Sabri Peqini, ikona e Dinamos që refuzoi Tiranën dhe u sakrifikua për… Partizanin
Nga FATMIR MËNERI

Nuk e di saktësisht se kur ka lindur! Ndonëse në letërnjoftimin personal është shkruar një datë, Sabri Peqini, në librin autobiografik “Një jetë me sportin” shkruan shprehimisht: “Sipas tregimit të Nanës: Unë kam lindur rreth viteve 1925- ‘26, në fshatin Cepë, në breg të liqenit të Merhojës…”. Nuk është nga ata për të cilët thuhet se “e ka harruar vdekja”. Sabriu, sot e kësaj dite, ngjit çdo mëngjes herët maloren e Gardës në Liqenin Artificial të Tiranës dhe shëtit andej për më shumë se dy orë. Me një gazetë sportive në dorë, kthehet e pi kafenë e mëngjesit fare pranë shtëpisë së tij, në kryqëzimin e rrugës “Tefta Tashko” (apo Rruga e Pishës, siç i thonë tiranasit) me atë “Fadil Rada”. “Sa u bënë? 13? Është edhe një…”. Nuk i kujtohet i 14-ti futbollist i Dinamos së parë. Dhe flitet për një ngjarje të kaluar 70 vitesh, por nuk heq dorë: “Edhe një herë: tre ishim ne nga Partizani; nga Durrësi, Taq Manushi, Qemal Vogli… ah, po, ka qenë Latif Fërmija, ai që harrova”. Një kujtesë brilante për ndodhi, data, emra e deri detaje, e një njeriu që edhe pse i ka kaluar nëntë dekadat mbi këtë tokë, nuk përdor syze!
SHPËTIMI SI TROFE
Një trajner natyrshëm ka dëshirë të flasë e të nxjerrë në pah trofetë; në të kundërt, po e pyete për gëzimin më të madh e ngjarjen më të shënuar në stolin e një skuadre, Peqini të thotë pa asnjë mëdyshje momentin kur e ka shpëtuar Elbasanin nga rënia. “Mungonin vetëm katër javë deri në fund të atij kampionati. Elbasani ndodhej në fund vetëm me 13 pikë. Më kërkuan me këmbëngulje që të shkoja. Shanset praktikisht ishin zero. Për fat, për një aktivitet ndërkombëtar të Shpresave, pati një ndërprerje gati trejavore të kampionatit, çka e shfrytëzova për stërvitje të gjithanshme me ekipin e sidomos në anën psikologjike që ishte përtokë. Pa e zgjatur: Shkuam në Shkodër e vendësit u çuditën se si një skuadër thuajse e rënë bënte atë rezistencë. Madje, në pamundësi për të na mundur, ndërhynë hapur te gjyqtari i ndeshjes, për ta pezulluar atë me sebepin se kishte shumë shi. Kundërshtuam, por ishim të vetëm. U shty për ditën tjetër, por qëndresa jonë ishte e njëjtë. Barazuam 0-0. U ngroh ambienti, por ndeshjen tjetër në shtëpi me vlonjatët dështuam. Sërish 0-0. Vinte transferta me Dinamon. Shpresa që kisha se mos lëshonin diçka ngaqë i kisha trajnuar e nxjerrë kampionë m’u shua që në kontaktin e parë me lojtarët blu: ‘Na ka dhënë urdhër të prerë Feçorr Shehu: Nëse lëshojmë, do të na degdisë në Martanesh!’ E prisja. Asnjëherë nuk kam pasur raporte të mira me të. U thashë djemve: ‘Duhet dyfish qëndresë’. Ia arritën, tjetër 0-0. Javën e fundit prisnim Tiranën. Nuk kishin pretendime për kampionat dhe e kaluam lehtësisht atë ndeshje, ndërkohë që Shkëndija në Tiranë e mundi Skënderbeun. U barazuam me pikë me korçarët dhe shkuam në ‘play out’. Barazuam 0-0 në Elbasan e po kështu në Korçë. Edhe shtesat nuk sollën ndryshim. Në serinë e penalltive, Jani Kaçi, portier i Skënderbeut, e priti të parën, por gjyqtari Met Myshku – u tregua vërtet trim – e anuloi, për lëvizje para goditjes. Shkoi 5-5. Në të gjashtën caktova një lojtar rezervë që më dukej më pa emocione. Dhe nuk më zhgënjeu. Shënoi. I gjashti i korçarëve e nxori jashtë: Ra Skënderbeu e qëndruam ne. Ndalova lojtarët të festonin në Korçë dhe u larguam shpejt nga qyteti. Ndaluam gjatë në Pogradec dhe në Elbasan shkuam pas mesnate. Por, që në hyrje të qytetit po na prisnin. Për fat, kisha hipur në një veturë dhe shkova drejt e në hotel, duke iu shmangur turmës. Tifozët, duke pasur frikën se mos ndaj tyre policia merrte ndonjë masë ngaqë do të prishnin qetësinë në qytet, i kishin thënë shoferit: ‘Nxirre në afoljo (pa marsh) autobusin, se e shtyjmë ne. Të nesërmen, nga lokalet e qytetit ‘raportohej’ se nuk kishte mbetur mililitër alkooli në to…”.
SABRI PEQINI, I GJALLI QË PËRJETON SHUARJEN E NJË EMBLEME
Kohë para… Dinamos I internuar në Shijak nga Belshi në periudhën e regjimit të Mbretit Zog, që në moshën njëvjeçare, Sabri Peqini u rrit nga e ëma, një grua që duhet të ketë qenë e virtytshme dhe e sakrificës, çka kuptohet lehtë nga adhurimi që ka për të. Babai i tij, për shkak gjakmarrjeje, bënte jetën larg familjes e më pas, i bashkuar me kaçakë të tjerë, u kthye në shqetësim për regjimin e atëhershëm, derisa e burgosi dhe familjen ia shkuli nga Belshi. Është për këtë që Sabriu e ka si qytet të parë Shijakun. “Aty fillova të luaja, aty u formova edhe fizikisht”, thotë ai, duke nxjerrë në pah atë që të ushtruarit me futboll e not sidomos bënë që busti i tij të merrte përmasa optimale e forma muskuloze, aq sa gjatë tërë aktivitetit, nofka e tij kanë qenë “Tanksi” apo “Tarzani”. Sidoqoftë, aktiviteti zyrtar, nëse mund të etiketohet kështu, nis pas pushtimit të vendit nga Italia. Atëherë, edhe të organizuar nga grupet e komunistëve, janë krijuar skuadrat e para. Kështu edhe në Shijak, aty ku thotë: “Filluam të luajmë me skuadrat ushtarake italiane e më pas edhe me ato gjermane. Madje, mbaj mend se njëherë ka ardhur në Shijak edhe sportklub Tirana”. Në vitin 1946, me skuadrën shijakase, merr pjesë në kampionatin e Kategorisë së Parë që zhvillohej i ndarë në dy grupe. “Ishim në Grupin B dhe pavarësisht se nuk zumë vend nderi, unë isha golashënuesi më i mirë, ndërsa në grupin tjetër u shpall Pal Mirashi”, nis të bëjë “statistikë” Peqini. Kaq ka mjaftuar që emri i tij të hyjë në sallonet e futbollit të madh. Ai kujton se dy herë rresht, Selman Stërmasi e Adem Karapici, që ishin në atë kohë drejtues të sportklubit, kanë shkuar në Shijak për ta bindur Sabriun të vinte në Tiranë për të luajtur me skuadrën kryeqytetase, por ai ka refuzuar. Arsyeja tingëllon në kufijtë e absurdit: “Kisha frikë. Mendoja: Si do të luaj unë përkrah atyre lojtarëve që sapo kishin fituar Ballkaniadën?!” Deri në moshën 23-vjeçare qëndron në Shijak, ku në vjeshtën e 1949-ës e fusin në punë si inspektor në seksionin e arsimit e kulturës. Zgjat fare pak: vjen thirrja për ushtar dhe shorti e çon në Gjirokastër. Por, edhe aty nuk qëndron më shumë se një muaj e pak. Te Partizani tashmë kishin rastin ideal për ta thirrur “nën armë”. Vjen në Tiranë për të luajtur me skuadrën e kuqe, pa e ditur se për të po përgatitej një tjetër fanellë: ajo blu.
DINAMO E PARË
Duke kopjuar atë që ishte kthyer në praktikë në vendet e Europës Lindore pas Luftës së Dytë Botërore – krijimin e skuadrave nën çatitë e ministrive ushtarake, si dhe duke u nxitur prej forcës e popullaritetit që kishte krijuar ndërkohë Partizani – filluan lëvizjet edhe në Ministrinë e Brendshme. Nën shembullin e Dinamove të krijuara thuajse në të gjitha vendet e kampit socialist, me porosi të Mehmet Shehut, asokohe ministër i Brendshëm, u ngarkua zëvendësministri i parë, Kadri Hazbiu, së bashku me disa të tjerë, për të rekrutuar lojtarë nga e gjithë Shqipëria. “Fillimisht, në bazë të një marrëveshjeje të arritur, erdhën te Partizani. Në atë kohë, te të kuqtë kishte mbipopullim lojtarësh. Ata që erdhën, kërkuan Zihni Gjinalin e Xhevdet Shaqirin. Më pas, njëri prej tyre iu drejtua shefave të Partizanit: ‘Na jepni dhe atë çunin e ri’. Ishte fjala për mua. Kështu, u bëmë tre nga Partizani që shkuam tek ekipi që po krijohej”. LOJTARËT E PARË “Na çuan në hotel ‘Vollga’ (më pas hotel ‘Drini’, ngjitur me hotel ‘Plazza’). Ishim, si i thonë, dallëndyshet e para. Aty erdhi Hazbiu, që pasi na uroi mirëseardhjen, na kërkoi mendim se cilët mund të ishin të tjerët që do të vinin te Dinamoja, por edhe për problemet e futbollit. Shqetësimi i vetëm i tij ishte nëse mund të ndërtohej një skuadër që të përballonte Partizanin. Nuk kaluan shumë ditë dhe skuadra u konturua. U bëmë 14 futbollistë”, kujton Sabriu. Ja futbollistët e rekrutuar në shpërndarje gjeografike: Nga Shkodra: Bahri Kavaja, Pal Mirashi, Hamdi Bakalli Nga Durrësi: Qemal Vogli, Skënder Jareci, Taq Murati, Latif Fërmija Nga Kavaja: Qamil Teliti Nga Tirana: Besim Boriçi, Bule Vathi Nga Partizani: Xhevdet Shaqiri, Zihni Gjinali, Sabri Peqini Nga Korça: Koçi Sherko
TRAJNERI I PARË
Pak pasi hyri viti 1950, skuadra filloi stërvitjen. “Trajner i parë ka qenë Ludovik (Bik) Jakova, por nuk zgjati më shumë se dy muaj. E hoqën. Nuk di të them me siguri, por dyshoj se ka pasur ndonjë lidhje me denigrimin politik e civil që iu bë nga Enver Hoxha Tuk Jakovës, kushëri i tij, që deri në atë kohë ishte ndër udhëheqësit kryesorë të Partisë Komuniste”, thotë Peqini. Në krye të skuadrës u vu Zihni Gjinali, që do të ishte kështu lojtar-trajner.
