Spektakël nga viti i shkuar në Kupë, ja statistikat e sfidave Dinamo-Vllaznia
Ditën e djeshme është hedhur shorti për Kupën e Shqipërisë në “Shtëpinë e Futbollit”. Goglat kanë rezervuar dy përballje shumë interesante ku Dinamo do të përballet me Vllazninë, ndërkohë që Egnatia do të ketë përballë Elbasanin. Të dyja cciftet kanë dhuruar spektakël deri më tani statistikat mes tyre kanë qenë interesante.

DINAMO – VLLAZNIA
Shorti ka rezervuar një përballje shumë interesante, pasi Dinamo City dhe Vllaznia do të ndeshen për të dytin vit radhazi në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, duke rikthyer në skenë një rivalitet që është ndezur ndjeshëm gjatë sezonit të kaluar. Në edicionin e kaluar, dy skuadrat u përballën në një gjysmëfinale shumë dramatike që dhuroi emocione deri në sekondat e fundit. Ndeshja e parë u zhvillua në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër dhe u mbyll me rezultatin 0-0, edhe pse të dy ekipet krijuan raste për të shënuar.
Takimi i kthimit në “Elbasan Arena” rezultoi spektakolar. Dinamo arriti të shënojë katër gola dhe kur kishin mbetur rreth 20 minuta nga fundi, kryeqytetasit kryesonin bindshëm 4-0, megjithatë, Vllaznia reagoi fuqishëm në pjesën e mbetur të ndeshjes. Shkodranët shënuan tre gola radhazi, duke e çuar rezultatin në 4-3 në minutën e 85-të dhe duke rihapur plotësisht takimin. Pavarësisht presionit në minutat e fundit, Dinamo arriti të ruante avantazhin dhe siguroi kalimin në finale.
Pikërisht nga ajo përballje lindi edhe një rivalitet i fortë mes dy skuadrave, i cili vazhdoi më pas edhe në përballjet e tjera mes tyre. Vllaznia arriti të marrë një formë “hakmarrjeje” në gjysmëfinalet e Final Four të Kategorisë Superiore, duke fituar 2-1, ndërsa tensioni dhe thumbimet mes ekipeve kanë vazhduar edhe gjatë sezonit aktual. Për këtë arsye, edhe këtë herë pritet që gjysmëfinalja Dinamo – Vllaznia të jetë një nga përballjet më të forta dhe më emocionuese të këtij sezoni në futbollin shqiptar.
EGNATIA – ELBASANI
Në gjysmëfinalen tjetër do të përballen Egnatia dhe AF Elbasani, dy skuadra që kanë treguar formë shumë të mirë gjatë këtij edicioni të Kupës së Shqipërisë. Të dy ekipet synojnë të shfrytëzojnë këtë mundësi për të siguruar një vend në finalen e madhe dhe për të shkruar historinë në këtë kompeticion. Sistemi vajtje-ardhje pritet të krijojë një duel të hapur, ku çdo detaj mund të bëjë diferencën.
Me dy përballje shumë interesante në program, gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë 2025-2026 premtojnë spektakël, rivalitet dhe emocione të forta në rrugën drejt finales së 13 majit, ku një nga këto katër skuadra do të ngrejë trofeun e këtij edicioni.
ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL













