Shifrat pro Vllaznisë, “Demat” e Partizanit kundër statistikave
Përballja mes Partizanit dhe Vllaznisë pritet të jetë një nga sfidat më interesante të javës së 30-të në Kategorinë Superiore, duke parë edhe ecurinë e dy skuadrave në këtë sezon dhe formën aktuale.

Vllaznia kryeson renditjen me 53 pikë pas 29 ndeshjesh, duke treguar një stabilitet më të madh krahasuar me Partizanin, që mban vendin e katërt me 44 pikë. Shkodranët kanë regjistruar 15 fitore, ndërsa të kuqtë numërojnë 12 të tilla, çka tregon një avantazh të lehtë të Vllaznisë në aspektin e rezultateve.
KRAHASIMI – Një nga pikat më të forta të skuadrës shkodrane ka qenë mbrojtja. Me vetëm 21 gola të pësuar në 29 ndeshje, Vllaznia ka një mesatare prej 0.72 golash për ndeshje, duke qenë një nga repartet më solide në kampionat. Në krahun tjetër, Partizani ka pësuar 33 gola, një shifër dukshëm më e lartë, që reflekton edhe luhatjet në repartin difensiv e në pikët në renditje. Në aspektin ofensiv, diferencat nuk janë shumë të mëdha. Vllaznia ka shënuar 36 gola (1.24 për ndeshje), ndërsa Partizani 33 (1.14 për ndeshje), duke treguar se të dyja skuadrat kanë potencial të ngjashëm në sulm. Megjithatë, ajo që bie në sy është efikasiteti më i mirë i Vllaznisë, e cila ka ditur të administrojë më mirë ndeshjet dhe të marrë maksimumin e pikëve.

PRITSHMËRIA PËR GOLA – Statistikat tregojnë gjithashtu një tendencë për ndeshje me pak gola, sidomos për Vllazninë. Plot 72.41% e ndeshjeve të saj kanë përfunduar me më pak se 2.5 gola, ndërsa Partizani ka një balancë më të shpërndarë, me 44.83% të ndeshjeve mbi këtë kuotë. Një tjetër element i rëndësishëm janë ndeshjet që skuadrat kanë mbyllur me rrjeta të paprekura. Vllaznia ka mbajtur portën të paprekur në 13 ndeshje, kundrejt 11 të Partizanit, duke konfirmuar edhe një herë qëndrueshmërinë në mbrojtje. Nga ana tjetër, Partizani ka dështuar të shënojë në 9 takime, më shumë se Vllaznia me 7, çka tregon njëfarë mungese vazhdimësie në fazën sulmuese.
KONKLUZIONI – Në total, të dhënat flasin për një Vllazni më të konsoliduar dhe më efikase gjatë këtij sezoni, por diferencat nuk janë aq të mëdha sa për të përjashtuar Partizanin nga një fitore e mundshme përballë shkodranëve.
Duke qenë një ndeshje mes dy ekipeve me histori dhe rivalitet, çdo statistikë mund të mbetet në letër, ndërsa fusha do të japë verdiktin final, aq më tepër kur të kuqtë falë formulës me përgjysmim të pikëve në fundin e sezonit të rregullt, mund të tentojnë edhe titullin, gjithnjë nëse ia dalin që të ruajnë deri në fund të kampionatit një vend mes katër të parave për të marrë pjesë kështu në “Final Four”.
PANORAMASPORT.AL













