Stoli në “flakë”, ja skenari në Vlorë për pasuesin e Morieros te Flamurtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2026 | 23:50

Stoli në “flakë”, ja skenari në Vlorë për pasuesin e Morieros te Flamurtari

Françesko Moriero i ka ditët të numëruara në Vlorë. Trajneri italian është drejt largimit. “Panorama Sport” zbulon prapaskenat e klubit lidhur me çështjen e trajnerit.

moriero

Gjasat janë që palët të ulen dhe të diskutojnë për zgjidhjen me konsensus të plotë të marrëveshjes me Morieron, për të shmangur efektet financiare. Bordi i drejtuar nga Sinan Idrizi po diskuton mundësinë që deri në fund të sezonit skuadra të drejtohet nga Andi Ribaj dhe Lejdi Liçaj. Mësohet se Idrizi ka mbetur i kënaqur nga ndeshja e Flamurtarit me Partizanin për mënyrën e menaxhimit nga dyshja Ribaj-Liçaj, pavarësisht humbjes, dhe mund t’u besojë drejtimin e skuadrës.

Të dy zëvendëstrajnerët e njohin mjaft mirë ambientin, pasi prej vitesh japin kontributin e tyre te kuqezinjtë si futbollistë dhe, vitet e fundit, si pjesë e stafit teknik. Ka edhe dy skenarë të tjerë. Në ambientin sportiv në Vlorë po flitet edhe për dyshen Gentian Mezani dhe Eqerem Memushi. Ata pëlqehen edhe nga tifozët dhe kanë kuota të larta për të marrë bashkë drejtimin e Flamurtarit në një situatë delikate. Ndërsa pista tjetër është ajo e Julian Ahmatajt, i përfolur edhe më parë.

ZV.TRAJNERI RIBAJ Andi Ribaj drejtoi Flamurtarin të dielën si trajner, në mungesë të Françesko Morieros, dhe foli për gazetën pas ndeshjes me Partizanin. Ai thotë se ka ende ndeshje përpara dhe se nuk ka mbaruar asgjë. Sipas tij, pikët do të rikuperohen. “E filluam mirë lojën me Partizanin dhe shënuam që në fillim. Në pjesën e parë u munduam të prisnim në zonën dy. Ekipi e arriti mjaft mirë këtë gjë që kërkoi stafi teknik. Ata i plotësuan kërkesat që ne kishim dhe detyrat që u dhamë. Më vjen keq që humbëm, por nuk jemi të dorëzuar. Përpara ka shumë ndeshje të tjera dhe ne do të bëjmë maksimumin tonë. Unë besoj shumë se këto pikë do t’i rikuperojmë deri në fund të kampionatit”, shprehet Ribaj.

KAMPIONATI Andi Ribaj thekson se kampionati është i vështirë. Sipas tij, skuadra duhet të punojë me kokën lart. “Çdo ndeshje e kampionatit shqiptar është e vështirë. Fundi i sezonit nuk është i mirë për asnjë ekip. Duhet të punojmë dhe të ecim me kokën lart për t’u ngjitur në tabelë”, shprehet numri dy i pankinës. I pyetur nëse u favorizua Partizani nga arbitrat, Ribaj u përgjigj: “Mua nuk më takon të flas për këtë çështje. Atë e shikojnë dhe e vendosin njerëz të tjerë nëse u favorizua apo jo”, përfundoi Ribaj.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL