Suksesi i parë në një eliminatore me ngjyrat kuqezi! Debutimi me U-18 në vitin 1982 dhe kualifikimi historik
Nga UVIL ZAJMI
Cili është kualifikimi i parë për në fazën finale të një kampionati Europian të futbollit për një skuadër përfaqësuese kuqezi? Një histori, ndër të cilat dy i takojnë shekullit aktual, “Francë 2016”, i fundit “Gjermani 2024”, ndërsa dy të tjerat i përkasin shekullit të kaluar: “Helsinki 1982” dhe ajo me Kombëtaren Shpresa 1983-1984.
Ka qenë muaji mars 1982, në të parin konkurim, debutim në atë kategori kontinentale moshe, përfaqësuesja kuqezi e 18-vjeçarëve do të luante në fazën finale të asaj veprimtarie europiane. Por çfarë ishte ai rrugëtim surprizë, që për kohën shënon një arritje të madhe? Një rezultat unikal, gati-gati i pabesueshëm, i pa regjistruar asnjëherë në të kaluarën? Pas katër dekadave, “Panorma Sport” i rikthehet asaj ngjarjeje të lënë në harresë, duke risjellë protagonistët, nga futbollistët, trajnerët dhe kundërshtarët e atij konkurimi befasues.
Si i kujton sot, Sulejman Demollari, kapiteni i parë i atij formacioni ndeshjet me Qipron, pastaj sfidat në “Final 4” në Helsinki të Finlandës. Përballja me Holandën e Van Bastenit dhe deri te ngjarja me arbitrin shqiptar Plarent Kotherja, të cilin UEFA e caktoi të drejtonte gjysmëfinalen, por për motive politike të kohës, nuk u lejua.
DEBUTIMI SURPRIZË ME KOMBËTAREN U-18
Ky është konkurrimi i parë zyrtar për një skuadër kombëtare shqiptare, në këtë rast U18, në një veprimtari kontinentale. Asnjëherë në të shkuarën një pjesëmarrje e tillë, por vetëm me ekipet Shpresa, përfshirë turnetë europianë dhe ato ballkanikë. Krejt ndryshe kjo e parë që do të startojë në mars të vitit 1982. Jemi në periudhën kur futbolli shqiptar me ardhjen e Mehdi Bushatit në drejtim të tij, është i pranishëm thuajse në të gjitha aktivitetet ndërkombëtare të organizuara nga UEFA dhe FIFA. Me përfaqësuese dhe klube. Ndonëse si një aventurë në nisje, me mjaft pikpyetje nga pas se si do të përfaqësohet kjo moshë në këto nivele të larta, cilët do të jenë lojtarët, trajnerët dhe rezultatet?
Formula ofron vetëm një ndeshje me sistem vajtje-ardhje dhe direkt në fazën finale që do të zhvillohej në Helsinki të Finlandës në fund të muajit maj 1982. Ndërkohë, në vitin 1981, për Kupën Ballkanike të kësaj moshe, të zhvilluar në Izmir të Turqisë, lojtarët e grumbulluar janë: Dashamir Vaqarri, Taulant Shahta, Mirel Josa (17 Nëntori); Ardian Balla (Apolonia); Ilir Bozhiqi, Artan Bushati, Pjerin Noga, Eduard Zhupa, Ismail Zinxhiria, Skënder Gega, Josif Gjergji (Shkëndija); Dashnor Dume (Naftëtari); Roland Iljadhi, Sokol Kushta (Flamurtari); Nefail Zhejani (Besëlidhja); Isak Pashaj (Vllaznia), Edi Barçi, Neritan Leka, Alfred Duka, Arian Stafa, Sulejman Demollari (Dinamo); Sabaudin Novalli (Lokomotiva). Trajnerë janë Miço Ndini dhe Durim Shehu. Nga ky grup do të përzgjidhen edhe futbollistët që do të jenë pjesë e skuadrës kombëtare U-18, që do të marrin pjesë në “Euro 82” të kësaj moshe.
SHORTI, DASHAMIRËS ME SHQIPËRINË
Nga shorti i korrikut 1981, janë 15 çifte, ku spikasin takimet Angli-Skoci, Austri-Itali, Portugali-Zvicër, Rumani-Bullgari, Greqi-Hungari, Uells- Holandë, Poloni-Suedi dhe ndër to, Shqipëri-Qipro. Finlanda si vend organizator merr pjesë direkt në fazën finale, ku do të jenë katër grupe me nga katër skuadra secila. E para e çdo grupi luan në gjysmëfiale, ndërsa pastaj është finalja. Takimi i parë me Qipron do të luhet në Tiranë. Skuadra përfaqësuese ka kohë që ka nisur përgatitjet, por cilët janë futbollistët në këtë debutim historik, ata të rinj, që do të firmosin kuaifikimin e parë epik kuqezi e në pak kohë, do të jenë protagonistë edhe në kombëtaren e madhe?
Ilir Bozhiqi, Skënder Gega, Josif Gjergji, Ismail Zinxhiria (Shkëndija); Sulejman Demollari (Dinamo); Dosti (Labinoti); Ropi, Gilbert Rapo (Skënderbeu); Roland Iljadhi, Sokol Kushta (Flamurtari); Shkëlqim Fana, Risto Cuci e Edmond Bilbili (Partizani); Arben Kodra (Traktori); Isak Pashaj (Vllaznia); Artur Lekbello, Edmond Durbaku (17 Nëntori); Flamur Guga, Shyqyri Shala, Arben Mërtiri (Besa); Dashnor Dume (Naftëtari). Trajnerë: Bahri Ishka, me ndihmësit Fisnik Kosova, Neptun Bajko dhe Resul Ahmeti. Takimi do të luhet në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” të mërkurën, më 10 mars, ora 15.00. Një 90-minutësh që pritet me kurreshtje dhe entuziazëm për një rezultat premtues, që jep shpresë për sfidën e kthimit.
FITORJA 4-0, SHKËLQEJNË KUSHTA DHE DEMOLLARI
Në prani të një numri të madh spekatatorësh, Shqipëria U-18 në të parin takim për eliminatoret e Europianit do të regjistrojë debutimin historik të saj kundër Qipros. Dhe fundi i atyre 90 minutave, do t’i kënaqë të gjithë, për mënyrën si u zhvillua loja, rezultatin e thellë 4-0 dhe tejet premtues. Djemtë 16, 17 dhe 18-vjeçarë kanë triumfuar thellë, në një sfidë ku ekipi vendës është zot i fushës, duke dominuar totalisht. Një lojë plot nerv, temperament dhe cilësi.
Në shkrimin e tij, gazetari i paharruar, Nexhat Gjuzi, në gazetën “Sporti”, shkruan: “Gjithcka nis më vrull karakteristik që jep golin e parë, tejet i bukur realizuar me mjeshtëri nga Demollari në minutën e 12-të. Qipriotët, një skuadër modeste, që ka eksperiencë në të tilla aktivitete, shfaqet e pasigurt në mbrojtje, por ndryshe në mesfushë e sulm, ata kanë fantazi. Ndonëse jo me pretendime të mëdha, ata vunë në provë aftësinë e portierit të talentuar, Guga, të mbrojtësave Dume, Iljadhi, Pashaj e Gjergji.
Pjesa e parë, e luajtur 40 minuta (kështu e ka përcaktuar rregullorja për atë moshë), është mbyllur 1-0. Epiqendër e veprimeve taktike kuqezi mbetet Demollari, i cili është gjakftohtë, i saktë dhe realizues i aftë. Dhe shohim teksa shënon plot intuitë edhe golin e dytë. Del në pah loja e tij, sepse mbështetet mirë nga 16-vjeçari, aq i devotshëm Lekbello, nga Rrapo organizator i padukshëm. Ndërsa në sulm Kushta, Zinxhiria, e sidomos Zhupa, do të interpretojnë aq lirshëm e me finesse, duke mbetur përherë rrezik serioz për kundërshtarët. Po aq sa ishte më vonë Gega dhe 17-vjeçari Shala. Dy golat e mëvonshëm, i 3-ti (autogol) dhe i katërti i realizuar bukur nga Kushta, ishin produkt i lojë sonë bllok, e plot temperament nga i gjithë ekipi, duke luftuar për topin e parë. Një fitore e merituar kuqezi, e para, në këtë ballafqim, një meritë e padiskutueshme e stafit teknik, trajnerit Bahri Ishka, duke zhvilluar një lojë sulmuese”. Më 7 prill është ndeshja e kthimit.
E MËRKURË 10 MARS, 1982, ORA 15:00,
STADIUMI KOMBËTAR “QEMAL STAFA”
Shqipëri-Qipro 4-0 (1-0)
GOLAT: Demollari 12’, 42’, Zaharias 72’ (aut), Kushta 75’
SHQIPËRIA: Guga, Gjergji, Dume, Pashaj, Iljadhi, Lekbello, Kushta, Rrapo, Demollari, Zinxhiria (Gega), Zhupa (Shala).
