“Skema s’është problem, por pastërtia e garës”, Jupi flet për problemin e madh të Superiores: Edhe “Final 5” ta bësh…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2025 | 18:46

“Skema s’është problem, por pastërtia e garës”, Jupi flet për problemin e madh të Superiores: Edhe “Final 5” ta bësh…

Ndër temat më të debatuara të dy sezoneve të fundit në Superiore, ka qenë pa dyshim skema “Final 4”. E menduar për të rritur emocionin dhe për të shtuar interesin në fazën përmbyllëse të kampionatit, kjo formulë ka ngjallur polemika të shumta, veçanërisht për mënyrën se si ajo ndikon në vlerësimin real të ekipeve.

jupi

Redi Jupi, një nga zërat më kritikë dhe të drejtpërdrejtë, e sheh problemin përtej formatit: sipas tij, nuk ka rëndësi çfarë skeme zbaton nëse gara është e mbushur me trukime, marrëveshje të fshehta dhe mungesë transparence. Nëse nuk do të kishim “Final 4” këto dy sezone, historia e kampionatit mund të kishte qenë ndryshe, jo vetëm në renditje, por edhe në perceptimin e drejtësisë sportive.

Sipas Redi Jupit, kampionati tradicional do të kishte shpërblyer vazhdimësinë, stabilitetin dhe performancën në 36 javë, jo një formë gare e ngjeshur, ku gjithçka vendoset në 90 minuta. Por, përtej skemës, Jupi thekson një të vërtetë edhe më të thellë: formati nuk ka vlerë nëse nuk ekziston vullneti për ndershmëri në garë.

“Edhe pse kam qenë nga të parët që kam qenë kundër saj, në këtë moment kam një mendim tjetër. Çfarëdo skemë të bëjnë këta, në momentin që nuk kanë vullnetin për të ndaluar trukimet, tolerimet, marrëveshjet nën dorë për të rrëzuar dikë dhe për të nxjerrë kampion dikë, ta bësh ‘Final 4’, ‘Final 5’, ‘Final 2’, ta bësh si të duash ti, problem do të jetë gjithmonë. E rëndësishme është se çfarë vullneti ke ti dhe se çfarë do të arrish ti nëpërmjet kësaj skeme”, thotë ai për “Panorama Sport”.

Ai shton se edhe skema më e mirë në botë do të dështojë, nëse nuk zbatohet me qasje të pastër dhe objektiva të qarta. Për të, “Final 4” nuk ka përmbushur pritshmëritë: as nuk ka rritur cilësinë, as nuk ka rikthyer tifozët në stadium dhe as nuk ka ndihmuar në pastrimin e garës.

“Skema nuk shpëton çdo gjë. Nëse këta kanë objektiv për të sjellë njerëzit në stadium, kjo nuk është as skema e duhur dhe as qasja e duhur”, përfundon Redi Jupi. Për të, problemi nuk është si e ndan kampionatin, por si e trajton garën. Dhe për sa kohë ke mungesë vullneti për ta pastruar lojën, çdo skemë është veçse një fasadë.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL