Strategjia e Bylisit, shitjet dhe e ardhmja me talente
Bylisi, me mbylljen e sezonit 2025–2026, zuri vendin e parafundit në renditjen e Kategorisë Superiore, që do të thotë se vitin tjetër do të luajë në Kategorinë e Parë. Ndërkohë, në Ballsh pritet një ndryshim i rëndësishëm në strukturë. Te mallakastriotët duket se këtë verë strategjia do të jetë ndryshe, në përgatitjet për sezonin e ri.

Bylisi në sezonin e shkuar kishte lojtarë nga U-19 dhe ekipi B, të cilët u përpoqën të integrohen si titullarë edhe në skuadrën e parë, duke lënë gjurmë, si Sahid, Adepoju, Buraneli, Emini dhe disa emra të tjerë me të ardhme. Por, natyrisht, ndryshe nga sezoni i kaluar ku ka pasur konkurrencë dhe shumë lojtarë me eksperiencë, në vitin që vjen klubi ka menduar një strategji tjetër. Pritet që të shiten disa lojtarë nga ata që kanë qenë pjesë e formacionit bazë. Gjithashtu do të ketë edhe 2–3 largime, pasi disa lojtarëve u ka përfunduar kontrata me mallakastriotët.
Kështu, në Ballsh pritet një ndryshim thuajse i plotë i përbërjes së skuadrës. Klubi do të afrojë elementë nga ekipi B, si dhe nga ekipi U-19. Gjithashtu, nuk do të lihen jashtë vëmendjes as dy ekipet e akademisë, të cilat mbeten furnizuesi kryesor i ekipit të parë në vitet e fundit.
Pra, klubi synon të mbushë boshllëqet dhe të ndërtojë një ekip me ambicie për vitin që vjen, duke u hapur rrugë talenteve që të fi tojnë eksperiencë dhe më pas të shiten brenda dhe jashtë vendit, siç ka ndodhur në dy dekadat e fundit në Ballsh.
SKEMA – Mallakastriotët shpresojnë që pas “Final Four”-it të marrin verdiktet zyrtare dhe të nisin organizimin për sezonin e ri. Nëse do të jenë në Superiore, planet ndryshojnë, pasi ekipi do të jetë më i fortë se ai i vitit të kaluar. Ndërsa në rast të kundërt, nëse luajnë në Kategorinë e Parë, në Ballsh do të nisë një cikël i ri për skuadrën e futbollit.
Ky cikël do të nisë nga stafi , ku Mirel Josa nuk është aspak çudi që të jetë timonieri dhe trajneri kryesor, i cili do të ketë në vëmendje dhe besimin për të ndjekur edhe strukturën e akademisë, duke u mbështetur në eksperiencën dhe sukseset e tij si trajner në futbollin shqiptar, si me klubet më të mira, ashtu edhe në punën e tij të mëparshme në Ballsh.
Erjon Saliu – PANORAMASPORT.AL