Trajner: Bahri Ishka
QIPRO: Harri, Zaharias, Palekotis, Vasiliu, Elia, Kristoforou, Andreu, Gregoriu, Kristostomu, Sofroniu, Harallamus (Kristodolou).
ARBITRA: Kuti Shnador (Hungari), asistentë: Hiqmet Kuka, Arsen Hoxha (Shqipëri);
LARNAKA E KUALIFIKIMIT HISTORIK TË KUQEZINJVE
Drejt Qipros, skuadra shqiptare ka në përbërje këta futbollistë: Sotir Shkurti, Flamur Guga (Besa); Josif Gjergji, Eduard Zhupa, Ismail Zinxhiria Skënder Gega (Shkëndija); Dashnor Dume (Naftëtari); Roland Iljadhi, Sokol Kushta (Flamurtari); Isak Pashaj (Vllaznia); Mirel Josa, Artur Lekbello (17 Nëntori); Gilber Rrapo (Skënderbeu); Sulejman Demollari, Sefedin Raxhimi (Dinamo); Shkëlqim Fana (Partizani). Trajnerë janë: Bahri Ishka dhe Resul Ahmeti. Përgjegjës ekipi Gëzim Nushi, anëtar i kryesisë së FSHF-së. Siç shihet ka një ndryshim në grupin e futbollistëve.
Ndeshja do të luhet në Laranaka dhe nga takimi i parë ka disa ndryshime. Nuk luajnë portieri Gugu, Zinxhiria, ndërsa Josa e Raxhimi aktivizohen për herë të parë. Pas kthimit në Tiranë, Gëzim Nushi, në gazetën “Sporti”, shkruan:
“Minutat e para janë të qipriotëve, të cilët ushtrojnë presion në portën tonë dhe duke përfituar nga një vendosje e gabuar e mbrojtjes, Hrisostomu në minutën e 3-të godet shtyllën e portës së Shkurtit. Minuta e 26-të, Raxhimi gjuan nga afër me kokë, por Hari pret. Një minutë më vonë, Shkurti kryen pritjen e tij më të vështirë gjatë gjithë ndeshjes, duke u hedhur në këmbët e Hristofout dhe shpëtuar portën. 10 minutat e fundit të kësaj pjese janë më të mirat e skuadrës sonë. Kështu në 33-ën, Demollari gjuan nga rreth 20 metra dhe Harri e nxjerr topin jashtë. Në 35-ën Kushta godet topin me kokë, por ai përplaset në shtyllë. Më pas Demollari gjuan paksa mbi shtyllë. Demollari gjuan dhe përsëri Hari e devijon jashtë topin. Në minutën e 39-të, Kushta vonohet, duke humbur një rast të favorshëm.
Pjesa e dytë: Në 48-ën mbrojtësi Pashaj duke lënë të zbuluar Kandilos, i krijoi mundësi atij të shënojë golin e parë. Pësimi i golit e tronditi skuadrën tonë. Nga kjo, përftojnë vendësit, që shtojnë presionin dhe në 57-ën, Hristomutos, me kokë nga afër realizon golin e dytë, duke shfrytëzuar edhe një dalje të gabuar të Shkurtit. Në 62-ën, Dume e mban së tepërmi topin, qipriotët ja rrëmbejnë dhe Marinos për pak e çon në 3-0, por gjuajtja e tij pritet nga Shkurti. Ky ishte edhe rasti i fundit i tyre, pasi loja e vendësve ka rënie të theksuar. Kështu iniciativa kalon në duart e futbollistëve tanë dhe në 76-ën, Kushta ka rastin më të mirë për të shënuar, kur i ndodhur përballë portierit Hari, gjuan në duart e tij. Ndeshja u mbyll 2-0 për Qipron.
Ekipi shqiptar u paraqit larg mundësive, kjo pasi nga mjaft futbollistë u shfaq loja individuale, që u pa më shumë te Demollari, Rrapo, Kushta, Zhupa e Dume. Me rendiment të kënaqshëm luajtën Gega, Josa, Gjergji dhe Raxhimi”.
Sodoqoftë, skuadra kombëtare e kësaj moshe, është kualifikuar, duke siguruar fazën finale, atë “Final 4” që do të zhvillohet në Helsinki të Finlandës. Suksesi është i madh, hera e parë për futbollin shqiptar një arritje e tillë.
LARNAKA, E MËRKURË ME 7 PRILL, ORA 10:00
Qipro-Shqipëri 2-0 (0-0)
GOLAT: Kandilos 48’, Hristomutos 57’
QIPRO: Hari, Zahariu, Stefanu, Pelehiritis, Grigoriu, Tofaris, Kandilos, Andrelis, Hrisstoforu (Marinos ’41), Sofroniu, Hrisostomu (Protopapas 78).
SHQIPËRIA: Shkurti, Gjergji (Dume 48), Gega, Iladhi, Pashaj, Josa, Demollari, Rrapo, Kushta, Raxhimi, Zhupa.
Trajner: Bahri Ishka
ARBITËR: Selomir (Rumani);
KUQEZINJTË E RINJ, DREJT FINLANDËS PËR HERË TË PARË
Përfaqësuesja e të rinjve të Shqipërisë, nën moshën 18 vjeç, do të marrë rrugën drejt Finlandës më 18 maj 1982. Ekipi kryesohet nga zëvendëskryetari i Përgjithshëm i BFSSH-së, Kristaq Miço.
Sërish ka ndryshime në grupin e lojtarëve që do të nisen në Helsinki: Halim Durimi, Josif Gjergji, Skënder Gega, Eduard Zhupa (Shkëndija); Flamur Guga (Besa), Adnand Ocelli, Edmond Bilbili (Partziani); Hysen Zmijani, Isak Pashaj (Vllaznia); Artur Lekbello, Mirel Josa (17 Nëntori); Sulejman Demollari, Sadedin Raxhimi, Edi Barçi (Dinamo); Gilbert Rapo (Skënderbeu); Sokol Kushta (Flamurtari). Trainer: Bahri Ishka dhe Miço Ndini. Së bashku me ekipin është edhe gjyqtari i ndërkombëtar, Plarent Kotherja, i cili do të gjykojë në finalet e këtij turneu.
Ekipi shqiptar bën pjesë në Grupin D, së bashkë më Skocinë, Holandën dhe Turqinë. Në këtë fazë finale, marrin pjesë 16 skuadra, dhe e para e çdo grupi do të luajë në gjysmëfinale: fituesja e grupit A me atë C dhe ajo e grupit B. Më 30 maj në stadiumin “Olimpik” të Hesinkit dhe të zhvilohet finalja. Po atë ditë do të luhet edhe për vendet 3 dhe 4. Grupet janë këto – “A”: RFGjermane, Irlanda, B. Sovjetik, Austria. Grupi “B”: Bullgari, Spanjë, Poloni, Belgjikë; Grupi “C”: Çekosllovakia, Finlanda, Portugalia, Hungaria. Spikasin takimet Austri-RFGjermane 4-1, B.Sovjetik-RFGjermane 1-0, Bullgari-Spanjë 2-1, Poloni-Spanjë 1-0, Belgjikë-Spanjë 3-1, Poloni-Belgjikë 1-0, Portugali-Hungari 2-1, Finlandë-Hungari 3-1, Portugali-Çekosllovaki 1-1, Çekosllovaki-Hungari 2-0, etj. Për më tej, kualifikohen, Bashkimi Sovjetik, Polonia, Belgjika dhe Skocia.
TRIUMFON SKOCIA, REAGON SHTYPI
Në tri takimet e luajtura ai ka qenë një përfaqësim modest, pozitiv, kështu duhet konsideruar, kur dihen faktorët, ndonëse pretendimet ishin për më shumë. Hera e parë në një “Final 4” të tillë europian, mungesë eksperience dhe kundërshtarët ndër më të fortët, si Skocia e Holanda. Ndërsa dy sfidat e para, u mbyllën me humbje, ndryshe ajo me Turqinë, e cila u zhvillua me rivalitet.
“Që në minutën e 5-të turqit kaluan në avantazh, por ka reagim nga skuadra shqiptare dhe Kushta do të barazojë në 40-ën. Epërsia kuqezi vazhdoi edhe në të dytën, por pa mundur të shënojnë””, lexojmë në shtypin vendës, i cili vijon komentin: “Skuadra shqipatre duhet të arrinte fitoren. Loja ishte mjaft tërheqëse dhe interesante, ku u dallua Demollari, Kushta, Rrapo e Zmijani”. Në përfundim, portieri Durim Halimi mori cmimin e portierit më të mirë të skuadrave të grupit “D”. Gazeta e përditshme vendëse “Etela-Suomi”, për ndeshjen Skoci-Shqipëri , do të shkruante: “Ekipi shqiptar u përpoq shumë të tregojë aftësitë ndaj skuadrës tashme të njohur të Skocisë. Nuk duhet të harrojmë të përmendim lojtarin shqiptar Sulejman Demollari, i pasuar nga Mirel Josa”.
Ndërsa për ndeshjen me Holandën, po kjo gazetë do të citonte: “Holanda e pati tejet të vështirë për të fituar. Shqiptarët zhvilluan një ndeshje shumë të mirë, por megjithatë humbën. Për 19 minuta, ata patën epërsi të dukshme ndaj skuadrës holandeze. Ritheksojmë edhe një herë, që një shtytje të mirë i dha skuadrës kapiteni i saj, Demollari, i cili u dallua për aftësi organizuese. Gjithashtu, vlen të përmendim edhe lojën e mirë të Sokol Kushtës dhe Isak Pashajt”.
Rezultatet në Grupin D: Skoci-Shqipëri 3- 0; Holandë-Turqi 3-1; Skoci-Turqi 2-0; Holandë-Shqipëri 3-1 (Josa); Skoci-Holandë 1-1; Shqipëri-Turqi 1-1 (Kushta).
Renditja finale: Skocia 5 pikë (2/1/0 gol: 6-1); Holanda 5 pikë (2/1/0 gol: 7-3); Turqia 0 pikë (0/1/2 gol: 2-6; Shqipëria (0/1/2 gol: 2-7).
Gjysmëfinale: Çekosllovaki-Bashkimi Sovjetik 1-0 dhe Skoci-Poloni 2-0;
Për vendet 3-4, Poloni-Bashkimi Sovjetik 1-3;
Finalja: Skoci-Çekosllovaki 3-1.
ISH-ARBITRI NDËRKOMBËTAR
Plarent Kotherja: Si ma mohuan gjysmëfinalen
Si një arbitër i gjeneratës së re të gjykimit shqiptar, me perspektivë, i caktuar në atë turne, Plarent Kotherja kujton me nostalgji ndeshjet në Finlandë.
“Ishte hera e parë që merrja pjesë në një veprimtari të tillë ndërkombëtare. Sapo kisha marrë stemën e FIFA-s dhe vatja në Finlandë. Ishte një sinjal i mirë, që hapte dhe krijonte hapësira, perspektiva edhe për arbitrat e tjerë shqiptarë, kur aktiviteti ynë jashtë shtetit ishte i kufizuar. Arbitrova tri takime në fazën e grupeve: Kryesor RFGjermane-Irlandë 1-0, dhe si asistent Spanjë-Poloni 0-1, Bullgari-Poloni 0- 0”, kujton Kotherja për “Panorama Sport”.
Nga Komiteti e Arbitrimit të UEFA-s, të pranishëm në atë turne e kanë caktuar të drejtojë gjysmëfinalen Çekosllovaki-B. Sovjetik. Por, arbitri shqiptar Plarent Kotherja nuk do të dalë në fushë, për faktin e vetëm se luan Bashkimi Sovjetik, edhe pse janë 18-vjeçarë.
“Më urdhëruan që të mos e pranoja, pasi diheshin raportet e Shqipërisë me atë shtet. Mirë që nuk luanim kundër tyre, por as t’i arbitroje, ishte e pamundur, e ndaluar. Nuk u mor në konsideratë vlerësim që një shqiptar do të drejtonte një gjysmëfinale Europiani. Kjo do të krijonte raporte të reja për arbitrimin shqiptar në të ardhmen me UEFA-n. Pasi u konsultova me drejtues të delegacionit tonë, refuzimit tim, sigurisht nga zyrtarët e UEFA-s, pati një stepje, sepse nuk e prisnin. E kujtoj mjaft mirë situatën që u krijua. Unë isha arbitër i ri, i caktuar të drejtoja gjysmëfinale të një Europiani të U-18, të cilën e ëndërronin të 16-të arbitrat që ishin aty, por ta refuzosh dhe për çfarë motivi ishte e papranueshme. Në vijim, nuk më aktivizuan, pati një pauzë të gjatë”, mbyll rrëfimin ish-arbitri i FIFA-s.
Intervistoi: UVIL ZAJMI
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"