Stërvitje intensive për Europën, por te Partizani ruhen nga dëmtimet
Partizani prej afro dy javësh është vënë nën urdhrat e trajnerit Gega, me qëllim përgatitjen për ndeshjet e Ligës së Konferencës, ku objektivi është kalimi i një apo dy tureve, në varësi të lëvizjeve dhe përbërjes që skuadra do të ketë deri në fillim të korrikut, kur do të luhen edhe ndeshjet e raundit të parë.

Në dispozicion të trajnerit Gega janë vënë thuajse të gjithë lojtarët, shto edhe disa djem nga akademia. E paqartë mbetet ende situata e Bintsukës. Sa i përket stërvitjes, Gega vijon me seancat e forta, fizike dhe të lodhshme. Vrapimet e gjata dhe ushtrimet atletika janë kryefjala e këtyre ditëve, teksa edhe aspekti tekniko-taktik gjithashtu ka hapësirën e vet, me trajnerin që po përpiqet të perfeksionojë sa më shumë manovrën e vet.
Një sforco tjetër futbollistët i pret edhe në fazën përgatitore që do të zhvillohet në dy javët e fundit të këtij muaji. Deri më tani, përveç ndonjë shqetësimi muskulor pa pasoja të rënda, lojtarët kanë arritur të përballojnë ngarkesat dhe nuk ka dëmtime të rënda.
PANORAMASPORT.AL













