Fusha e Shallvareve, ku lindën Kryeziu e Lushta! Terreni mblidhte gjithë Tiranën, edhe Zogun e Hoxhën
Nga UVIL ZAJMI
Nëse sot do të kalosh para, mes apo pas pallateve të asaj zone në qendër të kryeqytetit, përballë Tajvanit, ku mund të jesh ulur për të pirë një kafe, nuk do të besohet nëse dikush do të tregojë se pikërisht aty pranë ka qenë këndi i goditjeve këndore, pika e penalltisë dhe një portë. Dikur aty ka qenë një fushë e famshme futbolli e një qyteti si Tirana, e quajtur Fusha e Shallvares.

Fusha e futbollit te Shallvaret
E ndodhur pikërisht tek ajo zonë, ndër dekada është quajtur me atë emër nisur nga disa motive, por edhe me ndërtimet e kryera aty, ato pallate edhe sot njihen si Pallatet e Shallvareve. Një emër që para viteve ‘50 simbolizonte pikërisht atë fushë të improvizuar në “stadium”. Madje edhe sot, kur flitet për atë zonë, menjëherë të vjen ndërmend fusha e futbollit. E jashtëzakonshme, tejet unike dhe e rëndësishme për kohën, e lidhur me dhjetëra ngjarje, ndeshje, personazhe, ekipe, arbitra, atletë, trajnerë, etj.. Aq më shumë kur sheh fotot dhe kur dikush të rrëfen si dëshmitar okular, pasi e ka përjetuar gjithçka në ato vite të gjysmës së shekullit të kaluar.
Duke iu referuar veprimtarive të nivelit kombëtar dhe ndërkombëtar të zhvilluara aty, në një rikthim tek ajo fushë, protagonist sot te “Panorama Sport” nuk është një personazh i sportit, por Orhan Sakiqi. Ai është me profesion inxhinier dhe ka një histori gati të pabesueshme personale, një fëmijëri dhe adoleshencë të kaluar pikërisht tek ai mjedis sportiv. Si i kujton ai takimet, lojtarët e deri te tribuna e sajuar në ballkonin e shtëpisë së tij, ku kanë qëndruar elita, qeveritarët e kohës, nga Mbreti Zog te Enver Hoxha… Tregon edhe përgatitjet për ballkaniadën e triumfit të ’46-ës, pikërisht në atë fushë. “Kam qenë 7 vjeç, ndiqja çdo mesditë stërvitjet e ekipit kombëtar, kam parë nga afër, kam njohur futbollistë nga Borici, Llambi, Teliti, portieri Pozeli, deri te trajneri Broçiç”, shprehet Sakiqi.

Inxhinieri Orhan Sakiqi duke folur për “Panorama Sport”
Z.Sakiqi, një histori që nis kur keni qenë shumë i vogël?
Kam jetuar në një shtëpi dykatëshe, unë mamaja dhe familja e dajës tim, Reshat Këlliçi. Përballë saj ishte fusha e futbollit. Isha fëmijë dhe me dramën familjare që përjetuam, me babanë e pushkatuar, fusha e Shallvares ishte një ngushëllim, kaloja kohën duke luajtur aty me bashkëmoshatarët, kushërinjtë e mi, Adnan Këlliçin, Faruk Bashën, vëllezërit Luan dhe Skifter Këlliçi.
Një informacion për lexuesit, pse ky emër, Shallvare?
Shallvare (brekushe në turqisht), sepse ajo fushë ka shërbyer më parë si shesh lojërash për garnizonin turk, që ndodhej fare afër saj, në atë zonë, përballë Bankës së Shtetit. Më vonë, rreth viteve 1916, sheshi ka shërbyer si pistë avionësh, kryesisht për ushtrinë austriake. Më pas u bë një mjedis sportiv tejet i rëndësishëm për kryeqytetin. Një fushë e tillë që në vitin 1937, ku nga harta e saj shikon se është e përmasave 104x65m. Nga jugu ka Lanën, pa shtëpi, ndërsa nga ana tjetër ka qenë ajo e Hoxhollit, ku banonte Tefta Tashko, e Ali Ypit, Osman Myderizit, klinika Basho, pikërisht te ish-shtëpia me gjethe, një ndërtesë që e tillë ka mbetur edhe sot. Prëballë nga lindja ishte Hotel “Dajti”.
Një fushë me vlerë të madhe për kohën?
