Dueli prestigjoz ndaj Xhoshuas, zbulohet shifra e majme që arkëtoi Kristian Prenga
Boksieri shqiptar, Kristian Prenga ishte vetëm pak minuta larg një prej surprizave më të mëdha në historinë e boksit, por përvoja dhe klasi i Antoni Xhoshuas bënë diferencën, duke bërë që ish-kampioni britanik ta mbyllte duelin në raundin e dytë, teksa hodhi në tapet me nokaut Prengën.

Përveç interesimit për rikthimin e Xhoshuas dhe mundësinë e një dueli të shumëpritur me Tajsom Furi, shumë vëmendje ka marrë edhe shuma e parave që përfituan dy boksierët, teksa media të ndryshme botërore raportojnë se fondi total i ndeshjes ishte rreth 5.7 milionë euro.
Xhoshua përfitoi rreth 4.6 milionë euro, ndërsa Kristian Prenga arkëtoi afërsisht 1.1 milionë euro, pagesa më e madhe e karrierës së tij.
Për krahasim, ndeshja e Xhoshuas ndaj Xhek Paul në dhjetor thuhet se gjeneroi një fond total prej 159 deri në 172 milionë euro, ndërsa pjesa e britanikut u vlerësua në rreth 77 milionë euro.
Për Kristian Prengën, pavarësisht humbjes me nokaut, kjo pagesë përfaqëson një moment historik në karrierën e tij dhe një përfitim financiar që tejkalon çdo fitim të mëparshëm në ring.
PANORAMASPORT.AL













