EKSKLUZIVE/ Gjashtë lojtarë nga akademia e Skënderbeut, Kukësi i këtij sezoni do të jetë… “made in Korça”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2026 | 13:28

EKSKLUZIVE/ Gjashtë lojtarë nga akademia e Skënderbeut, Kukësi i këtij sezoni do të jetë… “made in Korça”

Kukësi i këtij sezoni duket se do të flasë dialektin “korçar”. Me në krye trajnerin juglindor Bledi Kadiu, blutë kanë në organikën e këtij sezoni plot 6 futbollistë të cilët janë prodhim i akademisë së Skënderbeut.

Kukesi stervitje

Dyshes Lamellari-Mejdani, që zhvilluan një edicion fantastik vitin e kaluar, i janë bashkuar edhe 4 futbollistë të tjerë nga radhët e Skënderbeut. Bëhet fjalë për portierin Amarildo Dervishaj, mbrojtësin Jetmir Laze dhe dy sulmuesët Ruendi Zaçellari dhe Fidel Korçari.

Të katërt këta futbollistë kanë qenë protagonistë me Skënderbeun U-19, duke u shpallur kampionë para dy sezonesh dhe duke bërë paraqitje dinjitoze në arenën europiane, ku u përballen edhe ndaj anglezëve të Aston Vilës.

Për sa i përket Dervishajt, gardiani korçar është një njohje e vjetër për verilindorët, pasi dy sezone më parë ishte pjesë e Kukësit, teksa do të rikthehet sërish si i huazuar, për të dhënë kontributin e tij në skuadrën e Kadiut.

Kadiu Kukesi

“Panorama Sport”, mëson se Kukësi është pranë akordit edhe me një futbollist tjetër korçar, bëhet fjalë për mbrojtësin Spasian Nasto, në rast se marrëveshja finalizohet, atëherë numri i juglindorëve në skuadrën e Kukësit do te shkonte në 8, duke përfshirë kështu edhe trajnerin Kadiu.

ILDI MEROLLI – PANORAMASPORT.AL