Fusha mori vlera sportive pas themelimit të KS Tirana më 1920-ën. Sidomos kur në krye ishte Selman Stërmasi, madje shtëpia jonë nga vitet 1935-39 ka shërbyer si zyrë e klubit. E ndodhur në qendër të Tiranës, me kushte të mira teknike, me drejtim veri-jug dhe me përmasa sipas normave ndërkombëtare, falë edhe një pjerrtësie natyrale në të dyja drejtimet. Qenia e një toke suranore e bënte të mos mbante ujë, edhe pse pa asnjë lloj drenazhimi. Rreth viteve 1925 u bënë disa dhoma zhveshjeje, dhe më pas edhe pista e atletikës e shtruar me pluhur tullash. Mirëmbajtjen e fushës e kryenin Besim Hamdiu dhe një ndihmës të tij.

Shtëpia e Këlliçëve te Shallvaret
Edhe një park i madh sportiv?
Aty pranë saj, në sektorin verior të fushës së futbollit ka qenë edhe “Tenis Nallbani”, bashkë me parkun e lojërave, ku zhvilloheshin aktivitete të rëndësishme dhe masive për kohën. Kishte frekuentim të madh, por gjykoj që për këtë temë mund të flasim e ta trajtojmë një herë tjetër. Pasi edhe ato fusha kanë historitë e tyre, të lidhura me atë periudhë dhe me sportistë të njohur, që kanë lënë gjurmë.
Veprimtari kombëtare, me start atë fushë futbolli?
Kampionati i parë i futbollit, ai i 1930-ës, i ka zhvilluar ndeshjet aty. Po kështu edhe në edicionet që vijuan, u luajtën edhe mjaft takime gjatë luftës, si dhe të parat menjëherë pas saj. Edhe disa ndeshje ndërkombëtare të kohës janë organizuar aty. Deri më 1946-ën, kur u inaugurua stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”. Në Shallvare janë zhvilluar edhe kampionatet e atletikës së lehtë.
Shallvaret, aty ku u zbuluan emra që u bënë të famshëm më pas?
Mëse e vërtetë. Bëhet fjalë për futbollistë të shquar. Në atë fushë kanë luajtur, janë zbuluar dhe më vonë kanë shkëlqyer si në Shqipëri, edhe në Itali Naim Kryeziu dhe Riza Lushta. Pikërisht te Shallvaret i kanë debutimet, hapat e para të karrierës së tyre, për të qenë protagonistë në Serinë A të Roma dhe Juventusi. Naim Kryeziu, Haki Korça, Riza Lushta, Mark Gurashi (Maliq Petrela), Halim Begeja.
Si ndiqeshin ndeshjet?
Fusha nuk kishte tribunë qendrore dhe si e tillë ka shërbyer shtëpia jonë dykatëshe, e ndërtuar më 1924-ën nga gjyshi ynë, Masar Këlliçi. Ajo ndodhej thuajse në mesin e saj. Të jetë rastësi, apo jo, nuk e them dot. Dhe jo më shumë se 50 metra larg vijës anësore. Ballkoni i saj me pamje nga lindja ishte si një tribunë e vërtetë dhe si e tillë ka shërbyer.
Cilët ishin zyrtarët që vinin aty dhe ndiqnin veprimtaritë?
Për të ndjekur manifestimet e kohës, ato ushtarake, në atë tribunë ka qëndruar Ahmet Zogu. Ajo fushë ka shërbyer edhe si një qendër dëfrimi për rininë tiranase, për lojërat popullore, festat fetare dhe studentët për që ktheheshin nga jashtë, për pushimet verore.
Pra, edhe për pushtetarët e lartë ka shërbyer ajo tribunë?
Pas 1944-ës në atë tribunë ka ardhur edhe Enver Hoxha, si komandant, por ndryshe nga Mbreti Zog, ne duhet të dilnim të gjithë nga shtëpia disa orë më parë që të bëhej kontrolli për sigurinë. Më të edhe disa autoritete të kohës, si Sejfulla Maleshova, një mik i familjes sonë.