GOLI I PARË
“Në mars 1950, datën e saktë nuk e kujtoj, filloi kampionati”, kujton titullari i premierës dinamovite. “Ndeshja e parë është luajtur në stadiumin kombëtar ‘Qemal Stafa’, kundër Besëlidhjes. Me gjithë përpjekjet tona, pjesa e parë u mbyll 0-0. Me të filluar e dyta, pas një aksioni të gjatë të skuadrës sonë, i gjendur fare pranë portës, kam shtyrë për në rrjetë një top. Ishte goli numër 1 i Dinamos!” Blutë shënuan edhe dy herë të tjera, 3-0 në përfundim të saj. DERBI I PARË Ka qenë vërtet një ndeshje e veçantë. Si për numrin e madh të tifozëve që kishte skuadra e kuqe, por edhe kërshëria e njerëzve për të parë se ç’ishte kjo skuadër e re që guxonte të sfidonte Partizanin e madh – në ato momente të para nuk mund të flitej për tifozëri të mirëfilltë të Dinamos – pritshmëria ishte e skajshme. “Ka qenë një ndeshje e bukur, plot rivalitet dhe me shumë emocione. Kemi fituar 1- 0 ndaj Partizanit me një gol të Bahri Kavajës”, ka një tis krenarie në fytyrën e Peqinit.
HUMBJA E PARË
Në eufori e sipër – fitoret rresht të Dinamos ishin me goleada, madje – u luajt transferta në Kavajë. “Nuk kemi marrë vesh asgjë se ç’po ndodhte: Brenda 20 minutash Sadik Merhori i vendësve na shënoi tre gola. Dhe të mendosh se deri në atë ndeshje nuk kishim pësuar asnjë gol! Edhe pse u shkundëm e u përpoqëm mjaft, sidomos në pjesën e dytë, nuk arritëm të shënonim më shumë se dy gola. Të mërzitur e të lodhur lamë fushën e lojës, ndërsa në Kavajë shpërtheu festa”, kujton Sabriu që shton se të nesërmen Kadri Hazbiu kishte shkuar për të takuar skuadrën. Lojtarët prisnin ndëshkime, por zëvendësministri u kishte dhënë kurajë, duke e pasur synimin gjithnjë e vetëm te Partizani.
TITULLI I PARË
Babai i gazetarisë sportive dhe i radiokronikës, Anton Mazreku, asokohe ishte edhe një nga punonjësit kyç të Federatës së Futbollit. Duke dashur ta bënte sa më intrigues kampionatin, kishte gjetur njëmendësinë për ta zhvendosur ndeshjen e fazës së dytë Partizani– Dinamo, në ditën e fundit të kampionatit. Do të luhej më 10 korrik, ditën e festës së ushtrisë gjatë periudhës së monizmit. “Ishim baras me pikë, ne i kishim mundur, por na kishte mundur Besa. Kishim vetëm një avantazh: Në bazë të rregullores, që ishte sajuar mbi bazë koeficientesh të golave të shënuar me ata të pësuar, edhe barazimi na nxirrte kampionë. U bë një ndeshje e luftuar. Në fund u fiksuan shifrat 2-2 dhe ne u shpallëm kampionë që në pjesëmarrjen e parë”.
TROFETË… RRESHT
Ka qenë një pesëvjeçar i dominuar totalisht nga Dinamoja. Katër kampionate rresht dhe 5 Kupa të Republikës (sot, të Shqipërisë). “Nuk na dilte kush përpara”, thotë jo pa mburrje Peqini.

DINAMO “E FUNDIT”
Pas lëvizjesh të panumërta në Shqipëri, si trajner shteti që ishte pas kualifikimit në Hungari, pjesën më të madhe të karrierës e ka me Elbasanin. “Kur u ktheva në atdhe, shkova në Elbasan me porosi të Manush Myftiut, meqë: ‘Populli atje të kërkon’, siç më tha ai kur më thirri në zyrë”. Me shkëputje të vogla, ka ndenjur mbi një dekadë atje. Për t’u kthyer te Dinamoja “e tij”, ku fiton dy tituj dhe medaljet e arta në spartakiadë. Është Dinamoja e Çeços. Është Dinamoja e treshes së famshme Përnaska – Zëri – Ballgjini. Është Dinamoja e Jani Ramës, Frederik Gjinalit, Faruk Sejdinit, Kujtim Çoçolit, Ibrahim Kodrës, Torez Çirakut, Gani Xhafës. Është ndoshta Dinamoja më e bukur e të gjitha kohërave. E denjë për të qenë… e fundit!
