Statistikat kundër Tiranës, Ilir Daja është në ekulibër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2026 | 20:00

Statistikat kundër Tiranës, Ilir Daja është në ekulibër

Dinamo do të përballet nesër me Tiranën në kuadër të javës së 23-të të Superiores, aty ku do të synojë që të shkelmojë momentin e keq që po kalon. 4 ndeshje pa fitore dhe për më tepër pa shënuar asnjë gol, janë kthyer në kambanë alarmi te Dinamo, që tashmë duhet të reagojë kundër një Tirane që është shumë në formë dhe nuk njeh humbje prej 8 ndeshjesh.

Ilir Daja

Dy humbjet e fundit në derbi, pikërisht ndaj Dinamos e më pas ndaj Partizanit, kanë qenë të fundit për Tiranën për këtë sezon dhe në 8 ndeshjet e tjera, ka pasur fitore e barazime. Edhe për trajnerin Daja, që është një ish-trajner i Tiranës dhe figurë e dashur në kampin bardheblu, është një ndeshje e vështirë. Në total, Daja është përballur plot 27 herë me Tiranën dhe këtë e ka bërë me skuadra të ndryshme nga kampionati shqiptar. Në këto 27 takime, Daja ka arritur të fitojë 11 herë ndaj Tiranës, por gjithashtu e ka parë skuadrën e tij të mundet plot 10 herë nga bardheblutë. 6 ndeshje të tjera mes Dajës si trajner dhe Tiranës, janë mbyllur në barazime.

NDESHJET DIREKTE- Sa i përket përballjeve direkte të dy sezoneve të fundit, Daja ka ditur të marrë më të mirën ndaj Tiranës. Ai ka arritur të fitojë 2 sfida dhe është mundur vetëm 1 herë, ndërkohë që këtë sezon, Dinamo ka fituar të dyja përballjet me bardheblutë. Sfida e fundit mes tyre, ka hyrë edhe në histori si një nga ndeshjet me rezultatin më të thellë, pasi Dinamo arriti të fitonte me goleadë, duke shënuar 6 herë në portën e Tiranës, në atë fitore me shifrat 6-2.

Sfida mes Tiranës dhe Dinamos, do të luhet të shtunën në stadiumin “Selman Stërmasi”, duke nisur nga ora 13:30 dhe do të jetë e treta sezonale, teksa do të luhen edhe 3 të tjera, nga të cilat dy në Kupë e një në kampionat, ku ajo e Kupës do të zhvillohet gjatë mesjavës. Sfida e kthimit në Kupë, do të jetë në fillim të muajit mars ku fillimisht është Tirana pritëse e më pas, në ndeshjen e kthimit ku edhe përcaktohet gjithçka, do të jetë Dinamo skuadra pritëse. Blutë janë aktualisht edhe fituesit në fuqi të Kupës, që mundën sezonin e shkuar në finalen e madhe Egnatian, falë penalltive.

PANORAMASPORT.AL