Shkak kompania e basteve, “kriset” raporti Sheva-Pirlo, ukrainasi: Më ka lënduar, e dënoj atë që ka bërë
Gara e Andrea Pirlos për t’u bërë trajner i Kombëtares së Italisë nuk është më vetëm çështje skemash taktike, por është kthyer në një debat të madh që shkon përtej futbollit. Shkaku kryesor është bashkëpunimi i Pirlos me “Fonbet”, një kompani ruse bastesh, ku ish-mesfushori është ambasador ndërkombëtar.

Ky partneritet ka shkaktuar reagime të forta, sidomos nga ish-shoku i tij te Milani, Andrij Shevçenko, sot president i Federatës së Futbollit të Ukrainës. Marrëdhënia mes dy legjendave është ftohur ndjeshëm, me Shevçenkon që ka dënuar publikisht vendimin e Pirlos dhe të figurave të tjera italiane si Françesko Toti dhe Marko Materaci për bashkëpunime me kompani dhe evente në Rusi.
“Kam folur personalisht me shumë prej tyre dhe ua kam shprehur qartë kundërshtimin tim dhe qëndrimin e Ukrainës”, deklaroi Shevçenko. “E dënoj atë që kanë bërë. Ata e kuptojnë situatën, por gjithsesi zgjodhën këtë rrugë. Për momentin gjithçka është pezull. Më ka lënduar.”
Ndryshe nga Toti dhe Materaci, për të cilët çështja lidhet me aktivitete private promovuese, rasti i Pirlos konsiderohet më i ndjeshëm, pasi ai është një nga kandidatët kryesorë për të drejtuar Kombëtaren e Italisë.
Federata Italiane e Futbollit duhet të vlerësojë jo vetëm aftësitë e tij si trajner, por edhe ndikimin që kjo situatë mund të ketë në imazhin ndërkombëtar të përfaqësueses.
Për momentin, negociatat për emërimin e Pirlos mbeten të hapura, por rruga drejt pankinës së Italisë është bërë shumë më e vështirë. Përveç sfidave sportive, ai duhet të përballet edhe me pasojat e zgjedhjeve të tij jashtë fushës, të cilat kanë krijuar një ndarje të thellë me opinionin publik dhe me një mik të vjetër si Shevçenko.
PANORAMASPORT.AL