12 GOLAT E PËSUAR DHE PUSHKASHI
Nuk i kishte mbushur 28 vjeç dhe ishte në kulmin e formës sportive, aq sa ishte detyruar trajneri Zihni Gjinali që, Skënder Jarecin – “një nga lojtarët më elegantë e të zgjuar, që kam njohur”, kujton Sabriu – ta spostonte si mexallë të majtë (në sistemin 3-5-2 të asaj kohe, luhej me pesë sulmues: dy anësorë, alla; dy gjysmanësorë, mexalla dhe një qendërsulmues) për t’ia lëshuar vendin si pykë. “Nuk mund të them me siguri, por kërkesa ultimative për të më çuar në Hungari për studime për t’u specializuar si trajner futbolli, në një kohë kur mund të jepja ende shumë te Dinamoja, më ka lënë gjithnjë shijen e një dëshire të drejtuesve të Partizanit për të dobësuar skuadrën tonë, që ato vite ishte rivalja e vetme e tyre. As skuadra e as unë nuk e donim këtë lëvizje. Megjithatë, ishte një sakrificë që më vlejti për të ardhmen si trajner”. Në Hungari, në shkollën që nisi, pati fatin e madh të mësohej e trajnohej nga emra të mëdhenj të kohës në lëmin e teorisë së futbollit, si Arpad, që kishte botime të përkthyera në shumë gjuhë të botës, por edhe të kontakteve me big-ët e asaj kohe, si Pushkash, Koçish e Bozhik, pjesëtarë të përfaqësueses hungareze që trondiste botën e futbollit në ato vite. Edhe pse ishte ëndërr të takoje, bisedoje e shkëmbeje përvojë me të tillë lojtarë, Peqini druhej. “Ishte ende e freskët humbja poshtëruese në Budapest (12-0) ku dhe unë kisha luajtur”.
Por, një ditë, teksa ishin përballur, Pushkashi, që me sa duket, e kishte njohur Sabriun, me shpoti e kishte pyetur:
– Mos të ka rënë ndonjëherë rruga këtej?
– Po, – ishte përgjigjur me gjysmë zëri Peqini.
– Përse nuk tregon atëherë? – kishte këmbëngulur Pushkashi.
– Ç’të tregoj, që na keni bërë 12 gola? Pushkashi kishte qeshur me të madhe dhe kishte thirrur pranë edhe shokë të tjerë të asaj skuadre të famshme…
DUELET ME PARTIZANIN
“Ne luanim në fushë, por atje në tribunë ishte ç’ishte: luftë gjeneralësh e komandantësh. Duelet tona me Partizanin ishin pa dyshim ngjarjet më të spikatura të futbollit tonë për më shumë se një dekadë, deri kur 17 Nëntori nisi dominimin në mesin e viteve ‘60. Megjithëse ishte emocion i madh kur dilje në stadium e shihje gjithë atë popull, gjeja kohën t’i ngacmoja lojtarët e Partizanit. Kështu, kur rreshtoheshim në qendër të fushës dhe takoheshim me radhë me ta, u thosha: ‘Pse jeni zverdhur kështu, ndeshja s’ka filluar akoma… Aha, e paskeni humbur pa luajtur…!’ Ndër ata që më kanë mbuluar, veçoj Sllave Llambin e Ziçe Sakiqin. I pari, një lojtar i fortë, jo rrallë më ngacmonte me ndonjë goditje të lehtë te këmbët, më tepër për të më bezdisur e nevrikosur. Nën zë, i thosha: ‘Sllave, shih topin se po qe për forcë, të nxjerr te pista’”.
