej futbollistëve që milituan këtë sezon në radhët e 9 herë kampionëve të vendit, por edhe performancën e tyre.

E tashmë me uljen në stol të Edi Martinit, një mendim vendimtar do i merret edhe trajnerit të ri për futbollistët që do e shoqërojnë gjatë sezonit 2025-26. Shkodrani, pavarësisht se ende nuk është prezantuar zyrtarisht para futbollistëve të Vllaznisë, nga sa mësohet, ka pasur komunikime të vazhdueshme me shumicën prej tyre gjatë javës. Për momentin, skuadra duket se do jetë absolutisht pushim edhe këtë javë.

Kjo edhe ndoshta për të përcaktuar përfundimisht largimet që diskutohen prej disa ditësh në Shkodër, teksa një kthim në fushën stërvitore të kuqebluve pritet në fundin e muajit maj ose në fillimin e qershorit.

PANORAMASPORT.AL