Vijmë te Kampionati Ballkanik, ai i 1946-ës…
Pak mund ta dinë se përgatitja e Ballkaniadës së 1946-ës në futboll dhe atletikë është bërë pikërisht tek ajo fushë. Stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” ishte në ndërtim dhe si fëmijë mbaj mend që stërvitjen Kombëtarja e bënte aty, në fushën e Shallvares. U qëndronim afër futbollistëve, kujtoj buzëqeshjen dashamirëse të Loro Boriçit me ne, elegancën e portierit Xhakomino Pozeli, kapellën e Dod Tahirit që e linte pas porte. Kujtoj Sllave Llambin, Rexhep Spahiun që pinte duhan i tërhequr që të mos e shihte trajneri jugosllav. Po kështu kujtoj Dibrën, Vasif Biçakun, Zihni Gjinalin, Pal Mirashin, gazmor gjithmonë.
Drejtonte një trajner jo shqiptar?
Drejtonte trajneri jugosllav, Ljubisa Brosiç. Kujtoj se Brosiç na dukej i madh në moshë, sepse kishte pak thinja në kokë, por ishte shumë i ri, 34 vjeç. Nuk komunikonte në shqip dhe kjo na krijonte tjetër ide. Por ishte tejet i sjellshëm, i kujdesshëm.
Jo vetëm futbolli, por edhe në disiplina të tjera në atë fushë?
Edhe atletët provat i bënin aty, në atë pistë të Shallvares i zhvillonin. Kujtoj Skënder Begenë në 100m, Belul Hatibin nënkampion i Ballkanit në garën e 110m/p, Vlash Koljakën, Sllave Llambin, të cilët stërviteshin deri sa errej. Kujtoj gjithashtu vrapuesin e garave të thellësisë, Galip Sojlin, që stërvitej përreth fushës së Shallvares, më kohë të zgjatura.
Edhe takime derbi aty?
Ka qenë ai midis Tiranës dhe Partizanit. Mendoni në vitet ’45, një ditë me shi të rrëmbyeshëm, stuhi. Abdulla Stërmasi luante portier, kishin ardhur edhe familjarët e tij për ta parë. Nga shiu i rrëmbyeshëm kujtoj se u shemb shtëpia e Ypit.
Arbitra, emra të mëdhenj futbollistësh, protagonistë në atë fushë?
Ata të kohës, si Llazar Miha, Abdurrahman Toptani, arbitra me autoritet. Por edhe të tjerë. Në atë fushë të Shallvares janë zbuluar edhe talente, si Resmja, Merja, Reçi, Arbana, apo më vonë vëllezërit Mema nga ajo fushë e kanë startin e karrierës së tyre. Kujtoj gjithashtu Xhavit Demnerin, Osman Casllin, Xike Bulkun, personazhe të njohur e të pandarë të asaj fushe. Mbaj mend se pas stërvitjeve të gjithë rreth trajnerit Parapani ndiqnin skemën: në fillim të lojës trajneri Tici pasonte një top të gjatë për te Cen Petrela, që dallohej për gjuajte direkt dhe të forta.
Ju ndiqnit gjithmonë stërvitjen?
Të ulur përreth fushës, e prisnim me shumë dëshirë momentin kur vinin lojtarët, pastaj niste stërvitja. Ajo shoqërohej me përgatitje fizike, atletike, teknike dhe taktike. Garat e shpejtësisë, lëvizjet me dhe pa top, ndërmjet pengesave të vendosura aty. Kujtoj shumë mirë, pasi si fëmijë të fiksohen disa lojtarë me karakteristika të veçanta, si Loro Boriçin, Sllave Llambin, Qamil Telitin. Sigurisht që Loro ishte lojtari më popullor, i ardhur nga Italia, ku kishte luajtur me Lacion. Shumë njerëzor, i afruar me të gjithë, veçanërisht ne fëmijët, qëndronte duke biseduar me ne. Kujtoj që një marangoz që banonte aty i dhuroi një dollap të vogël, ku mund të vendoste ndërresat sportive.
Flisnin për Telitin, e keni parë nga afër?
Po kështu edhe Teliti, me trup të ngjeshur dhe muskuloz. Ai gjuante në portë nga largësia. Dhe ne kapnim topat pas porte, madje në disa raste ja vendosnim në ndonjë gungë të fushës që të godiste. Mbase nga aty u përgatit edhe ajo gjuajtje bombë e tij ndaj Rumanisë, që na dha fitoren e ndeshjes dhe Kupën e Ballkaniadës.
Deri edhe skemat taktike, i kujtoni mirë?
Ata ishin një grup me lojtarë të mirë, por kishte edhe disa të rinj që veshën fanellën e Kombëtares. Brosiç e njihte mirë taktikën dhe nga sistemi piramidal ai aplikoi atë modern “W”, duke i vendosur futbollistët sipas karakteristikave individuale të secilit në pozicionet në fushë. Kujtoj debutimin e Pal Mirashit, autorin e golit të parë ndaj Jugsllavisë.