NDRYSHIMI ME RASTIN “PARTIZANI”
Po pse Partizani, deri para pak vitesh nën çatinë e Ministrisë së Mbrojtjes, mbijetoi e po rikthehet në pozicionet ku ka qenë për traditë, ndërsa Dinamoja, jo? “E kam një shpjegim për këtë, – sikur e pickon dikush Peqinin, – dhe kjo e ka zanafillën herët. Përveç faktit që ata ta Ministrisë së Mbrojtjes u treguan më të përgjegjshëm – ju kujtoj se terreni ku po investon presidenti i Partizanit është dhuruar nga shteti – ndërsa këta të së Brendshmes e kanë injoruar skuadrën e klubin në vijimësi, ka ekzistuar gjithnjë një keqkuptim. Nuk guxoj të them se ka qenë i qëllimshëm, por gjithsesi dashakeq. Që kur u krijua, skuadra e Dinamos u etiketua si skuadra e spiunëve. ‘Këta janë ata që të arrestojnë’, qarkullonte në atë kohë. Kjo, meqë në përbërje të ministrisë së linjës ishte dhe Sigurimi i Shtetit. Kjo mendoj ka qenë edhe arsyeja që, përkundër faktit që ishim të një cilësie, në mos më të mirë se Partizani apo Tirana, tifozët tanë nuk ishin të shumtë. Mbaj mend që, sidomos dashamirët e Tiranës, na vinin në lojë duke na thënë: ‘Dinamo ka një Zuk (kamionçina të asaj kohe) me tifozë!’”

DINAMO SOT
“Si e nxjerrë në rrugë të madhe. Pasi e lanë të merrte tatëpjetën e ishte vetëm një hap nga rënia në Kategorinë e Tretë (kështu vijon ta quajë Peqini, të Dytën e sotme) e kanë përzënë edhe nga shtëpia. I morën zyrat, pastaj trofetë (ka pasur një ngjarje të shëmtuar, qesharake, por edhe paditëse kur, gjithë ç’kishte fituar Dinamo si klub përfunduan në lokalin e një dashamirësi të saj), tani dhe fushat. Mirë që po bëhet një qendër e madhe sportive, po Dinamos kush do t’ia japë shtëpinë e marrë?”, gati bërtet ai, duke u orvatur më pas edhe të “poshtërojë” vetëm e vetëm për të ngacmuar dikë që ka ende diçka në dorë: “E di ç’më kujton Dinamoja e sotme? Erzenin e kohës sime të para 70 viteve: zhvisheshim ferrave, se nuk bëhej fjalë për dhoma apostafat për atë punë”. “Deri para pak kohësh kam qenë aktiv. Më thërrisnin, shkoja, diskutoja, debatoja dhe kisha ende ndonjë shpresë. Tani, jo, më duket se çdo gjë po shkon drejt zeros e Dinamo po shuhet. Vijnë e ikin lojtarë, nuk dihet kush është i parë, skuadra është kthyer si lipsare. Gjynah, një emër që ka bërë kaq shumë dhe jo vetëm në futboll! Turp e faqja e zezë!”, vulos Sabri Peqini.
KAPITEN PA… SHIRIT
Në vitin 2006, presidenti i asokohe, z. Alfred Moisiu, i jep titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”. Pasi kryhet ceremonia e rastit, presidenti, siç është për protokoll, me një gotë verë në dorë takon e bën biseda spontane me të ftuarit. Natyrisht i pari të cilit i afrohet është Sabriu. “Kisha marrë me vete foton e Dinamos së sapokrijuar dhe nisa t’i tregoja me radhë futbollistët, duke filluar nga Zihni Gjinali. Më bëri përshtypje se të gjithë i njihte. Kur erdhi radha tek unë, i thashë: ‘Ky këtu është Sabri Peqini, kapiteni i skuadrës’. ‘Po unë e di se kapiteni rreshtohet i pari’, më ndërpreu presidenti, por unë, si i thonë, hazërxhevap: ‘Them kapiten se i kam përcjellë të gjithë’, i thashë. Tej humorit, jam i vetmi i gjallë i Dinamos së parë; nder e respekt për të gjithë ata që kanë kontribuar ndër vite për atë fanellë”.
*Intervistë e përgatitur para pesë vitesh, porositur nga një revistë sportive që nuk e pa dritën e botimit…