Edhe një portier i huaj, mik me ju fëmijët?
Xhakomino Pozeli quhej. Për ne ishte shumë i veçantë, një i huaj që ndonjë fjalë shqip thoshte. Me atë dhe Tahirin u bëmë më miq, pasi qëndronim pas porte dhe topat kur dilnin jashtë ua jepnim atyre. I gjatë, e shinim, “është italian”, flisnim në vesh ne fëmijët me njëri-tjetrin.
Kishte interesim, ndjekës dhe admirues të futbollit?
Kishte edhe tifozë, dashamirës të futbollit që vinin qëndronin me orë aty. Ne i dëgjonim kur ata diskutonin me njëri-tjetrin, sidomos në periudhën kur ndiqnim përgatitjen e ekipit Kombëtar në fushën e Shallvares. Askush nuk e mendonte nuk e parashikonte fitoren e kupës ballkanike.
Një Shallvare mikpritëse për të gjithë…
Aty janë zhvilluar edhe kampionatet lokale për Tiranën. Kujtoj kur më 1944-ën, “Sport klub Tirana” organizonte një veprimtari të tillë, me 15 skuadra, të ndara në dy grupe, ku luanin skuadra si, Veteranët, Shpresa, Skënderbeu, Dajti, Banka Kombëtare, Rinija, Dajti. Në grupin tjetër ishin Agimi, Lulzimi, Rrufeja, Besa, Jeta, Djelmënia, Vllaznija etj. Zhvillohej në disa muaj dhe përgjegjës të atij aktiviteti ishin Anastas Shundi, Ibrahim Kurani. Ne i ndiqnim me shumë kënaqësi ato takime, fusha mbushej me njerëz përreth saj. Veprimtari masive dhe Shallvarja ziente në atë periudhë.
Edhe transmetimet, ato në radio, aty e kanë startin?
Nga shtëpia jonë janë bërë edhe transmetimet e para në radio të disa takimeve. Unë nuk kisha lindur, por më kanë treguar, kur Mazreku kishte komentuar takimin e futbollit Tirana-Kavalla, në shtator të vitit 1938. Pastaj më kujtohet takimi SK Tirana-Wermaht Auseald 0-0,ë i zhvilluar në Shallvare, ai u transmetua në radio nga një stacion ushtarak gjerman për repartet e ushtrisë së tyre në vendin tonë.
Ka ndonjë nderim, që është fiksuar në atë fushë?
Nderimi fashist, ka ndodhur edhe kjo ngjarje në Shallvare. Janë pikërisht ato takime që fola më lart, kur nga fotoja shohim, dallojmë një nderim të tillë. Nuk e kujtoj saktësisht, sepse kanë kaluar vite dhe i isha i vogël.

Nderimi zogist i ekipeve për kohën
Folëm vetëm për Shallvaren, një Tiranë vetëm me atë fushë?
Përveç Shallvares, rreth viteve ‘30 në Tiranë ka pasur edhe disa fusha të tjera, si Fusha e Agait, ajo e dibranëve, ku sot është Gjykata e Apelit dhe çdo lagje kishte skuadrën e saj me emrat e veçantë. Ndeshjet luheshin aty dhe finalja në Shallvare.
Pyetja e fundit Z.Sakiqi, ju kujtohet sot ku kanë qenë portat, ose diçka nga ajo fushë?
Po, me saktësi. Porta veriore ka qenë thuajse te hyrja e parë e Shallvares, nga pjesa që është përballë Drejtorisë së Postës Qendrore, gati 50 metra larg përballë saj. Mesfusha korrespondon me atë përballë hyrjes së Tajvanit, thuajse në mesin e pallatit, atij pak të futur. Ndërsa porta jugore ishte aty ku sot është kthesa e pallatit rreth 50-60 metra përballë Lanës. Fusha e Shallvares vazhdoi aktivitetin e saj si një fushë e dytë deri më 1951-shin, kur u prish për ndërtimin e pallateve të stilit rus. Nga bashkia do të ishte mirë që aty të krijohet një hapësirë, një vend për një muze të vogël, që përtej nostalgjisë, i ka mbetur vetëm emri: Shallvare. Me vlera për historinë e kryeqytetit dhe brezat e rinj.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"